Ballina Lajmet Pesticidi i rrezikshëm në tregun shqiptar me urdhër të ministrit

Pesticidi i rrezikshëm në tregun shqiptar me urdhër të ministrit

Top Channel zbulon një urdhër të ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi që edhe pse kundër analizave shkencore i kërkon AKU-së që të mos e ndalojë më përdorimin e një kimikati duke thënë se është pleh dhe jo pesticid.

Fermerët e përdorin atë vetëm si pesticid dhe ky kimikat me emrin “Silicon Mix” hyn në kundërshtim me ligjin në tregun shqiptar.

Top Channel zbuloi se si me urdhër të ministrit, “Silicon Mix” lejohet të futet në tregun shqiptar i paregjistruar.

Në letrën që mban datën 16 maj, ministri Peleshi i dërgon Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të mos penguar më hyrjen në doganë të këtij kimikati duke shpjeguar se “Silicon Mix” është një ushqyes për bimët dhe jo pesticide.

“Bllokimi i “Silicon Mix”nuk është bërë konform legjislacionit në fuqi për importin dhe vendosjen në treg të plehrave EC fertilizer, pasi kjo kategori nuk i nënshtrohet regjistrimit sepse është në qarkullim të lirë”, thuhet në letër.

AKU e ka bllokuar importin e këtij kimikati, por gjendet lirisht në farmaci, me argumentin se nuk është pleh ushqyes, por vrasës insektesh që hyn në mënyrë të pakontrolluar dhe certifikuar në treg.

Konfirmimin se bëhet fjalë për një pesticid e dhanë edhe ekspertët e laboratorit që varet direkt nga Ministria e Bujqësisë.

“Silici nuk futet në listën e plehrave domethënë si element teknik i plehrave, siliconi aq më tepër që nuk është pleh”, shprehet Miranda Huta, kimiste.

“Silicon Mix” nga fermerët përdoret në këtë moment për të mbytur insektet që prekin qershitë. Ai hyn në mënyrë të parregullt ashtu si edhe Methomili.

Exit mobile version