Ballina Jeta Familje Pesë tipet e mamave

Pesë tipet e mamave

Gruaja e parë në jetën e çdo burri, nëna, kushtëzon jetën e tij afektive. Psikoanalisti Alain Braconnier përshkruan pesë tipet më të përhapura të profileve të mamave dhe shpjegon se si mund të ndikojnë ato tek të bijtë.

Raporti që lidh një nënë me një bir është unik, i thellë dhe i pakrahasueshëm, me asnjë tip tjetër dashurie. Në këtë raport gruaja gjen një siguri afektive po të njëjtë që e shtyn të sillet si të mos kishte asnjë rivale dhe për pasojë, të modelojë pandërgjegjshëm të ardhmen afektive të djalit të vet.

Në çdo grua bashkëjetojnë tipet e ndryshme të nënës, pastaj janë edhe personaliteti, historia e jetës së saj, roli i partnerit… por le t’i shohim pesë tipet më vete:

Nëna e DHEMBSHUR

PROFILI: Vështrimi i saj, gjestet, fjalët e saj dëshmojnë për një admirim të dhembshur ndaj djalit, tek i cili projekton tërësisht idealin e saj mashkullor. Krenare për aftësitë e tij fizike dhe morale, kënaqet kur ai arrin rezultate të jashtëzakonshme. Në mënyrë të qartë dhe të padyshimtë e përgatit për një të ardhme të pasur me kënaqësi dhe suksese. Për të dëshiron më të mirën dhe është gati të sakrifikojë për djalin, i cili është arsyeja e ekzistencës së saj. Tek ai mbështet të gjitha shpresat, i jep kurajë, e nxit me komplimente dhe e mbush me vëmendje të vazhdueshme.

NDIKIMI I SAJ: Falë forcës që buron nga kjo tip mamaje, djali ka një siguri të madhe në vetvete që i lejon të përballet pa drojë me sfidat e jetës. Në planin afektiv është i shkujdesur dhe ambicioz… por do të drejtohet drejt një personi që do të zërë vendin e nënës që do ta shohë më të njëjtin sy të mrekulluar.

Shpresat e tij shpesh do të zhgënjehen dhe për këtë, marrëdhëniet e tij do të zëvendësojnë njëra – tjetrën. Kërkimet e tij do t’i lënë vend pushtimeve dhe princi tërheqës do të zëvendësohet me një Don Zhuan shpesh të paplotësuar, rrallëherë të dashuruar. Nëse përfundon duke kërkuar perlën e rrallë, pushtuesi do të ekzagjerojë devocionin. Për shembull gratë e forta, të pavarura ose joshëse do t’i interesojnë pak.

Nëna SUPERMBROJTËSE

PROFILI: Është arketipi i mamasë hebreje në filmat e Woody Allen: e ankthshme, posesive dhe pushtuese. Qëllimi i saj është të zgjasë sa më shumë të jetë e mundur ekskluzivitetin e lidhjes me djalin. Gjithnjë e shqetësuar dhe e merakosur, i komunikon të birit vizionin e saj pesimist të marrëdhënies njerëzore, duke i shtuar pashmangshmërisht ankthin dhe varësinë afektive.

NDIKIM I SAJ: Të kushtëzuar nga kjo dashuri e skajshme djemtë priren të rriten në ankth, të provojnë lehtësisht ndjenjën e fajit. Intimiteti jo gjithnjë është i lehtë të stabilizohet, komunikim i ulët verbal, emocione të bllokuara janë sjelljet mbrojtëse më të shpërndara që mund të gjenden tek burrat shumë të ngjitur me nënat.

Nëse arrijnë ta presin kordonin ombelikal, e bëjnë me dhunë dhe në mënyrë përfundimtare. Në rast të kundërt, mbeten gjithnjë të devotshëm dhe do të jenë gratë rreth e rrotull që do të krijojnë distancë. Këto të fundit, padyshim rrallëherë shihen me sy të mirë nga vjehrrat e tyre potenciale.

Nëna e FTOHTË

PROFILI: Ngaqë dyshon në aftësitë e saj për të qenë një nënë e mirë, jeton me frikën se mos ka gabuar dhe e ka bërë të vuajnë djalin e saj. Gjithçka që vjen prej saj (kontaktet, sugjerimet e saj…) duket sikur krijojnë keqkuptime. Herë rri mënjanë nga frika se nuk është në lartësinë e duhur. Kjo nuk do të thotë ama se nuk ia do të mirën djalit. Por derisa ai ta ketë kodifikuar pasigurinë e të ëmës prej nga lind sjellja distancuese, ndihet pak i dashur prej saj.

NDIKIMI I SAJ: Duke mos e zhvilluar ngrohtësinë dhe sigurinë nga dashuria amësore, djemtë e nënave të distancuara kanë vështirësi për të vendosur raporte të qeta me gratë dhe kanë gjithnjë një vizion cinik në dashuri dhe seksualitet. Në marrëdhëniet afektive, për kujdes, fshihen pas maskave dhe për mbrojtje kanë një ftohtësi shkurajuese. Me gratë priren të krijojnë të njëjtën distancë që kanë pasur me nënën edhe nëse kjo i bën të vuajnë. Në të kundërt, nëse takojnë një person që i jep siguri, investojnë në çift ha hezituar.

Nëna TREDHËSE

PROFILI: Ndërgjegjshëm ose jo është në luftë me burrat dhe do që t’i mbajë nën kontroll. Për psikanalistët është gruaja që do “pushtetin” vetëm për vete. Dominuese, autoritare, pretendon që gjithçka të shkojë sipas fjalëve dhe dëshirave të saj. Në çdo çast, në mënyrë pak a shumë të fshehtë, i kujton djalit të saj se është ajo që vendos gjithçka dhe ka gjithnjë të drejtë.

NDIKIMI I SAJ: Si të mos kenë frikë nga takimi intim me gratë? Djemtë e nënave tiranike kanë gjithnjë një sjellje paradoksale. Duket sikur bëjnë gjithçka për t’i mbajtur larg nënat duke shkuar të kërkojnë partneren me të cilën do të krijojnë të njëjtën marrëdhënie: dominuese-i dominuar. Sidoqoftë nëse çifti reziston në kohë, kërkojnë të çlirohen nga kjo lidhje asfiksuese me pabesi pa ia dalë të jenë me të vërtetë të kënaqur.

Nënshtrimi ndaj femrës ka disa kufij: kur ndihen të kapur, mbërthyer në mashkulloritetin e tyre nga gratë, mund të bëhen edhe të dhunshëm, verbalisht ose fizikisht, duke shpaguar kështu të gjithë përulësinë ndaj nënës.

Nëna e PLOTËSUAR

PROFILI: Është para së gjithash një nënë e lumtur, e shpërblyer nga bashkëshorti dhe nuk i projekton tek fëmija as pritshmëritë e as idealet e pambërritshme. I jep vëmendje nevojave të fëmijës, nuk është e ankthshme dhe as në kërkim të shpërblimit narcizistik. Plaket duke menduar për mirëqenien e familjes dhe i lë babait hapësirën për të zhvilluar rolin e tij.

Burimet e kënaqësisë së saj janë të ndryshme: fëmija nuk është arsye e saj e vetme e ekzistencës. Nëse e dëgjon fëmijën di të jetë pjesëmarrëse por kurrë imponuese dhe zotëruese.

NDIKIM I SAJ: Kjo mama “krijon” burrin e sigurt në vetvete që ndihet mirë në mashkulloritetin e tij dhe janë rehat me veten përballë seksit tjetër. Djemtë e nënave gjithëpërfshirëse dinë të pranojnë dhe shprehin emocionet e tyre, të joshin pa bërë sikur dhe pa komanduar. Dinë të menaxhojnë veten si në rolin e mikut si në atë të të dashurit dhe nuk ndihen në rrezik në raporte force.

Thembra e tyre e Akilit është prirja për të parapëlqyer marrëdhënien gjithëpërfshirëse në dëm të asaj dashurore. Siç thoshte Aristoteli, që duhej të ishte ky tip burri: “miqësia është fat më i mirë se dashuria bashkëshortore”. /Mesazhi/

Exit mobile version