Dita e enjte shënoi 75 vjetorin që nga D-Day, dita kur trupat aleate zbarkuan në plazhet e Normandisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Thënë shkurt, më 6 qershor të vitit 1944, afërsisht 160,000 trupa zbarkuan në Normandi, Francë. Sipas një shkrimi të Business Insider, përcjell Telegrafi, D-Day përfshiu koordinimin e habitshëm mes forcave aleate. Mbi 13,000 paratrupa zbarkuan pas linjave të armikut përpara agimit. Rreth orës 06:30, vala e parë e trupave të sulmit goditi plazhin.
Një ngjarje e tillë vlerësohet një nga momentet më të rëndësishme në luftë dhe thuhet se përfaqësonte një nga reagimet më të mëdha në historinë botërore. Gjithashtu, D-Day shënoi një kthesë në luftën kundër Gjermanisë naziste, e cila do të dorëzohej më pak se një vit më vonë, në maj të vitit 1945.
Por kjo nuk ishte aspak një fitore e lehtë dhe kushtoi shumë, përfshirë edhe jetë të shumta njerëzish: afërsisht 22,000 trupa aleate u vranë ose u plagosën vetëm më 6 qershor. Atë ditë, dhe në shtatë dekada e gjysmë që prej asaj kohe, udhëheqësit botërorë kanë dhënë fjalime legjendare rreth D-Day – duke përfshirë edhe në plazhet e njollosura me gjak, aty ku ndodhi e gjitha.
Këtu janë pesë nga fjalimet më të fuqishme në D-Day. Në një transmetim në radion kombëtare të transmetuar më 6 qershor 1944, Presidenti Franklin D. Roosevelt i kërkoi amerikanëve t’i bashkohen atij në lutje për forcat aleate: “Ata nuk luftojnë për epshin e pushtimit, luftojnë për t’i dhënë fund pushtimit, luftojnë për të çliruar”. Ndërsa gjenerali Dwight Eisenhower, komandanti suprem i Forcave të Ekspeditës Aleate që më vonë do të bëhej president i SHBA-së, u dërgoi një shënim ushtarëve amerikanë më 5 qershor 1944, për t’i inkurajuar ata para se të shkonin në betejë.
“Ju jeni gati të hyni në Kryqëzatën e Madhe, për të cilën kemi luftuar shumë muaj. Sytë e botës janë mbi ju. Shpresa dhe lutjet e njerëzve me dashuri lirie kudo marshojnë me ju”, kishte thënë ai. Veç këtyre, në ditët e tensionuara të Luftës së Ftohtë, presidenti Ronald Reagan më 6 qershor të vitit 1984, përkujtoi përvjetorin e 40-të të D-Day me një fjalim të fuqishëm në vendin e pushtimit: “Vendi është i vlefshëm për të vdekur dhe demokracia gjithashtu, sepse është forma më e nderuar e qeverisjes, e menduar ndonjëherë nga njeriu”.
Dhe në listën e fjalimeve nuk do të mund të mungonte edhe ai i presidentit Barack Obama. Ai më 6 qershor të vitit 2014, përkujtoi 70 vjetorin e D-Day në Beach Omaha me një fjalim që tregoi pse mijëra ushtarë amerikanë luftuan atë ditë.
“Çfarë manifestimi më të fuqishëm të angazhimit të Amerikës ndaj lirisë njerëzore mund të ketë sesa shikimi i të rinjve që hipin në ato anije për të çliruar njerëzit që nuk kishin takuar kurrë?”, kishte thënë Obama. Ndërsa Mbretëresha Elizabeta II që ishte 18 vjeçe në D-Day, më 5 qershor 2019, një ditë para 75 vjetorit të pushtimit, pasqyroi ditën dhe gjeneratën e burrave dhe grave që e kaluan atë përvojë.
“Kur mora pjesë në përkujtimin e 60-vjetorit të kësaj dite, disa mendonin se kjo mund të ishte ngjarja e fundit e tillë, por brezi i luftës, brezi im, është i qëndrueshëm”, tha Mbretëresha.