Ballina Arritje Teknologji Pesë ditë pas shkarkimit, Sam Altman rikthehet në krye të OpenAI

Pesë ditë pas shkarkimit, Sam Altman rikthehet në krye të OpenAI

E shndërruar thuajse në një telenovelë, çdo gjë filloi me shkarkimin e papritur të Altman mbrëmjen e së Premtes më 17 Nëntor ndërsa menjëherë pas tij Brockman dha dorëheqjen në formë proteste.

Sam Altman ka vendosur të rikthehet si CEO i OpenAI pasi shkarkimi i tij pesë ditë më parë krijoi një prej skenarëve më të papritur në historinë e industrisë së teknologjisë.

Ish presidenti Greg Brockman, i cili dha dorëheqjen e tij në formë proteste ditën e Premte, do të rikthehet gjithashtu. Bordi i kompanisë është shpërbërë dhe zëvendësuar me emra të rinj si Bret Taylor, Larry Summers dhe anëtari i mëhershëm i tij Adam D’Angelo.

 

Marrëveshja është arritur në princip dhe duhet të aprovohet nga të gjitha palët. E vetmja punë i bordi i përkohshëm do të duhet bëjë është të ngarkojë një bord të ri prej 9 personash të cilët do të ndryshojnë edhe qeverisjen e OpenAI.

Një prej anëtarëve të bordit do ti përkasë Microsoft dhe një vetë Altman. Ky i fundit konfirmoi lajmet përmes një postimi në Twitter.

“Me bordin e ri dhe mbështetjen e Satya, jam i gatshëm të rikthehem në OpenAI dhe të vijojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Microsoft,” tha ai.

Kjo do të thotë se Altman nuk do ti bashkohet Microsoft edhe pse shtoi se ai vendim dukej si opsioni më i mirë i mundshëm në kohën që u mor.

Përmes një postimi ekzekutivi i Microsoft Satya Nadella shtoi: “Jemi të inkurajuar nga ndryshimet në bordin e OpenAI. Jemi të bindur se ky është hapi i parë jetik drejt një të ardhmeje me qeverisje më stabile, më të informuar dhe efektive.

Një tjetër investitor madhor në OpenAI, Thrive Capital, lëshoi një deklaratë duke thënë se rikthimi i Altman është gjëja më e mirë për kompaninë dhe punonjësit e saj.

E shndërruar thuajse në një telenovelë, çdo gjë filloi me shkarkimin e papritur të Altman mbrëmjen e së Premtes më 17 Nëntor ndërsa menjëherë pas tij Brockman dha dorëheqjen në formë proteste.

Më pas OpenAI ngarkoi me detyrën e CEO-s së përkohshme, CTO-në Mira Murati. Bordi tha se Altman ishte shkarkuar sepse nuk kishin më besim tek ai. Drama vijoi gjatë fundjavës ndërsa u raportua se CEO i Microsoft Nadella ishte i zemëruar me vendimin e bordi.

Gjatë fundjavës Murati u zëvendësua nga ish-CEO i Twitter Emmet Shear si CEO i përkohshëm. Ditën e Hënë më shumë se gjysma e stafit të OpenAI kërcënoi me dorëheqje nëse Altman nuk rikthehej.

Megjithatë bordi refuzoi të tërhiqej nga vendimi çka bërë që Microsoft të ndërhynte duke punësuar Altman. Gjatë mbrëmjes të së Hënës, bashkëthemeluesi i OpenAI Ilya Sutskever i cili ka qenë prej anëtarëve të bordit në favor të shkarkimit të Altman reagoi në median sociale duke thënë se veprimet e tij nuk kishin pasur për qëllim dëmtimin e kompanisë.

Ditën e djeshme u tha se Altman tashmë ishte përsëri në bisedime për tu rikthyer si CEO për tu konfirmuar vetëm disa orë më vonë.

Exit mobile version