Stërgjyshi i Edinit, Nexhmidin Abdurrahmani, ndonëse nuk e trashëgoi zanatin e babait të tij (është marrë me ndërtimtari deri në pensionim), është gjithashtu emër i njohur në trevën e Opojës. Nexhmidini u dallua si aktivist në fshat dhe ishte ndër iniciatorët dhe organizatorët e shumë aksioneve në të mirë të komunitetit, gjithnjë në baza vullnetare! Për dallim nga gjyshi Sejdiu dhe babai i tij Bajrami, të cilët kishin vetëm nga një djalë, Nexhmidini është baba i 7 djemve (Abdurrahman, Halim, Sejdi, Shefkat, Mirsat, Hesat dhe Sead), të gjithë të martuar dhe që janë bërë prindër, madje edhe gjyshër duke e quar në 24 numrin e meshkujve që jetojnë në familjen me 5 breza!
Gjyshi i Edinit, Abdurraman Abdurramani i lindur më 09.12.1962, është baba i tre djemve. Abdurrahmani është trashëgimtar i denjë i zanatit të gjyshit të tij Bajramit i cili që në moshë të re i është përkushtuar zanatit të gjellëbërësit duke e vazhduar traditën familjare.
Babai i Edinit, Sami Abdurramani i lindur më 08.02.1984, i takon brezit të katërt të familjes së Bajram Danës. Samiu është i martuar dhe përveç Edinit ka edhe një djalë më të vogël të quajtur Isa (3 vjeç). Samiu i cili gjendet me punë të përkohshme në Gjermani, është një nga stërnipërit më të dashur të haxhi Bajramit për faktin se i dha atij epitetin e katragjyshit, epitet ky të cilin e mban qe 7 vite, që nga lindja e Edinit! Dëshira e haxhi Bajramit është që të shkel në shekullin e dytë të jetës dhe ta martojë Edinin për ta përjetuar edhe brezin e gjashtë! Urojmë që kjo dëshirë t’i realizohet! (Autor i shkrimit dhe i fotografive: Demir Reshiti)