Parimi i sovranitetit të barabartë të shteteve, si një nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, ka gjetur hapësirë edhe në Statutin e Romës. Kështu është bërë një përpjekje për të krijuar mekanizma sigurimi të së drejtës ndërkombëtare pa ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve.
Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren
Konfliktet e armatosura i aktualizojnë edhe debatet lidhur me natyrën e krimeve që ndodhin përgjatë luftimeve. Për nga shkalla e gjerë e operacioneve ushtarake shtetërore, viti 2022 u shqua si arenë e sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, luftë e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, kur po përmbyllet viti 2023. Në anën tjetër, që nga tetori i vitit 2023, opinioni ndërkombëtar është i preokupuar kryesisht me operacionet ushtarake të Izraelit kundrejt qytetit palestinez Gaza. Në të dyja rastet ka pretendime për shkelje të rëndë të rregullave të luftës sipas të drejtës ndërkombëtare. Vrasja e civilëve – si kryefjalë e secilit përkufizim të krimit – bombardimet e rënda të spitaleve, shkollave, faltoreve, dëbimet e popullatës etj., janë akte që nxisin polemika për tiparet e ndërhyrjeve të armatosura. Shpeshherë, në këso raste, ndjenjat mund ta parakalojnë arsyen. Kjo për shkak se pamjet e publikuara janë më se tronditëse për ndërgjegjen njerëzore. Krahas kësaj, drejtësia nuk duhet të heshtë. E, për të folur drejtësia, duhet zbatuar e drejta.
Çfarë thotë e drejta ndërkombëtare për mënyrën e zhvillimit të luftërave? Çfarë veprimesh lejohen dhe çfarë ndalohen në luftë? Kush e ndan drejtësinë në instancë të fundit? Këto janë disa nga pyetjet që mëtojnë sqarime në këtë analizë, e cila përqendrohet në përvijimin juridik të krimeve të luftës. Megjithëkëtë, duhet kujtuar se përveç krimeve të luftës, krime me karakter ndërkombëtar cilësohen edhe krimet kundër njerëzimit, krimi i gjenocidit dhe krimi i agresionit.
Shkeljet e rënda të Konventave të Gjenevës të vitit 1949
Konventat e Gjenevës të vitit 1949 janë dokumentet më gjithëpërfshirëse që rregullojnë të drejtën e luftës, përfshirë aktet e ndaluara gjatë luftës. Këto konventa janë të etabluara në teorinë dhe praktikën e së drejtës ndërkombëtare. Meqë shumë shtete janë bërë palë e këtyre konventave, dispozitat e këtyre janë të zbatueshme në të drejtën e brendshme të shteteve gjegjëse.
Sipas nenit 8/2(a) të Statutit të Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (i miratuar më 1998 dhe i fuqizuar më 2002), aktet vijuese kundër personave ose pasurisë cilësohen si cenim i Konventave të Gjenevës: vrasja e qëllimshme; tortura ose trajtimi jonjerëzor, përfshirë këtu eksperimentet biologjike; shkaktimi i qëllimshëm i vuajtjeve të mëdha, lëndimeve serioze të trupit a shëndetit; shkatërrimi i gjerë dhe marrja e pasurisë që nuk arsyetohet me nevojat ushtarake dhe që është kryer në mënyrë të paligjshme e të pamëshirshme; detyrimi i të burgosurit të luftës a i personave tjerë të mbrojtur për të shërbyer në forcat e palës armike; privimi i qëllimshëm i të burgosurit të luftës a personit tjetër të mbrojtur nga e drejta në gjykim të drejtë e të rregullt; dëbimi, transferimi dhe dënimi i paligjshëm; dhe marrja e pengjeve.
Këto akte duhet të vlerësohen në dritën e Konventave të Gjenevës.
Shkeljet e tjera serioze të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konflikt të armatosur ndërkombëtar
Siç mund të kuptohet nga mestitulli, çështja e shkeljeve të mëposhtme ndërlidhet vetëm në rastet e konflikteve të armatosura ndërkombëtare. Aktet e mëposhtme, të përcaktuara në nenin 8/2(b) të Statutit të Romës, janë më të gjera sesa përcaktimi që i bën Konventa e Gjenevës. Shkelje serioze konsiderohen këto 26 lloje veprimesh: sulmet e qëllimshme kundër popullatës civile, pra e personave civilë të cilët nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi; sulmet e qëllimshme kundër objekteve civile, gjegjësisht objekteve që nuk janë caqe ushtarake; sulmet e qëllimshme kundër personelit, instalimeve, materialit, njësive apo automjeteve të përfshira në ndihmën humanitare ose misionit paqeruajtës në pajtim me Kartën e OKB-së, për aq sa janë të autorizuar të mbrojnë civilët ose objektet civile sipas të drejtës ndërkombëtare gjatë konflikteve të armatosura; fillimi i qëllimshëm i sulmit duke e ditur se një sulm i tillë do të shkaktojë humbjen aksidentale të jetës ose lëndimet e civilëve a dëmet në objekte civile ose dëmtimin e gjerë, me afat të gjatë dhe serioz të ambientit natyror, në disproporcion me përparësitë ushtarake konkrete të parapara; sulmi a bombardimi, pa marrë parasysh me çfarë mjetesh, i qyteteve, fshatrave, banesave apo ndërtesave të pambrojtura e që nuk janë caqe ushtarake; vrasja a plagosja e luftëtarit që ka hedhur poshtë armët e tij ose që nuk ka më mjete për mbrojtje e që është dorëzuar në besim; përdorimi i padrejtë i flamurit të paqes, flamurit a i simboleve ushtarake dhe uniformës së armikut ose të Kombeve të Bashkuara, e po ashtu edhe të shenjave dalluese të Konventave të Gjenevës, duke shkaktuar vdekjen apo lëndimin serioz personal; transferimi i drejtpërdrejtë a i tërthortë nga shteti okupues i pjesëve të popullatës së saj në territorin që e ka okupuar ose dëbimi a transferimi i të gjithëve apo një pjese të popullatës të territorit të okupuar brenda ose jashtë këtij territori; sulmet e qëllimshme kundër ndërtesave fetare, arsimore, të artit, shkencës apo qëllimeve humanitare, monumenteve historike, spitaleve dhe vendeve ku janë të mbledhur të sëmurët e të plagosurit, e që nuk janë caqe ushtarake; nënshtrimi i personave që janë në pushtetin e palës kundërshtare ndaj gjymtimeve fizike, eksperimenteve mjekësore a shkencore të çfarëdo lloji, të cilat nuk janë të justifikuara me trajtim mjekësor, dental apo spitalor të personit në fjalë, e as nuk kryhen në interesin e tij apo saj personal, dhe të cilat shkaktojnë vdekjen a rrezikojnë seriozisht shëndetin e personit apo personave të tillë; vrasja a plagosja me tradhti e individëve që janë pjesëtarë të kombit apo armatës armike; deklarimi se nuk do të ofrohet vendosja dhe ushqimi; shkatërrimi apo marrja e pasurisë së armikut, përveç nëse një shkatërrim apo marrje e tillë e pasurisë kërkohet domosdo nga nevojat e luftës; deklarimi i anuluar, i pezulluar a i palejueshëm në gjykatë, i të drejtave dhe veprimeve të pjesëtarëve të palës armiqësore; detyrimi i pjesëtarëve të palës armiqësore për të marrë pjesë në operacionet e luftës të drejtuara kundër vetë shtetit të tyre, edhe në qoftë se ata kanë qenë në shërbim luftarak para fillimit të luftës; plaçkitja e qytetit apo e vendit; përdorimi i helmeve a i armëve helmuese; përdorimi i gazrave ngulfatës, helmues apo të tjera dhe të gjitha lëngjeve, materialeve apo pajisjeve tjera të ngjashme; përdorimi i plumbave që zgjerohen apo shpërndahen lehtë në trupin e njeriut, siç janë plumbat me mbështjellje të fortë të cilët nuk e mbulojnë në tërësi pjesën e brendshme apo janë të mbushur me prerje; përdorimi i armëve, projektilëve dhe materialit e metodave të luftës të cilat janë të asaj natyre që shkaktojnë lëndime të jashtëzakonshme a vuajtje të panevojshme; keqtrajtimet e dinjitetit personal, veçmas trajtimi poshtërues dhe degradues; dhunimet, skllavërimi seksual, prostitucioni i dhunshëm, shtatzënia e dhunshme, sterilizimi i dhunshëm ose cilado formë tjetër e dhunës seksuale; shfrytëzimi i pranisë së personit civil apo personit tjetër të mbrojtur për të arritur caqet e caktuara, rajonet apo forcat ushtarake imune nga operacionet ushtarake; kryerja e sulmeve të drejtpërdrejta ndaj ndërtesave, materialit, njësive mjekësore dhe transportuese, si dhe personelit që përdor shenjat dalluese të Konventave të Gjenevës; përdorimi i qëllimshëm i vuajtjes së civilëve nga uria si metodë e luftës, përmes privimit të tyre nga objektet e pazëvendësueshme për ekzistencën e tyre, përfshirë këtu pengimin me dëshirë të furnizimeve me ndihma, ashtu si është paraqitur në Konventat e Gjenevës; rekrutimi dhe regjistrimi i fëmijëve nën moshën pesëmbëdhjetë vjeçare në forcat e armatosura kombëtare apo shfrytëzimi i tyre për të marrë pjesë aktivisht në armiqësi.
Shkeljet serioze të nenit 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës të vitit 1949 në konflikte të armatosura që nuk kanë karakter ndërkombëtar
Përpos konflikteve me karakter ndërkombëtar, mund të kryhen krime të luftës edhe në konflikte që nuk janë ndërkombëtare.
Tutje paraqitet lista sipas nenit 8/2(c) të Statutit të Romës me aktet e kryera ndaj personave që nuk marrin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në armiqësi, përfshirë këtu edhe anëtarët e forcave të armatosura të cilët kanë hedhur poshtë armët e tyre dhe ata që janë vendosur jashtë fushëbetejës për shkak të sëmundjes, plagëve, paraburgimit, ose çfarëdo shkaku tjetër. Në këtë kontekst, shkelje konsiderohet: dhuna kundër jetës dhe personit, veçmas vrasja e të gjitha llojeve, gjymtimi, trajtimi i vrazhdë dhe tortura; kryerja e keqtrajtimeve mbi dinjitetin personal, veçmas trajtimi poshtërues dhe degradues; marrja e pengjeve; shqiptimi i dënimeve dhe kryerja e ekzekutimeve pa një vendim gjyqësor të shpallur nga gjykata e themeluar në mënyrë të rregullt, që do të ofrojë të gjitha garancitë gjyqësore, të pranuara në përgjithësi si të domosdoshme.
Shkeljet e tjera serioze të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk kanë karakter ndërkombëtar
Parimi i sovranitetit të barabartë të shteteve, si një nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, ka gjetur hapësirë edhe në Statutin e Romës. Kështu është bërë një përpjekje për të krijuar mekanizma sigurimi të së drejtës ndërkombëtare pa ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve.
Aktet e mëposhtme janë njohur si shkelje të tjera të rënda të ligjit dhe zakoneve që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, por janë të zbatueshme në konfliktet e armatosura (neni 8/2(e)): sulmet e qëllimshme kundër popullatës civile a personave civilë që nuk marrin pjesë aktivisht në armiqësi; sulmet e qëllimshme kundër ndërtesave, materialit, njësive mjekësore dhe transportuese, dhe personelit që përdor shenjat dalluese të Konventave të Gjenevës; sulmet e qëllimshme kundër personelit, instalimeve, materialit, njësive apo veturave të përfshira në ndihmën humanitare a misionin paqeruajtës, për aq kohë sa janë në mbrojtje të personave civilë apo objekteve civile; sulmet e qëllimshme kundër ndërtesave fetare, arsimore, të artit, shkencore ose për nevoja humanitare, monumenteve historike, spitaleve dhe vendeve ku mbahen të sëmurët dhe të plagosurit, e që nuk janë caqe ushtarake; plaçkitja e qytetit apo vendit; kryerja e dhunimeve, skllavërimi seksual, prostitucioni i dhunshëm, shtatzënia e dhunshme, sterilizimi i dhunshëm ose cilado formë tjetër e dhunës seksuale; rekrutimi dhe regjistrimi i fëmijëve nën moshën pesëmbëdhjetë vjeçare në forcat apo grupet e armatosura ose shfrytëzimi i tyre për të marrë pjesë në mënyrë aktive në armiqësi; urdhërimi i zhvendosjes së popullatës civile për arsye të lidhjes me konfliktin, përveç nëse situata e tillë imponohet për sigurinë e civilëve të përfshirë ose për ndonjë arsye shumë të rëndësishme ushtarake; vrasja a plagosja e luftëtarit kundërshtar me tradhti; deklarimi se nuk do të ofrohet vendosja dhe ushqimi; të nënshtruarit e personave që janë nën kontrollin e palës kundërshtare, gjymtimeve fizike ose eksperimenteve mjekësore a shkencore të çfarëdo lloji, e që nuk janë të justifikuara me trajtimin mjekësor, dental a spitalor të personit në fjalë, e as që janë kryer në interesin e tij apo saj personal, dhe të cilat shkaktojnë vdekjen apo rrezikojnë seriozisht shëndetin e personit apo personave të tillë; si dhe shkatërrimi apo marrja e pasurisë së armikut, përveç nëse një shkatërrim a marrje e tillë e pasurisë është domosdoshmëri e nevojave të luftës.
Dispozita e mësipërme parashihet të gjejë zbatim vetëm në konfliktet e armatosura që zhvillohen në territorin e shtetit kur është fjala për konfliktin e zgjatur të armatosur në mes organeve qeveritare dhe grupeve të organizuara të armatosura ose edhe në mes vetë atyre grupeve.
Juridiksioni dhe procesi penal
Pas krimeve të kryera dhe shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pas krimeve në Ruanda ku u masakruan rreth 800 mijë njerëz, u krijuan gjykata që kanë shqyrtuar çështje të vetme, si Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, përkatësisht Tribunali Ndërkombëtar Penal për Ruandën. Këto gjykata kishin juridiksion vetëm për territoret e vendeve të cekura.
Sot, rastet përkitazi me krimet e luftës trajtohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP).
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, përbëhet nga 15 anëtarë dhe e ka selinë në Hagë. GJND-ja nuk ndjek penalisht individë dhe aplikime individuale ngase ajo merret me mosmarrëveshjet midis shteteve. Vendimet e GJND-së janë të formës së prerë, nuk apelohen dhe nëse një shtet përkatës nuk i zbaton ato, atëherë pala tjetër mund ta adresojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pikërisht këtu mund të lidhet edhe më shumë kyçi i kontestit, ngaqë nëse një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit me të drejtën e vetos vendos që të bllokojë marrjen e masave a sanksioneve, atëherë as vendimet e GJND-së nuk do të gjejnë zbatimin e pritur. Në raste të tilla del në pah joefektiviteti në funksionimin e drejtësisë brenda kornizave të OKB-së.
Në anën tjetër, Gjykata Ndërkombëtare Penale ndjek penalisht personat kriminelë të luftës që nuk gjykohen para gjykatave shtetërore. Domethënë, nëse kryerësi i krimit gjykohet në vendin e vet, atëherë nuk është e mundur që ai të gjykohet prapë në GJNP. Kjo ngaqë parimi juridik thotë se një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër (ne bis in idem).
Pra, krimet e luftës janë ndër krimet ndërkombëtare mbi të cilat GJNP-ja ka juridiksion. GJNP-ja u bë pasuese e Gjykatës Penale Ushtarake të Nurembergut, e cila u krijua pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjykoi kryesisht liderët nazistë. Gjykata Ndërkombëtare, e cila merret me krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e gjenocidit dhe krimet e agresionit bazuar në Statutin e Romës, filloi të funksionojë në vitin 2003.
Krimet e luftës vs. Drejtësia
Krimet e luftës janë veprime që rëndom kryhen me urdhrat e zyrtarëve kompetentë shtetërorë, qofshin ata udhëheqës organesh civile ose ushtarake. Dhe, për krimet e luftës, ata gjithmonë përpiqen të ofrojnë arsyetime të ndryshme, që në të vërtetë janë pretekste.
Krimet e luftës zakonisht janë të gjera, me viktima njerëzore dhe dëme të shumanshme materiale dhe jomateriale. Ky fakt lë të kuptohet që krimet e luftës janë të planifikuara në bazë të një strategjie shtetërore dhe nuk janë veprime spontane me të cilat shkelen rregullat e luftës. Vetë themelimi i një gjyqi të posaçëm që ka juridiksionin të gjykojë shtetet, siç është GJND-ja, është dëshmi për vërtetësinë e këtij pohimi. Fundja, po të ishin përgjegjës vetëm individë të caktuar (persona fizikë), atëherë do të mjaftonte GJNP-ja.
E drejta e përcaktuar në dokumente juridike duhet të shndërrohet në drejtësi për të gjitha viktimat, si dhe për kryerësit e krimeve të luftës. Drejtësia e gjykatave duhet të jetë mbi vendimet politike të pesë shteteve anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit dhe jo e kundërta e saj, sikundërqë parashihet aktualisht në sistemin e OKB-së. /revistashenja