Perversiteti i mbështetjes pa kusht të Izraelit

Rilind Dauti

Shtetet perëndimore kanë histori të gjatë që për interesat e tyre kanë bashkëpunuar me, ose i kanë mbajtur në këmbë, regjimet më gjakësore të botës. Por, mbështetja e parezervë ndaj Izraelit është përtej çdo precedenti dhe në kundërshtim me qasjen e sotme të Perëndimit ndaj regjimeve tjera që bëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Rilind DAUTI, Shkup

Okupimi izraelit i Palestinës është një gjendje e vazhdueshme, të cilën e vuajnë çdo ditë palestinezët, ndërsa herë pas here paraqitet në lajmet e botës se si paska ndodhur ndonjë shkëmbim zjarri ku kanë mbetur të vrarë një izraelit dhe 10 palestinezë. Por, këtë radhë konflikti izraelito-palestinez u kthye bujshëm në agjendën e lajmeve botërore me një sulm të befasishëm të Hamasit thellë në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Izraelit.
Pengmarrja dhe vrasja e civilëve është absolutisht e papranueshme dhe nuk duhet mbështetur akte për të cilat japin mbështetje shtetet si Irani, që të nxisin të bësh diçka, ndërsa nuk të japin mbështetje konkrete, por të lënë në baltë që të vuash vet. Megjithatë, këto aspekte nuk ia zbehin fajin palës që është përgjegjëse kryesore e ekzistimit të konfliktit në radhë të parë dhe rindezjes së herëpashershme me pasoja edhe ndaj vetë atyre.
Me dekada, Palestina është nën okupim dhe me vite Gaza është në një gjendje që shumë ekspertë e quajnë “burg nën qiell të hapur”. Me qasje të kufizuar ndaj gjithçkaje, me mungesë të elektricitetit dhe ujit të pijshëm, me papunësi dhe pa perspektivë ekonomike… Dikush që jeton nën kushte të tilla një ditë mund t’i shkojë mendja që nuk ka asgjë për të humbur dhe revoltën ndaj trajtimit të tillë ta shprehë në mënyrë tepër të ashpër. Nuk mundet që dikë ta shtypësh, ta mbash të izoluar, t’ia bësh të gjitha të zezat dhe kur ai ngre kokë, ta fajësosh pse reziston. Pikërisht ashtu vepron Izraeli.
Sulmi i rrufeshëm i Hamasit i befasoi të gjithë, por balanca e forcës e bën të veten dhe dihej se si do të vazhdojnë punët. Izraeli arriti ta zmbrapsë sulmin dhe mbi Gaza po derdh hakmarrje shumëfish më shumë se “sy për sy”, siç thotë Dhiata e Vjetër, duke u shkaktuar vuajtje ekstreme palestinezëve që arrijnë t’u mbijetojnë sulmeve të palimitura të Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Bombardim të shkollave, bombardim të kampeve të refugjatëve, të spitaleve, të kolonave të autoambulancave, të xhamive, të kishave… përdorim të bombave të fosforit… ndalesë të elektricitetit, internetit, ujit të pijshëm, ilaçeve.
Kjo hakmarrje disproporcionale, me shkelje të të gjitha zakoneve dhe ligjeve ndërkombëtare të luftës, kalon pa asnjë ndëshkim për Izraelin. Nuk ka asnjë shtet tjetër që vepron kështu dhe të kalojë pa asnjë pasojë për të. Ka shumë rezoluta që i ka kaluar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me të cilat kritikohet Izraeli, por këto nuk kanë asnjë pasojë reale për Izraelin përderisa atë e mbron vetoja amerikane në Këshillin e Sigurimit. Por, pasojat reale janë vetëm njëri aspekt. Në Perëndimin që krenohet me lirinë e shprehjes, luftohen edhe thirrjet e shoqërisë civile dhe qytetarëve për bojkot dhe sanksionim të Izraelit. Në plot 38 nga 50 shtetet amerikane kanë kaluar ligje që e sanksionojnë fushatën për bojkot të Izraelit. Madje, në Perëndim ka shqetësime edhe thjesht për një parullë si “Prej lumit deri te deti, Palestina do të jetë e lirë”. Izraeli le të shkaktojë vuajtje reale sa të dojë, por protestuesit mos të gabojnë ta shqiptojnë qoftë dhe një parullë simbolike!
Nëse jo intervenim ushtarak humanitar, më e pakta që duhej bërë do të ishin sanksionet> Megjithatë, nuk ka as dënim verbal të akteve të tmerrshme të Izraelit. Vazhdimisht përsëritet refreni “Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet”, por nuk përmendet se ç’është ajo që shkakton sulme ndaj Izraelit në radhë të parë. A ka dikush në Perëndim që i dënon sulmet e Ukrainës në territorin e njohur ndërkombëtarisht të Rusisë, e aq më pak në territoret e Ukrainës të okupuara nga Rusia?
Shtetet perëndimore kanë histori të gjatë që për interesat e tyre kanë bashkëpunuar me, ose i kanë mbajtur në këmbë, regjimet më gjakësore të botës. Por, mbështetja e parezervë ndaj Izraelit është përtej çdo precedenti dhe në kundërshtim me qasjen e sotme të Perëndimit ndaj regjimeve tjera që bëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Nëse nisemi nga teoria realiste e marrëdhënieve ndërkombëtare, që thotë se shtetet orientohen nga interesi, nuk mund të shpjegohet mbështetja aq e parezervë e shteteve perëndimore ndaj Izraelit. Bazat ushtarake amerikane janë në Inxhirlik të Turqisë dhe në shtetet arabe. Furnizimin me naftë dhe gaz e kanë nga shtetet arabe. Investimet miliardëshe nëpër klubet sportive dhe kompanitë në shtetet perëndimore i bëjnë shtetet arabe. Luftën kundër terrorizmit, që e rrezikon edhe Perëndimin, e bëjnë shtetet arabe si Egjipti në Sinai, ndërsa sakrificat më të mëdha në njerëz në mundjen e ISIS-it i ka dhënë Iraku.
Krahasojeni tani situatën me Ukrainën. Ka shumë republikanë që e kundërshtojnë mbështetjen amerikane për Ukrainën, sepse nuk shohin interes aty (ndërsa gjithsesi që SHBA ka interes që përmes Ukrainës të dëmtohet Rusia që është rival gjeopolitik i Amerikës!), por të njëjtit janë mbështetës të zjarrtë të Izraelit, që shumë më pak se mbështetja për Ukrainën mund të arsyetohet me interesat kombëtare amerikane.
Nëse jo për interes, atëherë a thua mos janë vlerat ato që e shpjegojnë mbështetjen e parezervë perëndimore ndaj Izraelit? Për shembull, SHBA-ja është kampione kryesore e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Atëherë, si ta shpjegojmë mbështetjen ndaj Izraelit që me dekada mban një territor të okupuar, pastaj edhe më tej e shkelë të drejtën ndërkombëtare me gjëra si ndërrimi i realitetit demografik të territorit të okupuar përmes dëbimit të vendasve palestinezë dhe kolonizimit me ardhacakë hebrenj? Apo akti që ia dëmton SHBA-së reputacionin global me njohjen e aneksimit izraelit të Rrafshnaltave të Golanit përderisa SHBA-ja njëkohësisht (me të drejtë) e kundërshton aneksimin e Krimesë nga Rusia?!
Shtetet perëndimore, në veçanti ato europiane, janë në siklet për të kaluarën e tyre kolonialiste dhe raciste. Por, përderisa për fajet e veta kërkojnë falje ose përpiqen ta shlyejnë atë të kaluar të hidhur, duke ndërtuar sisteme të sotme ku, më mirë mund ta gjejnë veten personat e racave dhe etnive që janë imigrantë ose me prejardhje të afërt imigrante, shtetet perëndimore njëkohësisht i japin përkrahje të pakushtëzuar një shteti si Izraeli, për të cilin jo më pak se ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, ka thënë se zbaton politika të aparteidit më të këqija seç ka zbatuar Afrika e Jugut dikur!
Por argumenti më “i lodhtë” për mbështetjen perëndimore, në veçanti atë amerikane, ndaj Izraelit është se Izraeli është demokracia e vetme në Lindjen e Mesme.
E çka që është demokracia e vetme në Lindjen e Mesme? Nëse një lider politik është zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli i tij, a do të thotë kjo që ai lider ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë me popujt tjerë?
Gjatë luftës së keniasve për pavarësi, britanikët në Keni patën hapur kampe për punë me detyrim për keniasit që luftonin për lirinë e vendit të tyre. A janë moralisht të shëndosha këto kampe të përqendrimit kur dihet se Winston Churchill-i dhe Anthony Eden-i ishin kryeministra të zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli britanik? A janë në rregull bëmat koloniale dhe neokoloniale të Francës në Afrikë thjesht sepse Franca është shtet demokratik? A arsyetohen tmerret serbomadhe mbi kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, me faktin që Millosheviqi ishte i zgjedhuri demokratik i popullit serb?
Kështu, duke qenë Izraeli demokracia e vetme në një rajon me udhëheqës të përjetshëm, gjithsesi që e meriton një dozë respekti, por të qenit demokraci nuk është kriteri i vetëm i moralit dhe të qenit demokraci nuk do të thotë se udhëheqësit izraelitë duhet të jenë dorëlirë që të bëjnë çdo të ligë ndaj popullit palestinez!
Një argument tjetër që jepet, në veçanti tek republikanët amerikanët, është se Izraeli është shteti i vetëm në Lindjen e Mesme që nuk i persekuton të krishterët. Këtu ka elemente të së vërtetës. Është e vërtetë që nga shkurtpamësia, shtetet arabe i diskriminojnë të krishterët që janë qytetarë lojalë të atyre shteteve, ndërsa në Izrael trajtohen më mirë. Por, kjo vlen vetëm për territoret e Izraelit të para vitit 1967. Në këto pjesë as myslimanët nuk janë të persekutuar. Në fakt, myslimanët në Izrael për çështjet private, si martesat, divorcet, kujdestaria ndaj fëmijëve dhe trashëgimia, kanë gjykata të Sheriatit, të njohura nga shteti, gjë që nuk e gëzojnë as myslimanët në shumë shtete me shumicë myslimane! Por, nëse të krishterët në Izrael trajtohen mirë, atje ku siç thamë, as myslimanët nuk i kanë punët shumë keq, atëherë hajde të shohim se çfarë u bën Izraeli krishterëve në Territoret e Okupuara Palestineze. Ua kufizojnë lëvizjen dhe qasjen në vendet e shenjta, kolonistët hebrenj i shajnë, i pështyjnë dhe i sulmojnë fizikisht. Dhe, në përgjithësi, palestinezët e krishterë i vuajnë pasojat e okupimit njëjtë si palestinezët myslimanë. Dhe, si rezultat i kësaj, palestinezët e krishterë janë patriotë të mëdhenj që, bashkë me vëllezërit e tyre myslimanë, protestojnë, lobojnë, mbledhin fonde dhe luftojnë me armë për lirinë e Palestinës (përfshirë dhe me metodën e gabuar të sulmeve terroriste).
Por përkundër asaj se një pjesë e madhe e palestinezëve janë të krishterë që bashkë me bashkëkombësit myslimanë përpiqen për lirinë e atdheut të tyre, e vërteta është se shumica e palestinezëve janë myslimanë. Kjo është arsyeja pse Palestina është një plagë që më së shumti u dhemb myslimanëve. Po ashtu, kjo është edhe arsyeja prej nga shumë myslimanë besojnë se rrjedh mbështetja perëndimore ndaj Izraelit.
Kjo është e saktë për një pjesë të shteteve të botës. Për shembull, në Indi, ku tani sundon nacionalizmi hindus, shumë indianë ngazëllehen nga vuajtjet që Izraeli ua shkakton myslimanëve që nacionalistët hindusë i urrejnë shumë. Urrejtja ndaj myslimanëve është motiv i mbështetjes për Izraelin edhe në shumë shtete postkomuniste të Europës Qendrore dhe Lindore. Në të kaluarën, në emër të antiimperalizmit dhe vëllazërisë socialiste, këto shtete ishin mbështetëse të çlirimit të Palestinës. Ndërkaq, pas rënies së këtyre regjimeve, me qëllim të flakjes së të kaluarës komuniste, këto shtete dhe shoqëri hoqën dorë edhe nga një aspekt i drejtë i asaj periudhe, që ishte mbështetja për lirinë e Palestinës.
Pjesërisht, përveç zionizmit të krishterë në vetvete, urrejtja ndaj myslimanëve është shkaku përse edhe shumë amerikanë e mbështesin Izraelin. Në SHBA ka shumë polemizues të krishterë që janë të obsesionuar për të dëshmuar se sa të rrezikshëm janë myslimanët. “Shiheni çfarë thotë Kur’ani se si duhet vepruar me mosbesimtarët.”; “Myslimanëve nuk mund t’u besohet, ata kanë një doktrinë që quhet takija.”; “Myslimanët punojnë që ta sjellin Sheriatin në Amerikë” (teoria konspirative “creeping Shariah”). Pastaj vjen përqeshja cinike me përdorimin ironik të togfjalëshit “religjioni i paqes”, duke lajmëruar për ndonjë shembull të dhunës ekstremiste në emër të Islamit ose përpjekja për t’i nxirë të gjithë myslimanët si ekstremistë me përdorimin ironik të termit “mysliman i moderuar”: “shiheni çfarë thotë një nga të ashtuquajturit myslimanë të moderuar”.
Pra, është e vërtetë që urrejtja ndaj myslimanëve është burimi i mbështetjes për Izraelin në disa pjesë të botës, por ky nuk është aspekti fetar kyç i mbështetjes amerikane për Izraelin. Aspekti fetar me rolin kyç është zionizmi i krishterë.

Politikë e jashtme sipas shenjave të kijametit

Kjo është një ideologji e bazuar në interpretime të pjesëve të Biblës që janë parashikime për ngjarjet që do të ndodhin para fundit të botës. Sipas zionizmit të krishterë, parakusht për ardhjen e dytë të Jezusit është rikrijimi i Izraelit. Më 1948 ky kusht u plotësua. Por, nuk mjafton me kaq. Sipas interpretimit që ia bëjnë pasazheve Ezekiel 38-39 të Biblës, do të ndodhë një luftë epike kundër Izraelit dhe kur ky të jetë para disfatës, do të ndodhë ardhja e Mesihut – Jezusit. Në këto pasazhe përmenden disa subjekte që do ta sulmojnë Izraelin.
“1. Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2. “Bir njeriu, kthe fytyrën tënde drejt Gogut të vendit të Magogut, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit, dhe profetizo kundër tij,
3. dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Gog, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.
4. Unë do të të kthej prapa, do të vë çengela në nofullat e tua dhe do të të nxjerr me gjithë ushtrinë tënde, me kuaj dhe kalorës, të gjithë të veshur shkëlqyeshëm, një turmë e madhe me mburoja të mëdha dhe të vogla, me shpatë në dorë,
5. dhe me ta Persia, Etiopia dhe Puti, të gjithë me mburoja dhe përkrenare. (Ezekieli 38)
Shteti që parashihet në Bibël dhe i përshtatet marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare është ajo që në Bibël quhet Persia, ndërsa sot quhet Irani. Pra, duket shumë e logjikshme që Irani do ta sulmojë Izraelin “ashtu siç ka parashikuar Bibla”. Megjithatë, situata ndërlikohet te subjektet e tjera. Për shembull, në Bibël përmendet edhe Etiopia. E meqë te shteti i sotëm i Etiopisë nuk shohin ndonjë motiv ose rrethanë që ky shtet të marrë pjesë në sulmin ndaj Izraelit, rrugëdalja e zionizmit të krishterë është të thonë se në kohën kur është shkruar Bibla, me Etiopi nënkuptohej territori i asaj që sot është Sudani. Pra, shtet me shumicë myslimane dhe ka logjikë që do ta sulmonte Izraelin.
Me zgjerim të mëtejshëm të anësimit drejt konfirmimit (“confirmation bias”), ua kanë gjetur vendin edhe subjekteve të tjera që përmenden. Mesheku dhe Tubali janë Turqia ose ndoshta Mesheku është Moska. Roshi është Rusia, por njëkohësisht edhe “Gogu nga Magogu” është Rusia. Mos të harrojmë, në këtë luftë epike kundër Izraelit do të luftojnë edhe Libia me Egjiptin dhe “kombe të tjera” të paemëruara saktësisht.
E pra, ku është këtu roli i SHBA-së, ashtu që zionistët e krishterë të jenë aq të obsesionuar me Izraelin? Epo, që të vije puna te kjo luftë epike, që do të kulminojë me kthimin e Jezusit, nevojitet të plotësohet edhe një parakusht tjetër: që Izraeli të jetë i sigurt dhe i pasur (Ezekieli 38:8, dhe 38:12). Pikërisht këtu është motivi i obsesionit të shumë të krishterëve amerikanë dhe dëshirës së tyre që qeveria amerikane ta mbështesë Izraelin pa ndonjë dobi serioze për interesat kombëtare amerikane.
Zionizmi i krishterë e ka origjinën në Mbretërinë e Bashkuar dhe kur ky shtet ishte superfuqia botërore, ishte udhërrëfyes i politikës perandorake britanike që çoi te Deklarata e Balfurit, inkurajimi i vendosjes së hebrenjve gjatë Mandatit Britanik të Palestinës dhe te vetë shpallja e pavarësisë së Izraelit më 1948. Por, me ngritjen e SHBA-së si superfuqia botërore, zionizmi i krishterë ndikimin global e ka pikërisht përmes politikës së jashtme amerikane.
Zionizmi i krishterë është tipar i kishave protestante, por jo të gjithë protestantët amerikanë pajtohen me të. Më tej, në SHBA një pjesë e madhe e popullsisë janë katolikë dhe dekadave të fundit është rritur numri i atyre që s’janë krishterë fare, por janë ateistë, agnostikë ose spiritualë, por jo religjiozë.
Por, edhe nëse një politikan nuk beson në postulatet e zionizmit të krishterë, ai medoemos e ka të bëjë llogari për tërheqjen e votave dhe rrezikun që nëse nuk është mjaftueshëm pro-Izrael, rivalët e tij politikë do ta përdorin si fushatë negative kundër tij.

Kontradiktat e paprecedenta

Shembulli më i mirë për këtë është Joe Bideni. Ai është katolik i devotshëm, por fakti që Kisha Katolike nuk e ka mbështetur zionizmin e Theodor Herzlit dhe krijimin e Shtetit të Izraelit, nuk ka luajtur ndonjë rol në qëndrimet e tij skajshmërish pro-Izrael. Dhe, fakti që Vatikani e njohu Shtetin e Izraelit tek në vitin 1993, nuk ishte pengesë për Joe Bidenin që më 1986 të mbajë fjalim të zjarrtë pro mbështetjes amerikane për Izraelin, duke i thënë fjalët antologjike: “Sikur mos të kishte një Izrael, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhej ta shpiknin një Izrael.” Joe Biden është mishërim edhe i kundërargumentit ndaj atyre që thonë se mbështetja amerikane dhe, në përgjithësi, perëndimore, ndaj Izraelit, vjen nga armiqësia e tyre ndaj myslimanëve.
Nëse në Senat ka mbajtur fjalim të zjarrtë pro mbështetjes amerikane për Izraelin, Joe Bideni gjithashtu ka mbajtur fjalim të zjarrtë pro mbështetjes amerikane për Bosnjën dhe Hercegovinën gjatë agresionit serbomadh, më 1993 e ka vizituar Sarajevën nën rrethim, ndërsa sot e mbështet transformimin e BeH-së në shtet funksional, gjë që është në përputhje me aspiratat e boshnjakëve (myslimanë) dhe në kundërshtim me qëllimet e nacionalistëve serbë dhe kroatë (të krishterë), që e synojnë rrënimin e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Po ashtu, gjatë okupimit të Kosovës viteve të ’90-ta, Joe Bideni i ka mbështetur shqiptarët e Kosovës të persekutuar nga Serbia. Ndërkaq, në dekadën e parë të shekullit XXI e ka kritikuar shpikjen absurde të administratës së Bushit të njohur si “Lufta Globale ndaj Terrorit”, që dihet se ka qenë burim i vuajtjes së shumë myslimanëve nëpër botë. Ndërkaq, luftën e çeçenëve kundër Rusisë e ka quajtur luftë çlirimtare dhe e ka minimizuar rolin e terrorizmit me të cilin Moska përpiqej ta diskreditojë luftën e çeçeneve që ka synim të drejtë. Pastaj, si zv. president, Joe Bideni ishte kundër pranisë amerikane në Afganistan, ndërsa tani si president, persekutimin e myslimanëve ujgurë nga Kina e llogarit si gjenocid dhe për këtë arsye administrata Biden ka vendosur sanksione ndaj disa subjekteve kineze. Sa u përket ujgurëve, sondazhet thonë se edhe qytetarët e thjeshtë amerikanë fuqishëm solidarizohen me vuajtjen e tyre, madje shumica e amerikanëve janë për sanksione kundër Kinës mbi gjenocidin ndaj myslimanëve ujgurë edhe nëse këto sanksione janë të dëmshme për interesat ekonomike të vet Amerikës! Prandaj, urrejtja e supozuar ndaj Islamit dhe myslimanëve nuk e shpjegon mbështetjen e parezervë amerikane për Izraelin, me të cilën mbështetje ky i fundit shkakton vuajtje ekstreme tek myslimanët palestinezë.
Mbështetja e parezervë ndaj Izraelit nuk vjen as nga ndonjë dashuri e madhe ndaj hebrenjve. S’ka nevojë të përkujtohet historia shumëshekullore e Europës me hebrenjtë, e karakterizuar me getoizim, diskriminim, dëbim, e deri te shfarosja. Saktë, Europa e sotme nuk është ajo e aferës Drejfus, e as Amerika nuk është ajo e publicistikës antisemitike të Henry Fordit. Por, shumë paragjykime vazhdojnë të mbeten: hebrenjtë e kontrollojnë Hollywood-in, hebrenjtë i kontrollojnë bankat, hebrenjtë qëndrojnë pas kësaj ndodhie, hebrenjtë qëndrojnë pas asaj ndodhie… Çka është më absurde, ndonjë teori konspirative i paraqet hebrenjtë si aleatë me myslimanët! Si p.sh. teoria e gjenocidit të të bardhëve (“White gjenocide”), që në ndonjë variant thotë se hebrenjtë qëndrojnë pas imigrimit të myslimanëve me ngjyrë në Europë, ashtu që “të zëvendësohen” të bardhët e krishterë. Ndërkaq, në marshin “Unite the Right” në Charlottesville, për të cilin Donald Trumpi pat thënë se ka njerëz të mirë në mesin e tyre, një nga parullat ishte “Jews will not replace us” (“Hebrenjtë nuk do të na zëvendësojnë neve”), që e shfaq frikën konspiracionale te djathtistët amerikanë se hebrenjtë punojnë për zhdukjen e të bardhëve krishterë.
Me kalimin e dekadave, gjithsesi që te disa zionistë të krishterë është rimenduar qëndrimi negativ historik ndaj hebrenjve, tashmë duke i çmuar lartë hebrenjtë si populli i zgjedhur i Zotit. Kështu, janë themeluar edhe disa shoqata me emërtimin “Miqtë e Krishterë të Izraelit” e të ngjashme. Por, për shumicën e zionistëve të krishterë, hebrenjtë janë thjesht lojtarë të vegjël në skemën e madhe të gjërave, të qëllimit përfundimtar, që është kthimi i Jezusit.
Pikërisht këtë e ka thënë kreu i një dege lokale të Partisë Demokratike në SHBA dhe kjo i ka kushtuar me shkarkimin nga pozita. (Shih: https://americanvision.org/6370/christians-just-want-jews-slaughtered-and-converted/). Por, për shumicën dërrmuese të hebrenjve dhe Shtetit të Izraelit kjo nuk prish aspak punë përderisa zionizmi i krishterë ka pasur ndikim aq të fortë në politikën e jashtme amerikane, që e ka shndërruar SHBA-në në gardiane të ekzistimit të shtetit hebre dhe çdo vit mbi 3 miliardë dollarë të taksapaguesve amerikanë shkojnë si ndihmë për Shtetin e Izraelit pa asnjë kusht.

Izraeli si motiv i vetëposhtërimit

Mbështetja e parezervë ndaj Izraelit ka bërë që SHBA-ja jo vetëm t’i shkele parimet e veta të respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, por edhe të tolerojë fyerje dhe poshtërim, që assesi nuk do ta toleronin sikur t’u vinte nga ndonjë shtet tjetër. Për shembull, për sulmin me gabim të Izraelit ndaj luftanijes amerikane USS Liberty, ku u vranë 34 marinarë amerikane, SHBA u mjaftua vetëm me kërkimfalje zyrtare dhe dëmshpërblim financiar dhe me kaq e mbylli punën. Por, a thua do të kalonin kaq lehtë sikur një sulm në gabim me aq amerikanë të vrarë ta kishin bërë, fjala bie, aleatët turq apo sauditë të SHBA-së? Sa për krahasim, Irlandës dhe irlandezëve sot e kësaj dite u ka ngelur hatri që milicitë libaneze, të mbështetura nga Izraeli, kanë vrarë paqeruajtës irlandezë të misionit UNIFIL në Liban, ndërsa SHBA-ja dhe amerikanët shumë lehtë e gëlltitën vrasjen e 34 dhe plagosjen e 171 amerikanëve nga Izraeli.
Pastaj e kemi rastin Jonathan Pollard, i dënuar në SHBA për lëshimin e informatave sekrete ndaj Izraelit. Ky tradhtar i Amerikës u shndërrua në hero të Izraelit, nga ku erdhën apele të shpeshta për lirimin e tij. Duke qenë në burg ia dhanë shtetësinë izraelite, ndërsa pas lirimit, u shpërngul në Izrael, ku u mirëprit si hero dhe prej atje i shau Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mos më keq.
Si asnjë shtet tjetër në botë, Amerika e çmon shumë lartë jetën e një qytetari të tyre. Prandaj zyrtarët amerikanë shpesh ia përkujtojnë Serbisë që t’i sjellë para drejtësisë fajtorët e vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Kjo qasje e SHBA-së, që nuk ndalet pa kërkuar drejtësi edhe për qytetarët e saj të vdekur para shumë vitesh, meriton respekt të thellë. Por, për hir të Izraelit, Amerika e ka shkelur edhe këtë parim të vetin, duke u treguar shumë e butë kundrejt Izraelit, që e ka vrarë gazetaren amerikane Shirin abu Ahleh.
Kështu që, kur dihet se superfuqia botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e poshtërojnë veten përballë Izraelit, atëherë është shumë “i kuptueshëm” vetëposhtërimi që e bëjnë kundrejt Izraelit shtetet si Republika e Shqipërisë dhe Kosova, që janë prani e shpërfillshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qëndrimi i tyre pro Izraelit është thjesht përpjekje për vardisje ndaj Izraelit, me shpresë së mund të përfitojnë diçka nga lobi hebre në SHBA ose thjesht nga fakti se sa shumë çmohet Izraeli në SHBA. Si motive shtesë përse “si mëzi para pelës” lëshojnë deklarata pro Izraelit është kompleksi i të qenit shtete me shumicë myslimane, në veçanti te rasti i Kosovës, që shtetësinë nuk e ka të garantuar në OKB. Dhe, të qenit pro Izraelit është një nga mënyrat se si i sinjalizojnë Perëndimit që shqiptarët nuk janë si ata myslimanët e tjerë, bashkë me diplomacinë digjitale të tipit që poston foto të vajzave në festival me minifund dhe birrë në dorë, si dhe me përshkrimin që pyet se si mundet Europa ta mbajë të izoluar dhe me viza një rini të tillë.
Gjithsesi, ashtu si zyrtarët amerikanë që mbështetjen ndaj Izraelit përpiqen ta arsyetojnë përmes interesit kombëtar dhe vlerave të përbashkëta, edhe shqiptarët pro-Izrael qëndrimin e tyre përpiqen ta mbështesin në interesat e shqiptarëve. Kryesorja prej këtyre është se Palestina nuk e njeh Kosovën. Ky qëndrim i Autoritetit Kombëtar Palestinez është i turpshëm, por kjo nuk do të thotë që për shkak të shkurtpamësisë së disa zyrtarëve që nuk kanë mbajtur zgjedhje më se 15 vjet, të injorohet vuajtja e popullit të thjeshtë palestinez. Por, ata që janë entuziastët më të mëdhenj të qëndrimit pro Izrael, janë të njëjtit që mundoheshin t’i shkojnë për qejfi Izraelit gjatë periudhës 2008-2020 kur Izraeli gjithashtu nuk e njihte pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, ata që qëndrimin anti-Palestinë e arsyetojnë me mosnjohjen e Kosovës, janë të njëjtit që sytë u shkëlqejnë kur i shohin zyrtarët shqiptarë duke iu nënshtruar Papës së Vatikanit, që gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Disa të tjerë e theksojnë zhvillimin teknologjik të Izraelit dhe mundësinë që RSH dhe RKS të përfitojmë diçka prej kësaj. Por, a thua Izraeli ka teknologji më të zhvilluar se, fjala bie, Japonia, ashtu që me ngulm t’i vardisesh Izraelit deri në patetikë? Kur jemi te teknologjia, disa shqiptarë i përziejnë kabllot, duke na i përkujtuar zyrtarët hebraiko-amerikanë, që kanë luajtur rol kyç në çlirimin e Kosovës. Por, askush nuk po i mohon meritat e tyre. Brenga e shqiptarëve propalestinezë janë vuajtjet e palestinezëve të thjeshtë e jo te ajo se kryerësit kanë qëlluar të jenë hebrenj. Përkundrazi, ata shprehin shumë respekt ndaj rabinëve antizionistë dhe hebrenjve të tjerë, që distancohen nga keqbërjet e Izraelit. Dhe, te mbështetësit shqiptarë të Palestinës shpesh mund të hasen kritika për aktet e militantëve palestinezë që u kthehen palestinezëve me pasoja të shumëfishta, ndërsa mbështetësit shqiptarë të Izraelit fare nuk e përmendin okupimin disadekadësh të Palestinës dhe dhunën ekstreme që e ushtron Izraeli ndaj palestinezëve.
Përpos këtij injorimi të vuajtjes së palestinezëve, që shkojnë përtej qëndrimeve edhe të SHBA-së, që shpesh kanë bërë thirrje për disa lehtësime, mënyra tjetër se si shqiptarët i vardisen Izraelit është me shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Përsëritja si papagall nga politikanët dhe disa akademikë shqiptarë dhe vendosja e këtij fakti në shërbim të vardisjes ndaj Izraelit, mund të ketë pasur efekt negativ te Izraeli, duke i çuar të mendojnë se këta shqiptarët mundoheshkan sot të përfitojnë nga diçka që duhet të jetë thjeshtë veprim human e jo me qëllim të përfitimit diplomatik.
Në Maqedoni të Veriut me dekada ekziston thirrja “dhoma gazi për shqiptarët”, ndërsa ambasada e Izraelit asnjëherë s’i ka dënuar këto thirrje, edhe pse dhomat e gazit janë pikërisht shpikje e nazistëve për kryerje më efikase të Holokaustit! Motoja më e shpeshtë e përkujtimeve vjetore të Holokaustit është “asnjëherë tjetër”, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht bëhet thirrje për një Holokaust të ri, këtu ndaj shqiptarëve. Ndërkaq, ambasada e Izraelit hesht ndaj kësaj!
Prandaj, qëndrimi pro Izrael i shqiptarëve nuk ka sjellë asnjë dobi për ta. Përfitime ekonomike jo se jo, por as ndonjë dobi në diplomaci. Ja ku janë njohjet e Kosovës nga 5 shtetet mosnjohëse brenda BE-së, që analistët kosovarë ishin entuziastë se do të vijnë pas njohjes nga Izraeli.
Kështu që, shqiptarët e dobët e kanë një të përbashkët me superfuqinë amerikane – që e mbështesin një shtet tjetër, duke e shkelur çdo parim të vetin, çdo vlerë universale dhe pa përfitime të mëdha prej këtij qëndrimi! /revistashenja