Përurohet QKMF-ja në Mitrovicë, bashkëfinancim i Komunës me “Jetimat e Ballkanit”

Sot në Mitrovicë është përuruar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr.Nexhat Çuni”.

Kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza ka thënë se ky është një kapitull i ri për jetë më të sigurt dhe më të shëndetshme në Mitrovicë.

Ai ka thënë se kjo është një histori e suksesit, që flet shumë për përkushtimin e tij ndaj shëndetit të qytetarëve.

Hamza ka treguar se humanisti Halil Kastrati ka qenë bashkëfinancues i projektit.

“Një kapitull i ri për jetë më të sigurt dhe më të shëndetshme nisi sot në Mitrovicë. Një histori e suksesit, që flet shumë për përkushtimin tonë ndaj shëndetit të qytetarëve. Ndërtimi i objektit madhështor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” është dëshmi e suksesit që mund ta arrijmë kur bashkohemi në qëllime.

Me Halil Kastratin, mikun tim, të cilin e falënderoj shumë për bashkëfinancimin e projektit, u bashkuam për t’u kujdesur më mirë për shëndetin e qytetarëve, mirëqenien e tyre dhe për të krijuar kushte më të mira për mantelbardhët, që të mund të shpëtojnë sa më shumë jetë.Ky objekt madhështor është simbol i transformimit të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë. Sot ndodhi në Mitrovicë. Nesër do të ndodhë anekënd vendit, sepse Kosova mundet ma mire”, ka shkruar ai.