Përurohen rrugët Zhur-Dragash dhe Dragash-Brod, vlera e investimit mbi 7.7 milionë euro

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se janë përuruar rrugët Zhur-Dragash dhe Dragash-Brod.

Sipas tij gjatësia e këtyre rrugëve është 42 kilometra, me vlerë mbi 7.7 milionë euro, të zbatuara në dy lote: Zhur-Dragash dhe Dragash-Brod, raporton Telegrafi.

“Të gjithëve na kujtohet rruga e vjetër nga Zhuri në Sharr e edhe deri në Brod, që shkaktonte shumë vështirësi tek qytetarët. E tani kemi rrugën me tre korsi deri në Dragash e me infrastrukturë të mirë rregulluar. Qarkullim e qasje shumë herë më e lehtë për të gjithë qytetarët që të vizitojnë peizazhin e jashtëzakonshëm që ka kjo zonë”, ka njoftuar Aliu në rrjetet sociale.

Sipas tij në përurim kanë marrë pjesë kryeministri Albin Kurti, zv.ministrat Jeton Raka e Hysen Durmishi, shefi i kabinetit, Valon Hoti dhe bashkëpunëtorët në Sharr.