Ballina Lajmet Kosovë Përurimi i Klinikës Emergjente, Kurti: Ky investim, mirënjohje e jona për profesionalizmin...

Përurimi i Klinikës Emergjente, Kurti: Ky investim, mirënjohje e jona për profesionalizmin e stafit mjekësor

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Haxhi Avdyli, të shoqëruar nga Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, kanë marrë pjesë në përurimin e renovimeve të Klinikës Emergjente brenda QKUK-së.

Sipas komunikatës së Qeverisës, nga investimet, kostoja e të cilave arriti shumën rreth 800 mijë euro, Kurti e ka cilësuar se sot duket që nuk është e mundshme të njihet Klinika Emergjente për shkak të transformimit rrënjësor që ka përjetuar së brendshmi.

“Kemi triazhimin, hapësirën për triazhim, kemi riorganizim të sportelit, kemi nyje sanitare dhe banjot e rregulluara dhe gjithashtu rritjet e numrit të shtretërve nga 20 në 25”, ka thënë ai.

Po ashtu, në prononcimin e tij kryeministri ka shpjeguar se tashmë me renovimet e bëra, mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, falë kamerave që mundësojnë përcjelljen e operimeve në kohë reale.

“Në sallën e operimit pamë që tek ndriçimi ekzistojnë edhe kamerat, që do të thotë se operimi mund të përcjellët në kohë reale edhe nga ndonjë konzolium i mjekëve, i kirurgëve që ndodhet jashtë Qendrës Klinike Universitare, në këtë mënyrë mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, ashtu si janë ndriçimi i këndshëm e profesional me kamerën e cila e përcjellë në kohë reale operimin e pacientit apo të aksidentuarit”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Më tej, Kurti ka shtuar se pacientët në Klinikën Emergjente do t’i kenë shanset maksimale për shërim dhe për shpëtim, sepse i kemi mjekët e infermierët të përkushtuar bashkë me kushtet e dinjitetshme dhe moderne të punës.

“Ky investim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është një lloj mirënjohje e jona për profesionalizmin dhe për devotshmërinë e këtij stafi ndër shumë e shumë vite në kushte në të cilat kanë qenë kundër tyre e jo në shërbim të tyre”, ka përfunduar kryeministri, duke falënderuar personelin shëndetësor.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto investime dhe procese janë duke i kaluar jo vetëm në QKUK, por edhe me investime edhe në spitalet regjionale, edhe me përzgjedhjen e mjekut familjar që tash bëhet në mjekësinë primare, edhe me ngritjen e buxhetit për barna edhe në primare edhe në sekondar e terciare, si dhe në funksion edhe të sigurimeve shëndetësore.

Exit mobile version