Ballina Kuzhinë Përtoni të skuqni speca, atëherë provoni fërgesën me domate dhe vezë

Përtoni të skuqni speca, atëherë provoni fërgesën me domate dhe vezë

Edhe pse dita e sotme na bëri të ndihemi tamam në vjeshtë, është ende herët për t’iu futur gatesave të kësaj stine. Sot kemi përgatitur për ju një fërgesë speciale, sidomos për përtacët që nuk kanë qejf të skuqin speca dhe të bëjnë sobën me pika vaji.

Ju duhen: 4-5 domate të pjekura mirë, të qëruara dhe të grira  në kubikë, 4 vezë, 3-4 feta djathë i bardhë, vaj ulliri, kripë, sheqer, piper dhe pak gjalpë.

Në një tigan skuqim me vaj ulliri domatet deri sa të zbuten mirë. Më pas u hedhim pak kripë, sheqer dhe piper. Shtojmë sipër djathin e grirë dhe e lëmë të shkrijë. Më pas rrahim vezët dhe e shtojmë në tigan. Zjarri duhet të jetë i ulët dhe përbërësit duhen përzier gjithë kohës që mos të na bëhet si omëletë, por të dalë kremoze. Vazhdojmë me kaurdisjen deri sa shihni që veza është bërë mjaftueshëm. Ne fund i hedhim pak gjalpë dhe pjata është gati. Ju bëftë mirë!

Exit mobile version