Një dëshmitar i mbrojtur të cilit i ishte hequr veshka po dëshmon sot me video-lidhje në Rastin “Medicus”.
Një dëshmitar i mbrojtur është duke dëshmuar me video-lidhje në gjykimin e mjekëve të Klinikës “Medicus” Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.
Për shkak të kësaj dëshmie, seanca e këtij gjykimi sot është e mbyllur.
Në seancën e kaluar mjekja ligjore Carmen Barbu deklaroi se dëshmitarit të sotëm i ishte hequr veshka pa ndonjë arsye mjekësore.
Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.
Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.
Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.
Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim Rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të supremes për rigjykim./