Personat e zhdukur, ende plagë e hapur në Kosovë

Më shumë se 20 vjet pas luftës në Kosovë, mbi 1600 persona të zhdukur gjatë luftës ende nuk janë gjetur. Është një tragjedi për mijëra të afërm që kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe që ende po përballen me këtë paqartësi pas kaq shumë vitesh.

Në një njoftim për media të Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thuhet se KNKK do të vazhdojë të qëndrojë pranë tyre gjatë këtyre kohërave të vështira.

Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, shefi i misionit të KNKK-së në Kosovë, Agim Gashi, tha se “plagët e familjeve të personave të zhdukur mbeten të pashëruara. Ditë pas dite, familjet vazhdojnë të jetojnë në ankth dhe paqartësi, pa e ditur se çfarë ka ndodhur me bashkëshortët, fëmijët apo të afërmit e tyre”.

“Ne nuk kemi kursyer asnjë përpjekje për t’ua lehtësuar vuajtjet e tyre dhe do të vazhdojmë t’i shoqërojmë të gjitha përpjekjet për zbardhjen e vendndodhjes së personave të zhdukur. Familjet do të gjejnë ngushëllim vetëm pasi të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre”, tha ndër të tjera Gashi.

Sipas tij, “është obligim i yni që t’i mbështesim të gjitha nismat që për qëllim kanë zbardhjen e fatit të të gjithë personave që mbeten të pagjetur në Kosovë, pa dallim”.

Në nder të mijëra familjeve që presin ende me dëshpërim informata që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) e ka prodhuar një video pa zë për ta vënë në pah pikëllimin e familjeve si pasojë e humbjes së të dashurve të tyre.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, ish-palët në konflikt janë të detyruara që të japin informata për fatin dhe vendndodhjen e personave që janë zhdukur në territoret që kanë qenë nën kontrollin e tyre. Familjet e kanë të drejtën e patjetërsueshme që të dinë për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur.