Ballina Lajmet Përshkallëzohet situata në Bregun Perëndimor, 34 të lënduar – reagojnë liderët botërorë...

Përshkallëzohet situata në Bregun Perëndimor, 34 të lënduar – reagojnë liderët botërorë (Foto)

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Betlehem pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump që ta njohë Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, veprim ky që ka nervozuar tej mase Lindjen e Mesme.

Palestinezët kanë dalur nëpër të gjitha rrugët kryesore duke hedhur gurë dhe mjete tjera të forta në drejtim të trupave izraelite, të cilët si kundërpërgjigje kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, transmeton Telegrafi.

Deri më tani ekipet e ndihmës së shpejtë kanë dërguar në spital mbi 34 të lënduar nga të shtënat e ushtrisë izraelite me të cilët u përleshën në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, Nablus, Jenin dhe Ramallah.

Në Hebron dhe Al-Bireh, mijëra demonstrues kanë marshuar me sloganin “Jerusalemi është kryeqyteti i shtetit të Palestinës”, kanë bërë të ditur dëshmitarë të shumtë.

Kjo dhunë shpërtheu pas vendimit të parit të Shtëpisë së Bardhë për ta njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, vendim ky që ndryshoi politikën amerikane shumëvjeçare karshi kësaj zone, derisa Hamasi ka paralajmëruar se do nuk do të qëndroj duarkryq kundër Izraelit.

Frika nga eskalimi i situatës në këtë regjion, vjen pasi grupi islamist ka paralajmëruar presidentin amerikan se me këtë veprim ka hapur “portën e ferrit”, ku gazeta pro lëvizjes se Hezbollahut në Leban i ka shpallur “SHBA-ve luftë deri në vdekje”.

Ndërkaq, sot presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar presidentin Trump se po e fut Lindjen e Mesme në “unazën e zjarrtë”. Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara i kanë “hequr siguresën bombës që është gati të shpërthej në këtë rajon”.

Rusia gjithashtu ka reaguar lidhur me vendimin e Trumpit, duke thënë se kjo lëvizje do të ketë “pasoja serioze” për të cilat do të ngrit këtë çështje në KS të OKB-së. Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Johnson e ka përshkruar situatën si “me pak shpresa” derisa Franca zyrtare ka refuzuar vendimin “unilateral”. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Gjermania.

Exit mobile version