Qytetarët me origjinë turke që jetojnë në Australi, kanë zgjedhur një mënyrë paska ndryshe për të tërhequr vëmendjen kundër Islamofobisë, duke ngritur stenda në rrugët kryesore të Sidnejit me moton “Përshëndetje, unë jam musliman”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në stendat e ngritura në disa rrugë të rëndësishme të këtij qyteti, organizatorët kanë synuar të japin informacione rreth fesë Islame. Krahas ndarjes së broshurave informuese, kalimtarëve u janë shpërndarë edhe 3.500 trëndafila.
Australianët kanë treguar interes të lartë ndaj këtij aktiviteti, ndërkohë Drejtori i Komunikimit të Shoqërisë Islamike të Milli Görüş, Yusuf Özen, tha për AA se një aktivitet i ngjashëm me këtë është zhvilluar në 13 vende të botës dhe se arsyeja e organizimit të tij në Australi është thyerja e paragjykimeve ndaj muslimanëve.
“Synimi ynë është thyerja e paragjykimeve ndaj muslimanëve, shpërndarja e trëndafilave me buzëqeshje, përgjigja ndaj pyetjeve të tyre rreth Islamit dhe jo përmes medias, por komunikimi i drejtpërdrejtë”, ka thënë ai në vijim të fjalës së tij.
“Qytetarët mendojnë që shpërndajmë mesazhe pozitive”
Ndërsa Nuray Okçum thotë se qytetarët australianë e kanë pritur pozitivisht këtë aktivitet. “Mendojnë që shpërndajmë mesazhe pozitive. Gëzohen kur marrin trëndafila. Qeshin. Disa prej tyre nuk pranojnë të marrin trëndafilin, por na shprehin kënaqësinë për përfaqësimin e denjë të Islamit. Për këtë arsye jam shumë e lumtur”, thotë ajo në vazhdim.
“Shpërndarja e trëndafilave, një mendim i bukur”
Gayle Humphries, një qytetare australiane, thotë se shpërndarja e trëndafilave dhe shpjegimi i Islamit në mënyrë të drejtpërdrejtë, është një mendim i bukur. “Për mendimin tim është një veprim shumë i bukur, sepse u jep atyre mundësinë të shpjegojnë se përse shpërndajnë këto trëndafila. Në lajme shohim gjithmonë të shpjegohet një Islam i keq dhe këta njerëz mundohen të shpjegojnë një Islam i cili nuk është i tillë. Mendoj që është diçka fantastike”, thotë ajo.