Përse i dërgojmë vazhdimisht salavate Muhammedit a.s?!

Hoxhë Husamedin Abazi

“Allahu i Lartësuar i urdhëroi robërit e Tij besimtarë që të dërgojnë salavate mbi Pejgamberin e tyre ﷺ, menjëherë pasi i njoftoi se Ai vetë dhe melekët e Tij dërgojnë salavate për të. Dhe dihet mirë se salavatet nga Allahu dhe melekët e Tij mbi Pejgamberin ﷺ nuk janë një akt i vetëm dhe i mbaruar, por janë të përsëritura vazhdimisht. Për këtë arsye, Allahu i përmendi ato për të treguar nderin e tij ﷺ, vlerën dhe gradën e lartë që ka tek Ai, pastaj urdhëroi besimtarët ta bëjnë këtë.
Prandaj, për besimtarët përsëritja e salavateve është më e denjë dhe më e nevojshme, si për shkak të urdhrit hyjnor, ashtu edhe në kundërvlerë të të mirave të mëdha që i kanë ardhur umetit përmes tij ﷺ — nga mësimi, udhëzimi dhe drejtimi i tyre në rrugën e drejtë, si dhe nga begatia e tij që i ka sjellë lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Dhe është e qartë se një dobi kaq e madhe nuk mund të shpërblehet vetëm me një salavat të vetëm gjatë gjithë jetës.
Madje, edhe sikur robi të dërgonte salavate mbi të ﷺ për çdo frymëmarrje të tij, nuk do të mund ta përmbushte të drejtën e tij, dhe as të falënderonte në mënyrë të plotë Allahun për këtë begati. Prandaj, është përcaktuar që falënderimi i kësaj begatie të shprehet duke dërguar salavate sa herë që përmendet emri i tij ﷺ.
Pra, nëse Allahu dhe melekët e Tij dërgojnë salavate mbi të, atëherë edhe ju dërgoni salavate dhe selam mbi të, sepse ju jeni më të denjë për këtë, për shkak të asaj që keni përfituar nga begatia e dërgimit së tij.”
Imam Ibn Kajjim (rehimehullah) nga libri i tij: “Jelâ’ul-Efhâm” (faqe 162)

Hoxhë Husamedin Abazi