Kosova edhe pse shtet laik, liria e besimit dhe fesë është e garantuar shprehimisht në Kushtetutën e saj. Shoqëria kosovare renditet e para në Evropën Juglindore dhe e nënta në botë sa i përket tolerancës fetare. Sipas rezultateve të këtij viti, ka rezultuar që 93.49% i përkasin besimit Islam, 2.31% besimit Ortodoks, 1.75% besimit Katolik, 0.5% deklarojnë se nuk kanë fe, 1.5% nuk janë përgjigjur ndaj përkatësisë fetare dhe 0.45% deklarojnë besime të tjera.
Islami si feja më e përhapur në Kosovë, me numrin e dytë më të madh të myslimanëve si përqindje e popullsisë së saj në Evropë pas Turqisë. Shumica e popullsisë myslimane të Kosovës janë shqiptarë etnikë, pastaj turq, si dhe goranë dhe boshnjakë.
Anëtarët e Kishës Katolike Romake janë kryesisht shqiptarë, ndërsa serbët etnikë i përkasin kryesisht Kishës Ortodokse Lindore. Marrëdhëniet ndërmjet komunitetit shqiptar mysliman dhe katolik në Kosovë janë të mira; megjithatë, të dyja komunitetet kanë pak ose aspak marrëdhënie me komunitetin ortodoks serb. Në përgjithësi, shqiptarët e përkufizojnë përkatësinë e tyre etnike përmes gjuhës.
Islami në Kosovë 93.49% – nga kuantiteti në kualitet
Sfida e kalimit gradual të kësaj përqindje “nga sasia në cilësi” nënkupton konceptin se si kjo përqindje e lartë të akumulohet edhe në aspektet cilësore praktike të jetës së shoqërisë, kulturës dhe përspektivave nacionale?!.
Praktikat dhe ndikimet fetare
Popullsia myslimane në Kosovë i përmbahet praktikisht Islamit sunit, andaj të kuptuarit e ritualeve fetare nuk ndryshojnë brenda komunitetit shqiptar. Shkalla në të cilën individët praktikojnë besimin Islam, duke përfshirë lutjen, agjërimin gjatë Ramazanit dhe pjesëmarrjen në ngjarjet e komunitetit, i shton pakë më thellësisht diferencat e të dhënave numerike, sa i përket “cilësisë dhe sasisë”. Sa më mirë të jenë të informuar individët për mësimet Islame, transcendencën dhe spiritualitetin, aq më mirë do të pasqyrojnë thellësinë e angazhimit të tyre fetar edhe në praktikë.
Integrimi kulturor
Duke shikuar në retrospektivën historike dhe socio-kulturore, mund të kuptojmë më mirë se si kanë ndikuar vlerat dhe traditat islame në identitetin kulturor të popullsisë shqiptare, duke përfshirë jetën familjare, mikpritjen dhe sjelljen shoqërore. Po ashtu kjo kulturë ka ndikuar edhe në raportet ndërmjet komunitetit shumicë mysliman dhe komuniteteve të besimeve të tjera.
Kontributi në shoqëri
Roli i iniciativave dhe individëve aktivist në ofrimin e shërbimeve sociale, edukimit dhe ndihmës për ata që kanë nevojë, ka qenë gjithmonë promotor i zhvillimeve socio-ekonimike dhe kulturore në shoqëri.
Ekuilibri i traditave Islame me kërkesat e një shteti modern, laik
Besimi fetar, nuk ka dyshim se ndikon fuqishëm në krijimin e ekuilibrave stabil, duke ndihmuar individët të angazhohen në mënyrë kuptimplotë në përspektiva dinamike në jetët e tyre, si dhe të prosperojnë në të gjitha aspektet në këtë konkurencë globale. Përqendrimi në këtë rrugëtim ndihmon në kuptimin dhe zhvillimin e shoqërisë edhe në aspektin kualitativ, si dhe zhvendosjen e narrativës nga dominimi i thjeshtë numerik në ndikimin cilësor dhe dinamik të vlerave universale të besimit Islam, duke filluar nga struktura sociale, kulturore dhe shpirtërore e të gjithë individëve në Republikën e Kosovës dhe shqiptarëve kahdo që jetojnë.
Andaj, duhet të vlerësohen vlerat numerike mirëpo jo të krijohet iluzion se vetvetiu numrat garantojnë “ekuacion magjik” të së ardhmes së kësaj përkatësie?!.
Sa më e madhe vlera numerike e kësaj përkatësie aq më e madhe llogaridhënia ndaj saj!
Prof.Dr. Rrahman Ferizi