Një tragjedi ajrore ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një avion pasagjerësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për viktimat, duke thënë se është e prekur thellësisht nga kjo tragjedi, transmeton Telegrafi.
“E pikëlluar thellësisht nga rrëzimi tragjik ajror pranë Uashingtonit, D.C. Zemra ime është me familjet dhe të dashurit e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi të paimagjinueshme. Kosova qëndron pranë jush në pikëllim dhe solidaritet gjatë kësaj kohe zemërthyese”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.
Ndryshe, një operacion “shumë kompleks” kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar pasi një avion pasagjerësh u përplas me një helikopter ushtarak në Uashington DC.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aeroplani i American Airlines, me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, po ulej në “Reagan Washington National Airport” kur u përplas në ajër me fluturaken ushtarake, e cila kishte tre ushtarë në bord.
Të dy më pas u rrëzuan në lumin Potomac dhe 300 reagues po punojnë aktualisht në vendngjarje në kushte “jashtëzakonisht të vështira”, thanë zyrtarët./