Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë 7 ditë pas tërmeteve vdekjeprurëse në Mianmar

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë një javë pasi tërmetet e fuqishme shkatërruan Mianmarin qendror, duke lënë mijëra të vdekur dhe të plagosur, transmeton Anadolu.

Siç raporton “Xinhua News”, numri i të vdekurve është rritur në të paktën 3.145, me mbi 4.589 të plagosur dhe 221 ende të pagjetur.

Vendi ka regjistruar 66 pasgoditje që nga lëkundjet fillestare, me magnitudë që varionin midis 2.8 dhe 7.5 ballë.

Mandalay mbetet rajoni më i goditur, me 2.053 vdekje dhe 2.691 të plagosur. Kryeqyteti Nay Pyi Taw raportoi 511 vdekje dhe 842 të plagosur.

Në Tajlandë, të paktën 22 persona humbën jetën dhe 70 të tjerë mbeten të zhdukur pasi një rrokaqiell në ndërtim e sipër u shemb gjatë lëkundjeve.

Të premten e kaluar, dy tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 6.4 ballë goditën rajonin qendror të Mianmarit, ku jetojnë 28 milionë njerëz. Tërmetet rrafshuan ndërtesat dhe lanë komunitetet pa ushqim, ujë apo strehim.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres njoftoi planet për të dërguar një koordinator të ndihmës humanitare dhe emergjente dhe një të dërguar të posaçëm në Mianmar, duke kërkuar zgjidhje politike për konfliktin e brendshëm në vazhdim.

“Kjo zgjidhje duhet të përfshijë rrugën për kthimin e sigurt, vullnetar, dinjitoz dhe të qëndrueshëm të Rohingya-ve nga Bangladeshi”, tha Guterres në një video-mesazh.

Ai shtoi se OKB-ja “do të qëndrojë me popullin e Mianmarit në këtë kohë të vështirë”.