Përmbytjet në Spanjë, në vetëm 8 orë ra shi sa për një vit

Reshjet e dendura të shiut morën jetën e të paktën 92 personave dhe shkaktuan dëme të mëdha në rajonin e Valencias në lindje të Spanjës ndërsa autoritetet thanë se në vetëm 8 orë ra shi sa për një vit, raporton Anadolu.

Instituti Meteorologjik Shtetëror Spanjoll (AEMET) njoftoi se reshjet në rajonin e Valencias, të cilat u përshkruan si “periudha më e keqe e shekullit”, ranë në mënyrë të paprecedentë në të kaluarën.

Zyrtarët e AEMET thanë se: “Në vetëm 8 orë ra shi sa për një vit”. Autoritetet theksuan se deri në 491 litra reshje për metër katror ranë në rrethet Paiporta, Utiel dhe Chiva, të cilat pësuan më së shumti dëme.

Ka ende shumë të zhdukur në fatkeqësinë e përmbytjeve ku humbën jetën 95 persona, 92 në Valencia dhe 3 në Castile-La Mancha.

Numri më i lartë i vdekjeve ishte në lagjen Paiporta të Valencias, me 45. Banorët e këtij vendbanimi, i cili ka një popullsi prej rreth 25 mijë banorësh, thanë për mediat se “Jeta nuk është më normale për ne”.

– Prioritet u jepet përpjekjeve të kërkim-shpëtimit për të zhdukurit

Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles tha se situata është mjaft e keqe në zonat e fatkeqësisë ku punojnë njësitë ushtarake dhe shtoi se ka ende shumë viktima.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i cili vizitoi Valencian tha se situata e motit ende është shumë kritike dhe u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm.

“Prioriteti ynë është të gjejmë qytetarët tanë të zhdukur dhe për këtë e gjithë mbështetja do të ofrohet nga toka, ajri dhe deti. Përpjekjet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë pa marrë parasysh sa kohë do të zgjasë. Të gjitha burimet ekonomike të shtetit do të mobilizohen për rindërtimin e vendeve të shpallura si ‘zona të fatkeqësive’ dhe se burimet do të sigurohen edhe nga Bashkimi Evropian”, tha Sanchez.

Kreu i qeverisë autonome të Valencias, Carlos Mazon njoftoi se “250 milionë euro ndihmë monetare të menjëhershme dhe direkte” do t’u jepet viktimave.

– Janë arrestuar 39 persona që plaçkitën dyqanet

Pasi problemi i sigurisë doli në pah pas fatkeqësisë në rajon, në shumë vende u panë raste të grabitjeve. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se janë arrestuar 39 persona që tentuan të plaçkisnin dyqanet në qendrat tregtare.

Krahas sigurisë, në rajon ka edhe krizë uji dhe ushqimi. Thuhet se qytetarët krijuan radhë të gjata në shumë rrethe të Valencias për ujë të pijshëm dhe ndihma ushqimore.

Në Valencia, ku mësimi është pezulluar, shërbimet e trenave për në Madrid janë anuluar për të paktën 15 ditë, transporti është mbyllur në shumë rrugë dhe 8 spitale janë mbyllur për shkak të përmbytjeve, 77 mijë familje janë ende pa energji elektrike.

Autoritetet njoftuan se shirat e dendur dhe stuhitë ishin ende efektive në rajonet lindore dhe jugore të Spanjës, megjithëse ishin lehtësuar në krahasim me dy ditë më parë dhe këshilluan njerëzit në vendbanimet me alarme të kuqe dhe portokalli që “të mos dalin nga shtëpitë e tyre nëse nuk është e nevojshme”.

Ndërsa trupat e 7 personave u gjetën në një garazh në Valencia mëngjesin e sotëm, u tha se numri i të vdekurve, i cili ishte 95, mund të kalojë 100.