Përmbytjet janë fatkeqësitë më të fundit që ekspertët thonë se janë të lidhura me ndryshimet klimatike që kanë goditur Turqinë javët e fundit.
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet jashtëzakonisht të mëdha të shiut po shkatërrojnë bregdetin verior të Turqisë, duke shembur një urë dhe duke lënë fshatrat pa energji elektrike.
Përmbytjet të mërkurën erdhën pasi disa nga zjarret më të mëdhenj në historinë e vendit u përhapën në jugperëndim.
Transmetuesi shtetëror TRT Haber tha se një person vdiq nga një sulm në zemër në provincën veriore të Bartin mes përmbytjeve, dhe punonjësit e urgjencës po kërkonin një person tjetër që ishte zhdukur.
Trembëdhjetë persona u plagosën gjithashtu pasi ura u shemb në Bartin dhe kishte ndërprerje të energjisë në 12 fshatra, tha Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Në provincën Sinop, 240 km në lindje të Bartin, një shtëpi u shemb për shkak të përmbytjes dhe makinat mbetën të bllokuara në ujë, treguan pamjet e agjencisë së lajmeve Reuters.
AFAD tha se një spital po evakuohej dhe disa rrugë u mbyllën në Sinop, duke paralajmëruar se shira të fortë në zonë pritet të vazhdojnë.
Veriu i Turqisë është i prirur të vërshohët nga përmbytjet gjatë verës, kur shirat janë veçanërisht të fortë. Vitin e kaluar, të paktën gjashtë persona u vranë nga përmbytjet në rajon.
Përmbytjet më të fundit erdhën vetëm disa ditë pasi paneli i Kombeve të Bashkuara për klimën dha një paralajmërim të tmerrshëm se nivelet e gazrave serrë në botë ishin mjaft të larta për të garantuar çrregullimin e klimës për dekada të tëra.
Turqia, në veçanti, është përballur me një sërë fatkeqësish të lidhura me ndryshimet klimatike muajt e fundit.
Zjarret e tërbuara dogjën dhjetëra mijëra hektarë pyje përgjatë bregdetit jugor gjatë dy javëve të fundit.
Muajin e kaluar, Turqia regjistroi temperaturën e saj më të lartë që nga viti 1961 – 49.1C në qytetin juglindor të Cizrës.
Mungesa e ujit vazhdon të kërcënojë prodhimin e ushqimit dhe marrëdhëniet me fqinjët e Turqisë, të cilët tashmë po garojnë për të drejtat e ujit, veçanërisht në lumenjtë Eufrat dhe Tigër.
Situata ka shtuar presionin ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të vepruar.
Sondazhet tregojnë se ndryshimi i klimës është ndër çështjet kryesore për votuesit e rinj në vend, me shtatë milionë të rinj të tjerë të parashikuar të jenë në gjendje të votojnë deri në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për 2023.
Turqia mbetet një nga gjashtë vendet që ende nuk e ka miratuar zyrtarisht Marrëveshjen e Klimës në Paris, një traktat që kërkon të ngadalësojë shkallën e rritjes së temperaturës globale përmes angazhimeve individuale nga nënshkruesit.
Ankaraja ka argumentuar se marrëveshja e klasifikon padrejtësisht Turqinë si një vend “të zhvilluar” dhe jo “në zhvillim”, gjë që e përjashton atë nga qasja në fonde shtesë sipas traktatit /mesazhi.com