Përmbytje në Evropën Qendrore, të paktën 10 vi’ktima dhe mijëra të evakuuar

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë evakuuar për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e dendur dhe stuhitë në vendet e Evropës Qendrore si: Rumani, Austri, Poloni, Çeki, Hungari dhe Sllovaki, raporton Anadolu.

Përmbytjet që kanë ndodhur si pasojë e shirave të dendur që kanë përfshirë Evropën ditët e fundit mund të jenë “fatkeqësia më e keqe” pas fatkeqësisë që preku kontinentin në vitin 2002. Në përmbytjet që goditë lindjen e Rumanisë humbën jetën 5 persona ndërsa banorët në zonat e përmbytura u shpëtuan me varka nga ujërat me baltë.

Departamenti Rumun i Emergjencave njoftoi se për shkak të përmbytjeve në qytetet Galati dhe Vaslui rreth 5 mijë shtëpi u dëmtuan, shumë pemë u rrëzuan ndërsa janë shënuar ndërprerje në trafik.

Ministri rumun i Mjedisit, Mircea Fechet tha se kanë rënë 160 litra shi për metër katror dhe se është përjetuar ​​një fatkeqësi e rrallë në vend. “E vetmja gjë që bëjmë tani është të shpëtojmë më shumë njerëz”, tha ai.

Në Austri numri i viktimave është rritur në 3

Policia austriake njoftoi se trupat e 2 personave u gjetën në shtetin e prekur nga përmbytjet në Austrinë e Poshtme. Me vdekjen e një zjarrfikësi dje në Austrinë e Poshtme, numri i viktimave nga përmbytjet u rrit në 3.

Rreziku vazhdon të rritet pasi edhe sot priten reshje shiu në Austrinë e Poshtme, e cila është shpallur zonë fatkeqësie për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura.

Stephan Pernkopf, i cili drejton Zyrën për Kriza në Austrinë e Poshtme paralajmëroi se disa diga në këtë shtet mund të shemben për shkak të densitetit të ujit.

Ndërkohë, u vu re se më shumë se 200 rrugë dhe autostrada u mbyllën për qarkullim në rajonin ku përmbytjet janë efektive. Transmetuesi publik i vendit, ORF, ka nisur një fushatë ndihme për të prekurit nga përmbytjet.

Polonia planifikon të shpallë “fatkeqësi natyrore”

Bëhet e ditur se edhe në Poloni një person ka humbur jetën për shkak të përmbytjeve.

Kryeministri polak, Donald Tusk në një deklaratë për mediat lokale tha se ka përgatitur një njoftim për fatkeqësi për të marrë ndihmë nga Bashkimi Evropian (BE).

Zv/ministri i Brendshëm i Polonisë, Czeslaw Mroczek tha se qeveria do të shpallë situatën e “fatkeqësisë natyrore”.

Në një deklaratë nga llogaria X e Kryqit të Kuq të Polonisë paralajmërohet se situata mund të përkeqësohet edhe më tej.

Shiu i dendur i cili zgjati rreth 48 orë në qytetin Krakov të Polonisë, shkaktoi vërshimin e lumit Vistula. Me vërshimin e lumit ekipet e policisë morën masa sigurie në rajon dhe mbyllën rrugët për qarkullim.

Një person humbi jetën nga përmbytjet në Çeki

Shefi i policisë çeke, Martin Vondrasek në deklaratën për mediat tha se një person ka humbur jetën dhe 7 të tjerë janë zhdukur në përmbytjet që kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të mëdha në vend.

Për shkak të përmbytjeve janë anuluar shumica e shërbimeve të trenave, veçanërisht ndërmjet Austrisë dhe Çekisë.

Presidenti çek Petr Pavel, në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale tha se përmbytjet në vend ndihen shumë më tepër në rajonet me nivele të ulëta të ardhurash dhe bëri thirrje për solidaritet për këto rajone.

Shiu i dendur shkaktoi përmbytje në Jesenik në rajonin Olomouc të Çekisë. Më shumë se 10.500 njerëz janë evakuuar për shkak të përmbytjeve në shumë rajone në të gjithë vendin.

Paralajmërim për përmbytje të shkallës së tretë në Hungari

Për shkak të reshjeve, janë vënë re rritje serioze në nivelin e ujit të lumit Danub i cili kalon nga Budapesti, kryeqyteti i Hungarisë.

Në rajon është lëshuar paralajmërim për përmbytje të shkallës së tretë për shkak të nivelit të ujit gjithnjë një rritje në lumin Danub.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili vizitoi rajonin ku është rritur niveli i ujit në lumë, tha se “Do të jetë e vështirë, por do ta kapërcejmë situatën”.

Rriten nivelet e ujit në lumenjtë në Sllovaki

Si pasojë e reshjeve që vazhdojnë në Sllovaki, janë shënuar rritje serioze në nivelet e ujit në lumenjtë në të gjithë vendin.

Në lajmet në mediat e vendit thuhet se për shkak të përmbytjeve ka patur ndërprerje të transportit dhe anulime të udhëtimeve me tramvaj në kryeqytetin Bratislava.

Zyrtarët kanë paralajmëruar popullatën të mos qëndrojë pranë lumit.

Në deklaratat e bëra nga drejtoritë meteorologjike të vendeve, thuhet se reshjet do të vazhdojnë efektin e tyre edhe në ditët në vijim.