Të paktën 312 njerëz e kanë humbur jetën në përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës që e goditën kryeqytetin e Sierra Leones, Fritaun, kumtoi sot një përfaqësues i zyres lokale të Kryqit të Kuq.
Ai shtoi se ky nuk është bilanci i fundit i viktimave dhe se është e mundur që numri i viktimave të rritet edhe më shumë.
Paraprakisht, përfaqësuesi i spitalit kryesor “Konot” në Fritaun, Mohamed Sineh deklaroi se deri tani në këtë institucion janë dërguar trupat e mbi 200 viktimave.
Ndërkaq, nënpresidenti i shtetit Viktor Foha, deklaroi se me siguri qindra njerëz e kanë humbur jetën në rrëshqitje të tokës në paralagje të Fritaunit.
Për herë të fundit përmbytje katastrofike në këtë vend ka pasur para dy viteve, kur pas të reshurave të mëdha jetën e kanë humbur dhjetëra persona.