Sërish përmbytet një varkë me refugjat gjatë rrugëtimit nga brigjet e Libisë drejt Italisë përmes Mesdheut, dyshohet për 100 të vdekur.
Sipas Rojes Bregdetare italiane, e cila po zhvillon kërkimet, 8 trupa janë rikuperuar nga ujërat e detit Mesdhe, ndërsa 4 persona janë shpëtuar të gjallë.
Varka është mbytur mes Libisë dhe Italisë, vetëm 30 milje larg brigjeve të shtetit afrikan, ndërkohë që errësira i vështirësoi përpjekjet për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave.
Në kërkime janë përfshirë një anije detare franceze, dy anije tregtare, teksa ka edhe mbështetje nga ajri. Ende nuk është bërë e ditur kombësia e emigrantëve të përfshirë në tragjedinë më të fundit detare. Të premten, Roja Bregdetare italiane shpëtoi rreth 550 emigrantë që udhëtonin sërish përmes Mesdheut.
Më shumë se 1.000 persona kanë mbërritur në Europë përmes detit në dy javët e para të vitit 2017, bën të ditur agjencia e OKB-së për refugjatët “UNHCR”.