Sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas njëmbëdhjetorësh bisedime është përmbyllur marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e automjeteve në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
“Ministrja Edita Tahiri, njëherit Kryenegociatore në Dialogun e Brukselit, deklaroi se me këtë marrëveshje është vendosur parimi i reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve, që do të thotë se çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës.
Siç ka deklaruar ministrja Tahiri kjo marrëveshje ishte arritur javën e kaluar dhe sot është rikonfirmuar edhe në dokumentin e shkruar të marrëveshjes. Ajo vlerësoj se parimi i reciprocitetit në këtë marrëveshje dëshmon se marrëdhëniet fqinjësore në mes të dyja shteteve mund dhe duhet të përparojnë në frymën e reciprocitetit dhe gatishmërisë për normalizim sipas parimeve euro-atlantike”, thuhet në njoftimin për media.
Më tej në njoftim është theksuar se me këtë marrëveshje i jepet fund tabelave ilegale të automjeteve të cilat aty-këtu kanë qarkulluar në pjesën veriore të vendit tonë dhe ky proces do të realizohet në afatin e paraparë me këtë marrëveshje.
“Ministrja Edita Tahiri vlerësoi se heqja e tabelave ilegale nga qarkullimi është në funksion të sundimit të ligjit në këtë fushë si dhe i kontribuon integrimit të plotë të qytetarëve të komunitetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës. Kjo marrëveshje finalizon zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë që është arritur në vitin 2011 në Bruksel.
Marrëveshja konfirmon nisjen e punës së zyrave të gjendjes civile dhe të Agjencisë për Regjistrim Civil në katër komunat veriore që do të realizohet në nëntor 2016. Këto zyra do të pajisin qytetarët e asaj pjese me dokumentet shtetërore dhe të gjendjes civile të Republikës së Kosovës, duke mundësuar që të konsolidohet ky aspekt i sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës në veri të vendit të munguar që nga fundi i luftës”, thuhet në njoftim.
Tahiri theksoi se arritja e kësaj marrëveshje dhe zbatimi i saj janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe me këtë rast ajo falënderoj Bashkimin Evropian për angazhimet për ndërmjetësimin e kësaj marrëveshje.