Përkujtohen masakrat greke ndaj popullsisë çame

Nën organizimin e shoqatës Çamëria në Kosovë, është mbajtur akademi përkujtimore në 73-vjetorin e masakrave greke ndaj popullsisë çame. Po ashtu, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare është hapur ekspozita me dhjetëra fotografi që dëshmojnë për masakrat greke në Çamëri.

Nexhmi Muçiqi kryetari i shoqatës “Çamëria” pati një porosi për historianët kudo që janë, raporton Ekonomia Online.

“Ju zotëri të shpejtoni me historinë, sepse çështjen kombëtare ne jemi të vendosur ta përfundojmë”, tha ai.

Kryetari i shoqatës “Çamëria” në Shqipëri, Abaz Hado, tha se ndjehet shumë i emocionuar që sot ndodhet në këtë përkujtim.

“Është me rëndësi të madhe si gjenocidi popullit çam të përkujtohet vazhdimisht, sepse luftën mund ta fitojmë vetëm duke i evidentuar gjithçka popullit shqiptar”, tha Hado.

Ai tha se shqiptarët bëjnë një gabim kur gjithçka që i ndodh shqiptarëve e trajtojnë si të ndarë.

“Lufta fitohet vetëm atëherë kur gjithçka që i ndodh shqiptarëve të reagojnë si një i vetëm… Unë vazhdimisht këmbënguli që të kemi botime serioze”, tha Hado

Ai tha se gjenocidi që iu bë popullit çam është bërë për ta spastruar popullin shqiptar nga trojet e veta.

Ndërsa, sekretari i shoqatës Mustafa Adili tha se është obligim kombëtar që të përkujtohet ky akt i gjenocidit helen ndaj popullit çam.

“73 vjet më parë grekët masakruan afro 6 000 çamë ku afro 3 000 të tjerë janë dëbuar nga trevat e tyre”.