Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Përkujtime të ndara për viktimat e Srebrenicës

Përkujtime të ndara për viktimat e Srebrenicës

Asambleja Komunale e Srebrenicës mbajti të shtunën një sesion përkujtimor kushtuar viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, pa praninë e këshilltarëve boshnjakë.

Këshilltarët boshnjakë thanë se nuk marrin pjesë për shkak të një rezolute të miratuar së voni, për vuajtjet e serbëve në shekullin 20.

Ata u bënë homazhe viktimave të Srebrenicës në qendrën përkujtimore në Potoçari.

Asambleja Komunale e Srebrenicës miratoi më 2 korrik një rezolutë për vuajtjet dhe krimet kundër popullit serb të Srebrenicës, në shekullin 20.

Ky institucion legjislativ nuk ka miratuar kurrë rezolutë për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.

Atëbotë, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

Sot, kur edhe shënohet përvjetori i 26-të i masakrës, në Potoçari do të varrosen eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit.

Viktima më e re që do të varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra.

Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

Eshtrat e 435 të miturve të vrarë në gjenocid janë varrosur në Qendrën Përkujtimore në Potoçari.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq. /rel

Exit mobile version