Përkthimi i Kuranit (me koment) nga gjuha arabe në gjuhët e tjera ka lindur si nevojë e popujve myslimanë, të cilët nuk e kanë arabishten gjuhën e tyre të nënës. Ky fakt evidentohet që në kohën e Profetit Muhamed (a.s.) ku Selman el-Farisi, me lejen e tij, kishte përkthyer suren Fatiha në gjuhën perse. Edhe më vonë vijojnë përkthimet e Kuranit Famëlartë në gjuhë të ndryshme për të kuptuar mesazhin dhe urdhrat e Allahut.
Në gjuhën shqipe përkthimet e para të sureve dhe ajete të Kuranit janë bërë nga intelektuali dhe poeti i madh i letrave shqipe, Naim Frashëri në librin e tij me titull “Thelb’ i Kur’anit”, që është botuar në veprën e tij “Mesime” në vitin 1894, në Bukuresht.
Përkthyes i disa pjesëve të Kuranit në gjuhën shqipe më 1921 është edhe Ilo M. Qafëzezi, i cili merr për bazë përkthimin e Kuranit në gjuhën angleze të autorit Georg Sale.
Më vonë bëhen përkthime të pjesshme të Kuranit nga H. Ali Korça. Në kompletin e botuar nga shtëpia botuese Logos-A janë mbledhur në një libër përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe. Në shënimet dhe studimet për biografinë e H. Aliut thuhet se ka bërë komentimin e gjithë Kuranit, por fatkeqësisht ato nuk i mbijetuan regjimit komunist.
Në këtë fushë shquhet dhe H. Ibrahim Dalliu, si me përkthimin e disa sureve në gjuhën shqipe, po ashtu edhe me komentimin, të cilin e ka titulluar “Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit”, vepër e botuar në vitin 1929.
Disa pjesë të Kuranit në gjuhën shqipe janë përkthyer edhe nga H. Abdulla Zemblaku, Ferit Vokopola etj.
Përkthimi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe njihet ai i akademikut kosovar Feti Mehdiu, në vitin 1984. Ky përkthim botohet në vitin 1985 nga Bashkësia Islame e Kosovës me titullin “Kur’an-i”, i cili ka 878 faqe.
Tre vite më vonë pason përkthimi i Hasan Nahit dhe po në të njëjtin vit përkthimi i Sherif Ahmetit. Ky i fundit mban titullin “Kur’an-i, përkthim me komentim në gjuhën shqipe”, i botuar në vitin 1988 nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës dhe është përkthimi më i përhapur i Kuranit në gjuhën shqipe. Më pas do të pasonin përkthime të tjera të Kuranit në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm.
Por, a është me të vërtetë Feti Mehdiu përkthyesi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe?
Nëse jo, kush e ka përkthyer për herë të parë Librin e Zotit në gjuhën shqipe?
Nga faktet që ne disponojmë del se, nuk është Feti Mehdiu përkthyesi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe, por Muharrem Blakçori, një patriot shqiptar nga Peja që ka banuar në Kavajë.
Përkthimi i tij i Kuranit është bërë në vitin 1968 gjatë periudhës së regjimit komunist, rreth 16 vjet para përkthimit të Feti Mehdiut. Ky përkthim për shumë arsye nuk ka mundur të gjejë dritën e botimit dhe është ende në dorëshkrim, i ruajtur me fanatizëm nga nipi i tij, Xhevdet Blakçori.
Po kush është Muharrem Blakçori?
Muharrem Blakçori lindi në Pejë në vitin 1894 në një familje zejtare, që merrej me prodhimin e armëve. Mësoi herët të lexojë e shkruajë gjuhën shqipe dhe u shqua për zellin në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në shtëpitë e bashkëqytetarëve. Ndoqi dy vjet studime në një medrese në Pejë ku mësoi gjuhën arabe, turke dhe perse. Më pas me vullnet të fortë arriti t’i perfeksiononte këto gjuhë.
U përndoq nga pushtuesit serbë dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit të egër kapërcen kufirin dhe vjen në Shqipëri. Emërohet mësues në Shijak e më pas në Kavajë, ku merr pjesë aktive në Shoqërinë “Bashkimi” duke dhënë ndihmesën e vet në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924.
Në fillim të dhjetorit 1924 niset nga Qeveria e Nolit në zonën e Gjirokastrës për të propaganduar rrezikun e rikthimit të Zogut e për të nxjerrë vullnetarë në mbrojtje të Qeverisë së Nolit.
Me rikthimin e Zogut pushohet nga puna, dënohet me vdekje, por me ndërhyrjen e miqve internohet në Skrapar. Atje punon më shumë se dy vjet dhe kthehet në Kavajë.
Në vitin 1941 shkon në vendlindjen e vet në Pejë dhe hap të parën shkollë shqipe.
Në vitet 1960-1968 ndërmori përkthimin Kuranit e “Historisë islame”, “Akaidi dhe fiku”, Fjalor arabisht-shqip”(rreth 2000 fjalë), vepra të cilat ua la dorëshkrim trashëgimtarëve të vet. Ndërroi jetë në vitin 1968 i pezmatuar për ndalimin e fesë.
Përkthimi i Kuranit dhe veçoritë e tij
Muharrem Blakçori parandiente ndalimin e fesë dhe riteve fetare prandaj vendos të përkthejë Kuranin në gjuhën shqipe dhe përgatitjen e librave fetarë për fëmijët dhe nipërit e tij. Kur e mbaron përkthimin mbas një pune të lodhshme nga viti 1960 deri në 1968 u thotë fëmijëve dhe nipërve se ky është përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe dhe fenë e Allahut mund ta mësojnë nga këta libra.
Përkthimi është i përbërë nga katër fletore të mëdha, që të gjitha në dorëshkrim. Fletorja e parë ka 190 faqe, e dyta 730 faqe, e treta 921 faqe dhe e katërta 1168 faqe. Gjithsej 3019 faqe.
Të gjitha suret e Kuranit janë të përkthyera sipas radhës, nga ‘Fatiha’-ja deri tek sureja ‘Nas’ dhe të ndara në xhuze. Fillimisht ai jep një shpjegim në lidhje me shkronjat e Kuranit duke i ilustruar me figura. Në këto ilustrime tregon se cilat janë shkronjat arabe, nga dalin dhe si shqiptohen. Më pas fillon me xhuzin e parë të Kuranit.
Çdo sure e fillon me emrin e saj në arabisht dhe shkronja latine. Më pas jep informacione për çdo sure, sa ajete përmban, në ç’vend është zbritur (Mekë-Medinë) dhe shkakun e zbritjes nëse ka. Pastaj ajetin/et e shkruan në arabisht, më pas shqiptimin me shkronja latine dhe në fund përkthimin.
Formë të ngjashme e gjejmë edhe në tefsirin e Hoxhe Ibrahim Dalliut ku autori e ka marrë për bazë. Mirëpo përveç formës, nuk ka marrë gjë tjetër nga ky tefsir. Ajetet janë të gjitha përkthimi i vetë autorit.
Këtë e vërejmë nga krahasimi midis ajeteve të përkthyera nga Hoxhe Ibrahim Dalliu, por edhe në stilin që e shoqëron përgjatë gjithë përkthimit. Hoxhe Ibrahim Dalliu e ndan përkthimin nga komentimi dhe është më preciz në përkthimin e tij duke u munduar t’i mbetet besnik tekstit. Ndërsa veçoria e përkthimit të autorit tonë, është se nuk është thjesht përkthim, por në të njëjtën kohë edhe komentim.
Një element tjetër i rëndësishëm i këtij përkthimi është dhe gjuha shumë e pasur dhe fjalori i pastër që ka përdorur. Ky fakt tregon se sa mirë e zotëronte gjuhën arabe, gjuhën amtare dhe njohuritë e gjera në fushën e fesë dhe komentimit të Kuranit. Një person që e lexon këtë përkthim është në gjendje të kuptojë se për çfarë bën fjalë ajeti/et. Kjo falë përkthimit të pasur me komentime brenda ajetit, herë pas here në veçanti edhe pas ajetit.
Për ta zbukuruar, ilustruar dhe treguar më mirë se kujt i drejtohet ajeti kuranor e fillon me fjalët “O i Madhënueshmi Perëndi!” apo “O i Dashtuni Muhammed!”. Kjo lloj forme përdorimi ka mjaft vlera artistike, letrare por edhe fetare. Lexuesi nuk futet në monotoni dhe nuk mërzitet, por e shijon më tepër përkthimin.
Le të japim disa shembuj nga përkthimet e autorit për të dëshmuar më mirë punën e tij vlerashumë. O Zot! Më ruaj prej shejtanit (djallit) të mallkuem që asht i ndeshkuëm!
Po filloj me emnin e mëshiruesit Perëndi që mëshiron. I qoft shumë shyqyr e falenderime Zotit të Madhënueshëm i cili ka kriue të gjithë botnat (gjithësine) e jau jep ushqimin të gjitha krijesave kudo që të jenë në dynja edhe ne ahiret, dhe asht meshiruës i madh, dhe pronar i gjithësise edhe gjykates absolut i ditës së kijametit! O i Madhënueshmi Perëndi! Ty po të lutemi e po baj ibadet e adhurim, se veç teje nuk ka tjetër që meriton falje, lutje e adhurim. Pra ty po të lutemi o i Madhenueshmi Perëndi: na drejto e na shpje në rrugën e drejtë, në at rrugë që ja ke mësue të dashtunit tand H. Muhammedit a.s. me të cilën ai ka ftue njerzinë, në rrugën që ka shumë niëmete e mirësi të mëdha. O Zot! Mos na le në rrugën e të humbur të errësinës, por na ndritço e na ço në rrugën e të dashtunve tu, të njerzve të mirë.
O i dashur! Thuaj atyre që dëshirojnë me e mësue qyshqënjen e Madhënise s’ime.
I Madhi Zot është një, veç tij nuk ka tjetër që meriton adhurim “ti bahet ibadet”, Zoti është kriuesi i gjithësisë, është veliniëmet “tytor” i gjithë kriesave. Ai jau siguron rrizkun “ushqimin”.
Është gabim me atribue Zotit lindje, është qyfyr i madh. Madhënija e Zotit as nuk ka le, as nuk lind, përherë ka qenë dhe ka me qenë. Zoti është mynezzeh “i çueshem” prej çdo çilësie të kriesave. Shkurt Zoti është i adhuruemi apsolut që si afrohet, as nuk i ngjan kurrgja Madhënisës’tij. Nuk ka shembullues e urdhnuës.
Duke parë vështirësitë në të cilën po kalonte feja në periudhën kur autori jetoi, ai parandjeu mbylljen e saj. Kjo e shtyu Muharrem Blakçorin të bënte përkthimin e Kuranit dhe përgatitjen e librave të tjerë fetarë.
Ai me këtë akt po i paraprinte fatkeqësisë së madhe që do kaplonte kombin, ndriçimin e tij me dritën e Kuranit. Puna kolosale e autorit nuk ka vetëm vlerën e përkthimit, por edhe të komentimit të Kuranit.
Prandaj duhet të ndreqim edhe faktin historik se nuk është Feti Mehdiu përkthyesi i parë i Kuranit nga arabishtja në gjuhën shqipe, por Muharrem Blakçori, një patriot me orgjinë nga Kosova. Me këtë shkrim nuk dua t’i heq ndonjë meritë akademikut kosovar për punën e tij të vyer, por t’i japim hakun që i takon mësues Muharremit, që për shumë kohë dhe arsye mbeti në harresë deri më sot. Duke shpresuar të marrë vendin dhe vlerat që i takojnë për punën e tij të çmuar, lusim Allahun t’ia shpërblejë me Xhenet!
Ledian Cikalleshi /Drita Islame/