Shkarkimi i anijes së parë që mbërriti në brigjet e Rripit të Gazës së rrethuar një ditë më parë ka përfunduar.
“Varkat e vogla filluan të shkarkojnë ngarkesën e anijes të premten dhe ta transportojnë atë drejt bregut të qytetit Gaza. Operacionet e shkarkimit përfunduan të shtunën në mëngjes”, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu.
‘The Open Arms’ tërhoqi një maune që mbante 200 tonë ushqime të dhuruara nga shoqata bamirëse ‘World Central Kitchen’ me bazë në SHBA.
Anija u nis nga porti Larnaca i administratës së Qipros Greke dhe mbërriti në brigjet e Gazës të premten.
Misioni i ndihmës, i quajtur Operacioni Safeena, synon të përurojë një korridor detar të ndihmës, të propozuar nga administrata e Qipros Greke dhe të mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE).
Izraeli filloi luftën e tij në Gaza pas inkursionit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023. Që atëherë, sulmet izraelite kanë vrarë afër 31.500 palestinezë dhe e ka çuar territorin palestinez në prag të urisë, përveç që ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe zhvendosje.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
SHBA-ja gjithashtu ka njoftuar ndërtimin e një doku të përkohshëm në vijën bregdetare të Gazës për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare në shkallë të gjerë.