Përfundon seanca, të mërkurën takimi konsultativ

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci përfundoi seancën pas debatit të deputetëve për gjendjen aktuale në vend, ndërsa njoftoi se të mërkurën në ora 10:00 do të mbahet edhe një takim konsultativ në përpjekje për t’i dhënë një rast PAN-it të kthehet në Kuvend.

Mikullovci ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare të marrin pjesë në takimin konsultativ të së mërkurës për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve, e që do të jetë takimi i fundit i tillë konsultativ.

Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm deputetët e koalicionit PAN dhe minoritetet.

Deputetët e PAN injoruan seancën e sodit me arsyetimin se nuk janë konsultuar për këtë seancë, por deputetët e Vetëvendosjes dhe LAA-së theksuan se me këtë PAN po blen vetëm kohë pasi nuk i ka numrat për formimin e institucioneve.