Përfundon seanca ndaj të dyshuarit për sulmin në Varagë, flet avokati

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca ndaj Jovan Viqentiveviqit, që dyshohet se ka qenë i përfshirë në sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë.

Avokati i tij, Nebojsha Vllajiq, ka thënë se ende s’është marrë ndonjë vendim dhe se nuk janë paraqitur argumente të mjaftueshme për t’iu caktuar masa e paraburgimit.

Ai ka thënë se armatimi që i është gjetur në shtëpinë e tij s’ka të bëjë me sulmin e 29 nëntorit dhe se klienti i tij nuk ka qenë afër kur ka ndodhë shpërthimi.

“Ne kemi kerku lirimin dhe nuk ka të bëjë asgjë me aramtimin të cilin e kanë gjetë Policia e Kosoves”, tha ai.

I dyshuari Jovan Viqentiveviq është i vëllai i Dragisha Viqetnijeviqit të cilit iu caktua paraburgimi të dielën.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të hënën ka njoftuar se për sulmin e 29 nëntorit janë arrestuar 10 persona.

Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt.