Sali Berisha e ka shpallur të mbyllur për sot protestën para selisë së Partisë Demokratike. Megjithatë ai ka paralajmëruar se përpjekjet e tij dhe të përkrahësve për të marrë nën udhëheqje PD-në s’do të ndalen.
Ka akuzuar pushtetin dhe Lulzim Bashën për “sulme si bisha ndaj protestuesve”.
Tashmë forcat policore kanë rrethuar selinë e PD-së. Përplasja e përkrahësve të Berishës me Policinë u përcoll me gaz lotsjellës e disa arrestime.
Berisha: Demonstratat do të vazhdojnë
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas ndërhyrjes së policisë në selinë e kësaj partie, ku kanë arritur të largojnë protestuesit, ka thënë se protesta do të vazhdojë.
Në një deklaratë para gazetarëve, Berisha tha se demonstratat do të vazhdojnë deri në realizimin e asaj për çka janë sot këtu.
“Protesta do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit. Protestuesit u larguan nga policia e Edi Ramës”, ka thënë Berisha.
I pyetur për gjendjen e tij shëndetësore pas gazit lotsjellës të përdorur, Berisha tha “gjendja ime shëndetësore është e shkëlqyer”.
Teksa, u deklarua për një kallëzim penal të mundshëm ndaj Bashës, pasi ky i fundit e ka bërë të njëjtën për të, Berisha tha se nuk ka ku ta denoncojë, pas ndërhyrjes së sotme të policisë.
Objektivi i protestuesve që kanë dalë sot me thirrje nga vetë Berisha, ishte që të hapen dyert e selisë së Partisë Demokratike. /koha