Përfundon pa rezultate takimi Kosovë-Serbi në Bruskel, qeveria flet për temat që u diskutuan

Qeveria e Kosovës ka treguar se çka është diskutuar sot në takimin në nivel ekspertësh me Serbinë në Bruksel.

Me anë të një komunikate për media, qeveria e Kosovës ka thënë se temë diskutimi kanë qenë çështjet e pretendimeve financiare dhe pronës mes dy vendeve, shkruan lajmi.net.

“Me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka zhvilluar sot në Bruksel, takimin e radhës me delegacionin e Serbisë. Temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Qeveria po ashtu ka thënë se në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin.

Përkundër diskutimit të gjatë për këto tema, qeveria bën të ditur se ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve.

Por megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës.