Kanë përfunduar evakuimet e ndërsjella në Halepin lindor që ndodhet nën rrethimin e forcave të regjimit të Bashar Asadit dhe terroristëve të huaj mbështetës të regjimit dhe nga rajonet Fua dhe Kefreja që ndodhen nën kontrollin e opozitarëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të gazetarit të AA-së në rajonin e evakuimit mësohet se së fundmi nga lindja e Halepit ka dalë autokolona e fundit e evakuimit e përbërë nga 5 autobusë dhe 30 automjete që kanë transportuar më së shumti opozitarët e armatosur. Autokolona me afërsisht 1 mijë persona e cila është nisur nga pika e kontrollit të regjimit në Ramuse, është drejtuar në rajonin Rashidin nën kontrollin e opozitarëve në perëndim të Halepit.
Gjatë ditës së sotme nga Halepi me autokolonën prej 10 autobusëve dhe 420 automjeteve private janë evakuuar afërsisht 3 mijë e 500 persona.
Përkundër kësaj edhe afërsisht 250 persona nga rajonet Fua dhe Kefreja që ndodhen nën rrethimin e opozitarëve në qytetin Idlib, kanë mbërritur në rajonet nën kontrollin e regjimit në perëndim të Halepit.
Me daljen edhe të opozitarëve nga lindja e Halepit, theksohet se qendra e qytetit Halep ka hyrë plotësisht nën kontrollin e ushtrisë së Asadit dhe grupeve të huaja terroriste mbështetës të regjimit.
Që nga fillimi i evakuimeve më 15 dhjetor rreth 45 mijë civilë dhe opozitarë kanë dalë nga Halepi me qindra autobusë dhe mijëra automjete civile. Ndërsa nga rajonet Fua dhe Kefreja që kontrollohen nga grupet terroriste të huaja mbështetës të regjimit janë evakuuar gjithsej 2 mijë persona.
Do të vazhdojë evakuimi
Sipas dakordësimit të armëpushimit dhe të evakuimit të realizuar nën udhëheqjen e Turqisë me Rusinë me plotësimin e procesit në Halepin lindor, do të nisin daljet nga rajonet Madaya dhe Zebadani që ndodhen nën rrethimin e forcave të regjimit në Damask, ku parashikohet që nga dy rajonet të transportohen në Idlib 1.500 persona. Rajonet Madaya dhe Zebadani ishin më parë në rendin e ditës për shkak të vdekjeve nga uria.
Autokolona e parë që evakuoi civilët dhe opozitarët nga Halepi lindor u nis për herë të parë më 15 dhjetor. Civilët dhe luftëtarët opozitarë të larguar nga rajoni u transportuan në rajonin Idlib nën kontrollin e opozitarëve në kufi me Turqinë i cili ndodhet përballë me qytetin Hatay të Turqisë.
Grupet terroriste mbështetëse të regjimit nën komandën e gjeneralit iranian Sejid Xhevad, të enjten dhe të premten e kaluar sulmuan autokolonën e evakuimit që lëvizte nga Halepi lindor drejt rajonit të regjimit ku si pasojë vranë 18 civilë. Grupet të cilat kryejnë krime lufte dhe që kanë kundërshtuar që në fillim armëpushimin dhe evakuimet kishin pretenduar kushtin që të lejoheshin edhe evakuimet nga rajonet Fua dhe Kefreja.