Kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, me nga një letër iu adresuan veteranëve të luftës, duke u thënë se janë ata që duhet t’i pastrojnë listat e veteranëve nga falsifikatorët.
Por, të dy këta bashkëluftëtarë, sipas nënkryetarit të OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj, po e largojnë përgjegjësinë nga vetja me këto adresime, raporton Klan Kosova.
“Fajin kryesor në këto manipulime mendoj që e ka politika, sepse kanë dashur të bëjnë vota për ta”, tha ai.
Ndërsa, ish Komandanti i Zonës së Nerodimes dhe anëtari i Komisionit qeveritar, Shukri Buja, tha se vetë aprovuesit e Ligjit për Veteranët janë ata që kanë përcaktuar kriteret për dhënien e statusit, apo heqjen nga lista.