Ballina Autorë Opinione Përfaqësuesit e letërsisë shqipe postkomuniste

Përfaqësuesit e letërsisë shqipe postkomuniste

Roland Qafoku

Të lirë, të pavarur nga njëri-tjetri, pa asnjë organizim dhe pas asnjë kufizim, pas vitit 1990-të në Shqipëri spikat krijimtaria e një grupi shkrimtarësh dhe poetësh që krijuan letërsinë postkomunoste ose letërsinë e tranzicionit. Nga Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçka, Mira Meksi, Ani Wilms, Visar Zhiti, Bashkim Hoxha, Agron Tufa, e deri te Ben Blushi. Karakteristikat dhe dallimet e secilit të një grupi që po “lufton” me letërsinë e brezit paraardhës.

Roland QAFOKU, Tiranë

Ka një perceptim të gabuar për letërsinë në Shqipëri. Me ndarjen nga jeta të korifenjve të letrave shqipe, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e të tjerë, letërsia shqipe duket sikur prej kohësh ka marrë pushime të gjata. Edhe pse në pleqëri të thellë, edhe nuk kishin fare krijimtari, emrat e tyre vijonin të ishin pesha të rënda edhe në letërsinë e re. Krijimtaria dhe fama e tyre dukej sikur u kishte zënë rrugën më të rinjve. Ishin po ata që ishin të shfaqur nëpër antologji, ishin ata që ishin në media dhe ishin ata nëpër studimet shkencore dhe më gjerë. Por, në realitet nuk është fare kështu. Çuditërisht, në letërsinë shqipe u krijua një grupim i ri letrarësh. Pa asnjë lloj marrëveshje me njëri-tjetrin, të pavarur nga njëri-tjetri, pa asnjë organizim, pa komunikim, madje me xhelozi dhe përplasje mes tyre, prej vitit 1990 ata dalëngadalë krijuan një letërsi tipike dhe identitare. Mund ta quash letërsia shqipe postkomuniste. Mund ta quash letërsia e tranzicionit. Mund ta quash letërsia e një epoke të lirë dhe pa kufizime ideologjike. Kjo nuk ka fare rëndësi. Për këtë lloj krijimtarie rëndësi ka që për 34 vjet kemi një letërsi të kultivuar në liri që ka karakteristikat e saj, veçoritë e saj dhe që vazhdon ende atje ku e kanë lënë paraardhësit. Janë një takëm përfaqësuesit më tipikë të kësaj letërsie që kanë shfaqur vlerë dhe cilësi. T’i marrim me radhë disa prej tyre:

FATOS KONGOLI është një shkrimtar që kritika franceze e quajti K-ja tjetër pas Kadaresë. Një matematikan dhe redaktor në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, çuditërisht, shpërtheu me romanet e tij vetëm pas rrëzimit të komunizmit. Deri në 1990-të ai kishte botuar vetëm dy libra modestë. Nga ky vit deri në 2020 publikoi 15 romane dhe libra me krijime letrare. E veçanta e Kongolit ishte se nisi të vlerësohej në Shqipëri pasi u vlerësua më parë jashtë saj. Romani i tij “Lëkura e qenit” u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani dhe kjo bëri që kritikët të merreshin jo pak me K-në tjetër. Letërsia e tij ishte e sinqertë, e hapur, me stil dhe e veçanta ishte se si e përcillte ai jetën gjatë komunizmit tani që jetonte pas rrëzimit të tij. Ishte një lloj katharsis që ai bëri ndaj vetvetes me romanin “Iluzione në sirtar”, teksa ia kushtoi dëshmisë që bëri në një proces gjyqësor gjatë regjimit diktatorial dhe që solli dënimin e një kolegu të vet krijues. Mes tjerash, Kongoli shkruan kështu: “Brenda atij kazani që ziente dhe së shpejti do mbërrinte pikën e vlimit, unë përpiqesha të kuptoja, të arsyetoja. Nga tezat-tullumbace që hidheshin me shumicë, në atë kohë, por edhe vite më vonë, më kanë ngatërruar sidomos dy prej tyre: Ajo e luftës kundër mediokritetit dhe në mënyrë të veçantë ajo e guximit krijues”.

BESNIK MUSTAFAJ, një poet dhe romancier që talentin e parë e shfaqi gjatë komunizmit, të gjithë krijimtarinë e pasur dhe atë serioze e lëvroi pas rënies së tij. Me 17 libra të botuar, Mustafaj e futi veten ndër shkrimtarët shqiptarë më të lexuar dhe më të përkthyer. Pas rrëzimit të komunizmit, ai startoi me librin “Përmes Krimeve dhe mirazheve”, duke qenë vetë një protagonist në revolucionin e përmbysjes së madhe të regjimit. Më pas letërsia e tij vihet në shina me një radhë romanësh dhe libra me poezi. Ndoshta romani “Ëndrra e doktorit”, i botuar në vitin 2016, është kryevepra e tij. Një lëndë e marrë sa në politikë në të cilën ai ishte aktor dhe faktor duke qenë deputet dhe duke mbajtur edhe detyrën e ministrit të Jashtëm, por edhe histori në të cilën ai ishte protagonist, Mustafaj sjell dhe tipizon në letërsi zhvillimet e ngjarjeve në vitet që jetojmë. Mustafaj ka një stil dhe natyrë krejt të veçantë në të shkruar teksa thekson: “Në aq pak sa shkëmbenin zakonisht me njëri-tjetrin, pa ndonjë marrëveshje, ata përdornin gjithmonë frëngjishten, gjë që i përshtatej veçanërisht Doktor Adhamudhit. Ai kishte rast kështu të shfaqte përreth kulturën e vet të lartë, një epërsi kjo mbi shumë të tjerë, por edhe t’i shkurtonte bisedat me shkrimtarin po të qëllonte që ato të zgjateshin, siç nuk kishte ndodhur ende.”

YLLJET ALIÇKA është pothuajse një fenomen në letërsinë shqipe pas vitit 1990-të. Romanet e tij me tema sa sociale po aq politike, sa lokale dhe aq ndërkombëtare, Aliçka përdor ironinë dhe sarkazmën therëse si armën e tij speciale. Me 8 libra me krijime me romane dhe tregime Ylljet Aliçka ka krijuar dhe botuar vetëm gjatë tranzicionit. Vetëm në gjuhë të huaj ai ka 20 botime dhe mund të quhej si shkrimtari shqiptar më i botuar jashtë kufijve për periudhën pas rrëzimit të komunizmit. Romani i tij “Një rrëfenjë me ndërkombëtarët”, i botuar në vitin 2008, për pak i kushtoi me mosdekretim në detyrën e ambasadorit në Francë, për shkak të talljes dhe vënien në lojë në këtë roman të diplomatëve të huaj në Tiranë. Të cilësuar të praprekshëm, Aliçka i sjell diplomatët e Tiranës në versionin me cene, gjë që ka vlerën si të thyhej një atom. Aliçka shkruan kështu në atë roman: “Zëvendësambasadori aristokratik i tenisit u zëvendësua nga një i diplomuar i lartë me origjinë aziatike, i cili qeshte me vend dhe pa vend dhe, ashtu i apasionuar pas famës së tij si akademik, me të mbërritur në përfaqësi, futi disa metoda të reja të funksionimit të brendshëm, ç’ka i la pa mend dhe i çorientoi nëpunësit.”

MIRA MEKSI e vijoi atje ku e la në komunizëm. Romanciere dhe përkthyese ,ajo është e vetmja që ka shkëlqyer në të dy gjinitë. Një stil ala Marquez ajo ka një radhë romanësh dhe përkthimesh në të cilat noton në ujërat e veta. Por, Meksi ka koleksionuar edhe një numër të madh çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Në romanin “Parisi vret”, të botuar në vitin 2023, ajo shkruan: “Kur mbërriti në apartamentin e tij, shiu kishte pushuar dhe qielli i Tiranës ishte qetësuar. U ul në kolltukun e dhomës së punës dhe mori një gotë konjak nga ai që kish pasë sjellë Ana dikur. “U trashëgofsh, Ana!” – uroi dhe e piu me fund mes lotësh. Pastaj u ul në tryezë përpara makinës së shkrimit dhe e detyroi veten të shkruante. Shkroi e shkroi sa e ktheu universin në një letër të bardhë që nxihej nga ushtria e pafundme e gërmave të zeza”.

ANI WILMS ishte një zbulim me krijimet e saj në Gjermani. E larguar nga Tirana pas rrëzimit të komunizmit, ajo është përfaqësuese e atyre shqiptarëve që letërsinë shqipe e lëvruan jashtë shtetit amë. Mes pesë romaneve që ka botuar, “Vrasje në rrugën e Veriut” është një befasi. Edhe pse kishte kaluar një shekull, nuk e kishte trajtuar nga askush më parë vrasjen dy miliarderëve amerikanë më 6 prill 1924 në një pritë në rrugën që lidhte kryeqytetin me Veriun e Shqipërisë. Një romanciere që është diplomuar për histori në Tiranë dhe Berlin, Ani Wilms solli romanin historik në kohë moderne dhe në një formë moderne. Në një pasazh të tij ajo shkruan: “Ky është momenti ku janë gabuar kusarët. Në rrugën e veriut kalon mesatarisht një automobil në ditë, por të mos llogaritet kamioni i një shoqërie gjermane që shfrytëzon pyllin e Mamurrasit. Një ngatërresë e banditëve në këto kushte bëhet papritur e kuptueshme”.

VISAR ZHITI është përfaqësuesi më tipik i shkrimtarëve që u dënuan gjatë regjimit komunist vetëm për krijimtarinë e tij ndryshe nga rregullat e realizmit socialist. Bëri 12 vjet burg në kampet e Spaçit dhe Qafës së Barit, por krijimet e tij edhe në atë izolim çuditërisht u ruajtën në memorie. Pas lirimit ai pati një shpërthim të krijimtarisë dhe shumica e temave që trajtoi ishin pikërisht nga jeta në burg si vargjet e një prej poezive më të bukura të tij: Koha se si më rrjedh nëpër gishta/Dhe unë mbetem veç i dashuruari. Janë 8 libra me poezi nga ai poet të botuara pas vitit 1990-të. I pari është “Kujtesa e ajrit”, në të cilin i ka me bollëk vargjet të ndjera dhe me një fuqi të jashtëzakonshme mendimesh të shprehura. Por, Visar Zhiti e lëvroi edhe romanin në krijimtarinë e tij. Në librin “Rrugët e Ferrit”, të botuar në vitin 2012, temën e të cilit ai e quan Burgologjia, shkruan: “Më arrestuan në ditë feste, më 8 nëntor, në mesditë. Përkujtohej themelimi i partisë që drejtonte vendin dhe afërmendsh, kjo ishte ndër festat më të rëndësishme dhe më të rënda sigurisht”.

BASHKIM HOXHA është një fenomen në letërsinë postkomuniste. Mes gazetarit dhe romancierit, ai ka ditur të lëvrojë në një fushë me mjeshtëri të rrallë, saqë suksesin me lexuesin e ka pasur përherë të garantuar. Autor i 24 romaneve, Bashkim Hoxha ka fituar 5 çmime kombëtare. Hoxha ka një specifikë që është nga të rrallët shkrimtarë shqiptarë të përkthyer në gjuhën angleze. Ky fakt e bënë atë të certifikuar në letërsinë anglosanksone, ndryshe nga tradita e vjetër e letërsisë shqipe që njohjen në botë e ka pasur nga gjuha franceze. E veçanta në romanet e Bashkim Hoxhës janë dialogët plot vokabular dhe përshkrim i detajuar. Në romanin “Vito”, Hoxha shkruan: “Të trembin fjalët? Mos u bëni të marra. Herët apo vonë askush nuk i shpëton vdekjes. Fshihu sa të duash, ik e mbyllu në shpellë, mbyllu po të duash me shtatë palë çelësa, po të pati ardhur ora, ajo do të të gjejë. Do të hyjë si ajri nga vrima e çelësit. Vetëm se, kam ende edhe një kërkesë. Dua të iki në heshtje.”

AGRON TUFA, një i përndjekur që lëvroi letërsinë e të përndjekurve. Autor i 25 krijimeve, romancier dhe poet, Tufa ka ngjallur vlerësim, por edhe debat me krijimtarinë tij. I përkushtuar në trajtimin e historisë së vuajtjeve të klasës, që njihen si të përndjekurit gjatë regjimit komunist, ai e ka shndërruar në veprat e tij në një monument atë klasë jo vetëm për vuajtjet, por едхе për qњndrimin dhe dinjitetin e tyre. Në romanin “Tenxherja” Tufa shkruan: “Mësuesit kishin hyrë heshturazi. Linin regjistrat, merrnin të tjerë. Askush nuk më foli. E kisha ulur vështrimin përpara këmbëve të mia. E dija që jeta ime kishte marrë rrokullimën. Të nesërmen ndoshta e gdhija në burg, në shkollën e vagabondëve”

BEN BLUSHI. Më prodhimtari në sasi dhe cilësi, ai arriti të jetë në majë të letërsisë postkomuniste për temat e trajtuara dhe stilin tejet të veçantë të të shkruarit. Djali i shkrimtarit Kiço Blushi dhe përkthyeses Mira Blushi, nipi i shkrimtarit Dhimtër Shuteriqi dhe stërnip i shkrimtarit Simon Shuteriqi, Blushi duket si një dardhë е rënë nën plantacionin me dardha të letërsisë shqipe. Blushi e hapi serinë e krijimtarisë së tij në vitin 2008 me një roman provokues dhe tërheqës njëkohësisht. “Të jetosh në ishull” është pa dyshim romani që ka ngjallur debat në shoqërinë shqiptare sа asnjë vepër letrare jo vetëm pas vitit 1990, por në gjithë historinë e letërsisë shqipe. Trajtimi i një teme delikate, si feja, e bëri atë jo vetëm të guximshëm, por nëpërmjet fantazisë, lirisë, mungesës së kompleksitetit dhe të shprehurit me fjalët më të mira në renditjen e tyre më të mirë, Blushi kapërceu aq shumë në hierarkinë e vlerave në letërsinë shqipe, saqë и kaloi edhe ata që nuk e mendonte kush se do t’i kalonte. Sigurisht që nga kjo bëri shumë armiq, por kjo rrugë është traditë e shkrimtarëve të mëdhenj dhe jo mediokër. Ndërsa për autorë të tjerë kemi nxjerrë një pasazh nga një libër, për Blushin kjo nuk mjafton. Për të po nxjerrim fraza që përbëjnë shumatoren e provokimeve, por edhe mjeshtërinë e tij në stilin e të shprehurit. Shkroi Blushi:

“Jezu Krishti po të ishte gjallë do t’i bashkohej fesë së Muhamedit; Sikur Muhamedi të ishte shqiptar, grekët do ta kishin vrarë atë; Duhet të shkosh të paktën një herë në Mekë dhe të rrotullohesh shtatë herë rreth gurit të Qabesë; Krishtin e keni pranuar si një nënshtrim ndaj perandorive që ju kanë qeverisur; Krishti dhe shqiptari mund të rrojnë në të njëjtin trup pa e tradhtuar njëri-tjetrin; Turqit kanë shpatën, por të krishterët mendjen; Ne shqiptarët nuk kemi ditur të bëjmë paqe me perandoritë por si një tufë e përçarë dhe pa bari kemi pranuar një e nga një zakonet dhe fenë e tyre; Perandoria bizantine ishte e tillë se arriti të bashkojë nën pushtet tre elementë që në rast se pajtohen prodhojnë qenie perfekte; një shpirt grek, një mendje romake, dhe një trup mysliman.”

Autor i 6 romaneve, Ben Blushi shpërtheu me librin e fundit “Komploti”, me të cilin ai nuk e mbyll, por hap një etapë të re të letërsisë shqipe teksa bën еdhe një parashikim që ka nisur të dalë i vërtetë për të huajt që do та popullojnë Shqipërinë. Nuk është e tepruar që pas 20 vitesh Ben Blushi të jetë edhe kandidat për çmimin Nobel. /revistashenja

Exit mobile version