Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Perëndimi vazhdon të mbështesë Iz’raelin pavarësisht rritjes së numrit të vd’ekjeve në...

Perëndimi vazhdon të mbështesë Iz’raelin pavarësisht rritjes së numrit të vd’ekjeve në gje’nocidin në Ga’za

Një vit pas përshkallëzimit të konfliktit izraelito-palestinez në Rripin e Gazës, vendet perëndimore vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të fortë politike dhe ushtarake për Izraelin, pavarësisht fushatës së gjenocidit, krahas thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim, shrkuan Anadolu.

Midis vendeve të tjera perëndimore, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia, u zotuan për mbështetje për “përpjekjet e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij” pas sulmit nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor të vitit 2023. Këto kombe, veçanërisht SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë pohuar vazhdimisht “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje” dhe kanë premtuar të ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme.

Më 18 tetor, SHBA-ja vendosi veto ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkonte një “pauzë humanitare” në Gaza për të mundësuar dërgimin e ndihmave. Më 25 tetor, në mënyrë të ngjashme projekt-rezolutave të ndara të paraqitura nga SHBA-ja dhe Rusia për zhvillimet në konfliktin në Gaza iu vendosën veto në mënyrë reciproke nga të dyja vendet.

Perëndimi gjithashtu u përmbajt nga dënimi i sulmeve të Izraelit në Gaza dhe refuzoi thirrjen e një “armëpushimi” të qartë për një periudhë të zgjatur. SHBA gjithashtu vendosi veto ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 8 dhjetor që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.

Në një seancë të posaçme urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Palestinën më 13 dhjetor, një projekt-rezolutë e paraqitur nga Egjipti dhe e bashkë-sponsorizuar nga pothuajse 100 vende, përfshirë Türkiyen, e cila bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, u miratua në një votim 153-10. SHBA-ja, Austria dhe Republika Çeke ishin ndër vendet që votuan kundër.

Pak më vonë, më 25 mars, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit me qëllimin për të çuar në një armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm. Rezoluta, e përgatitur nga anëtarët e përkohshëm të Këshillit të Sigurimit, kaloi me 14 vota “pro” dhe një abstenim nga SHBA-ja.

Mbështetje për Izraelin në arenën ndërkombëtare

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, që nga 7 tetori i vitit të kaluar ka zhvilluar 10 turne në Lindjen e Mesme, duke vizituar nëntë herë Izraelin së bashku me vende të tjera të rajonit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u adresua në Kongresin e SHBA-së në muajin korrik. Pavarësisht protestave dhe kritikave, shumë ligjvënës amerikan i dhanë Netanyahu-t duartrokitje të shumta gjatë adresimit të tij 52-minutësh.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e përshkroi Izraelin si një shtet demokratik me parime humanitare dhe tha se ai beson se ushtria izraelite në çdo gjë që bën do të jetë në përputhje me rregullat e ligjit ndërkombëtar. Ai gjithashtu tha se Gjermania do të shqyrtojë dhe do të përmbushë menjëherë kërkesat nga Izraeli për mbështetje.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u zotua për “mbështetje të pakushtëzuar” për Izraelin. Ajo ishte ndër lideret e para që vizitoi Izraelin në një “shfaqje mbështetjeje” pas 7 tetorit, duke theksuar vazhdimisht “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”, pavarësisht viktimave civile palestineze. Ajo është bërë objektiv i protestave në Parlamentin Evropian dhe në rrugët evropiane për shkak të qëndrimit të saj në konfliktin e vazhdueshëm.

Vendet perëndimore vazhdojnë të përmbahen nga dënimi i Izraelit, pasi vazhdojnë të riafirmojnë angazhimin e tyre për ta mbështetur Tel Avivin në çdo mënyrë të mundshme edhe në sulmin më të vogël ndaj Izraelit.

Mbështetja intensive ushtarake

Mbështetja ushtarake perëndimore për Izraelin ka mbetur çështja thelbësore që nga fillimi i luftës aktuale.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes (SIPRI) me bazë në Stokholm, SHBA-ja siguroi 70,2 për qind të importeve të armëve konvencionale të Izraelit nga vitit 2011 deri në vitin 2020, ndjekur nga Gjermania me 23,9 për qind dhe Italia me 5,9 për qind. Furnizimet me armë për Izraelin vazhduan edhe pas 7 tetorit të vitit 2023.

Në muajin prill, Kongresi Amerikan miratoi një paketë të ndihmës ushtarake të huaj prej 95 miliardë dollarësh, duke i ndarë 17 miliardë dollarë Izraelit.

Një hetim nga gazeta Haaretz në Izrael zbuloi se 173 fluturime mallrash ushtarake dhe civile nga bazat ushtarake dhe amerikane transportuan armë dhe municion në Izrael nga 7 tetori deri në korrik të vitit 2024.

Gjithashtu, më 26 shtator, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit njoftoi se drejtori i përgjithshëm, Eyal Zamir, nënshkroi një marrëveshje në Washington që Tel Avivi të marrë një paketë të ndihmës ushtarake amerikane prej 8.7 miliardë dollarësh.

Eksportet e armëve të vendeve evropiane drejt Izraelit kanë arritur në miliarda euro në dekadën e fundit. Midis viteve 2014 dhe 2022, vlera e licencave të eksportit të dorëzuara në Izrael nga vendet e BE-së ishte afër 6.3 miliardë euro (6.91 miliardë dollarë).

“Qeveria gjermane miratoi të paktën 1.4 miliardë euro (1.5 miliardë dollarë) shitje armësh për Izraelin midis viteve 2015 dhe 2020”, tha baza e të dhënave të Fushatës kundër Tregtisë së Armëve (CAAT), një grup që punon për të eliminuar shitjet ndërkombëtare të armëve. Gjatë të njëjtës periudhe, Mbretëria e Bashkuar eksportoi 426 milionë euro pajisje ushtarake në Izrael, duke përfshirë komponentë për avionë luftarak, raketa, tanke, armë të lehta dhe municione.

Gjermania dhjetëfishoi shitjet e armëve në Izrael në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë, duke ofruar armë me vlerë 326.5 milionë euro. Berlini miratoi 185 kërkesa shtesë për licencë eksporti për furnizime armësh nga Izraeli në javët pas 7 tetorit.

Mbretëria e Bashkuar i shet pajisje ushtarake Izraelit që nga viti 1967. Në dhjetë vitet e fundit, sipas të dhënave ng CAAT, shkalla e tregtisë së pajisjeve ushtarake dhe armëve nga Mbretëria e Bashkuar në Izrael ka arritur në 495 milionë funta (650 milionë dollarë).

Italia, një nga furnizuesit më të mëdhenj të Izraelit në Evropë, kreu shitje në Izrael në tremujorin e fundit të vitit 2023, pavarësisht nga “garancia e qeverisë për të parandaluar shitjet e armëve sipas ligjeve që ndalojnë eksportet në vendet që shkelin të drejtat e njeriut”.

Franca dërgon pjesë të përdorura në pajisjet e mbrojtjes në Izrael, duke përfshirë ato të përdorura për sistemin e mbrojtjes Iron Dome. Organizatat e shoqërisë civile kanë paditur Francën për të ndaluar shitjen e armëve në Izrael.

Hungaria dhe Suedia gjithashtu nënshkruan marrëveshje për prodhimin dhe shitjen e armëve me Izraelin në vitin 2023.

Derisa Izraeli ka vrarë të paktën 41.800 palestinezë në Gaza dhe është përgjegjës për plagosjet e rreth 96.850 të tjerëve, vendet perëndimore vazhdojnë me mbështetjen e tyre të fortë për Izraelin, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me shqetësimet humanitare në konflikt.

Exit mobile version