Rëndësia dhe ndikimi pozitiv i përdorimit të teknologjisë në klasë është bërë burim interesi për arsimin vitet e fundit.
Aplikimet e teknologjisë, të çfarëdo lloji qofshin, nga më të thjeshtat tek më të ndërlikuarat, kanë ndryshuar mënyrën e mësimdhënies dhe të nxënit. Krahas evoluimit të teknologjisë kanë evoluar dhe teoritë e mësimdhënies/nxënies të cilat formojnë themelet e projektimit të procesit mësimor, ndaj mësimdhënësit e kanë për detyrë të zhvillojnë qasje të reja ku të përshtatin këto metodologji për rritjen e rezultateve mësimore.
Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (TIK) ka transformuar çdo aspekt dhe fushë të jetës sonë. Ndikimi i TIK-ut në mjekësi, turizëm, biznes, drejtësi, inxhinieri, arkitekturë etj., gjatë dekadave të fundit ka qenë i mahnitshëm. Mënyra se si këto fusha operojnë sot ndryshon shumë nga e kaluara. Pjesë e këtij ndryshimi është edhe arsimi.
TIK-u ka ndikuar shumë në mënyrën e ofrimit të shërbimit arsimor, pasi ka potencialin t’u sigurojë nxënësve të mësuarin gjatë gjithë jetës, pjesëmarrjen e plotë në shoqëri dhe suksesin në jetën profesionale. Përmbushja e këtij qëllimi dikton zhvillimin e njohurive dhe të aftësive digjitale të nxënësve dhe të mësuesve. Nxënësit sot jetojnë dhe rriten në një botë digjitale, megjithatë edhe ata kanë nevojë mbështetje në zhvillimin e kompetencës digjitale.
Studimet tregojnë se nxënësit e përdorin teknologjinë më shumë në aktivitetet e kohës së lirë jashtë shkollës, se sa në procesin e të nxënit. Gjithsesi, sfida më e madhe është për mësuesit. Përveç aftësive TIK të domosdoshme për jetën e përditshme, mësuesit kanë nevojë për kompetenca specifike digjitale që u mundësojnë atyre që ta përdorin teknologjinë për të mbështetur, përmirësuar dhe transformuar procesin e mësimdhënie-nxënies, si dhe për përgjegjësitë e tjera në shkollë.
Pavarësisht arritjeve në nivel evropian dhe kombëtar, përfshirja efektive e TIK-ut në arsim mbetet ende sfidë. Përmirësimi i infrastrukturës digjitale, zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësuesve dhe i drejtuesve të shkollave, mirëmbajtja e pajisjeve etj., vazhdojnë të mbeten përparësi për të ardhmen.