Përdorimi i gjuhës shqipe sërish në fokus të opinionit në Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, është shprehur se nuk ka pasur synim “të fyejë asnjë gjuhë apo të ndjekë këshilla partiake” me vendimin për të mos nënshkruar dekretin për Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, transmeton Anadolu.

Më 31 dhjetor, presidentja Silanovska-Davkova i dërgoi njoftim kryeparlamentarit Afrim Gashi se nuk do ta nënshkruajë dekretin, pasi sipas saj, amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse.

Dje, Silanovska-Davkova në një deklaratë u shpreh se synimi i saj është të inkurajojë rishikimin e disa dispozitave të ligjit të lartpërmendur, veçanërisht të neneve 9 dhe 10.

Me këto dy nene, ligji parashikon që përveç gjuhës maqedonase, në licencat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve të përfshihet edhe gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve, respektivisht gjuha shqipe.

Qeveria paraprakisht kishte paralajmëruar se Ligji për mbrojtjen e fëmijëve do të rishikohet sipas vërejtjeve të presidentes dhe më pas do të kthehet në procedurë parlamentare.

Dje, kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana e tij, u shpreh i bindur se çështja do të tejkalohet dhe se bëhet fjalë për formalitet.

“Ato do të korrigjohen dhe do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët dhe pres që të miratohen me sukses”, tha Mickoski.

Vendimi i presidentes Siljanovska-Davkova u prit me reagime të ashpra nga partia shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Nga kjo parti politike vlerësuan se ky nuk është një veprim i izoluar, por një “strategji qartësisht e koordinuar” kundër gjuhës shqipe.

Kujtojmë se në dhjetor çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut ishte aktualizuar me diskutimet në Gjykatën Kushtetuese lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, kur u mbajtën edhe protesta para ndërtesës së gjykatës.