Studiuesit mysafirë të të dyja vendeve shoqëroheshin edhe nga një ose dy shoqërues, të cilët i udhëzonin dhe u ofronin ndihmë, por që në fund këta shoqërues duhej të dërgonin raporte e relacione në instancat shkencore, partiake etj. Por, ajo që na ka tërhequr vëmendjen janë relacionet e përgatitura për studiuesit nga Kosova gjatë qëndrimeve të tyre në Shqipëri.
Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi pushtetin e morën forcat komuniste. Siç dihet, komunistët e të dyja vendeve kishin bashkëpunim të mirë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dy emisarët e njohur jugosllavë, Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha, ishin ndër themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë, prezenca e të cilëve në këtë parti kishte impakt negativ edhe në unifikimin e grupeve politike shqiptare që vepronin kryesisht në Shqipërinë e asaj kohe. Marrëdhëniet e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve vazhduan deri në vitit 1948, për t’u rivendosur në vitin 1953 e për të vazhduar deri në ditët e sotme. Gjatë kësaj periudhe, këto marrëdhënie kishin baticat e zbaticat e veta. Pas Plenumit të Brionëve të vitit 1966, shqiptarët në ish-Jugosllavi fitojnë të drejta më të madha. Në kuadër të këtyre të drejtave ishte edhe rihapja e Institutit Albanologjik më 1967, themelimi i Universitetit të Prishtinës më 1970 etj.
Pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, ndërmjet këtij universiteti dhe Universitetit të Tiranës nënshkruhen protokolle bashkëpunimi , siç quheshin atëherë mësimore-shkencore. Këto protokolle parashihnin, mes tjerash, specializimin e kuadrit për fusha të caktuara me interes për të dyja vendet, shkëmbimin e kuadrove, ndihmesën në hulumtime për studiuesit e dy vendeve, shkëmbimin e literaturës etj.
Në kuadër të shkëmbimit të kuadrit akademik, studiues nga Tirana erdhën dhe mbajtën ligjërata në Prishtinë, në fushat e albanologjisë, mjekësisë, fizikës etj., si: Eqrem Çabej, Selami Pulaha, Androkli Kostallari, Rexhep Mejdani etj. Disa nga studiuesit e Tiranës u bënë edhe anëtarë të komisioneve për mbrojtën e disertacioneve të kandidatëve nga Prishtina etj. Gjithashtu, në Tiranë nga Prishtina mbajtën ligjërata Hasan Kaleshi, Skënder Rizaj, Syrja Pupovci etj. Siç dihet, studiuesit mysafirë të të dyja vendeve shoqëroheshin edhe nga një ose dy shoqërues, të cilët i udhëzonin dhe u ofronin ndihmë, por që në fund këta shoqërues duhej të dërgonin raporte e relacione në instancat shkencore, partiake etj. Por, ajo që na ka tërhequr vëmendjen janë relacionet e përgatitura për studiuesit nga Kosova gjatë qëndrimeve të tyre në Shqipëri. Nga shumë materiale të tilla, që kemi hasur gjatë hulumtimeve tona, kemi përzgjedhur relacionin që flet për studiuesit e historisë, profesorët Ali Hadri, Skënder Rizaj e Emin Pllana, kjo për disa arsyeje kryesore:
E para, studiuesit Skënder Rizaj dhe Ali Hadri janë ndër historianët e parë shqiptarë me titull doktor shkence pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë;
E dyta, disa nga shënimet e evidentuara flasin mjaft si për profesorët, njashtu edhe për përcjellësit e tyre;
E treta, mendimet e profesorëve nga Prishtina, për disa nga problematikat e caktuara politike e shkencore të kohës, të cilat ua kishin treguar në “konfidencalitet” kolegëve në Tiranë, por që janë evidentuar në relacione, vështirë se mund t’i gjesh në shkrimet e botuara të profesorëve, andaj është me interes që këto relacione të lexohen.
Historianët nga Prishtina dhe shoqëruesit e tyre
Relacioni mban datën 4 korrik 1974 dhe është përpiluar nga shoqëruesi Petrit Sinani. Ky dokument ka shtatë faqe të rrahura me makinë shkrimi, të shkruar me gjuhë të rrjedhshme. Relacioni i është dërguar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, degës së jashtme të këtij institucioni, nga drejtori i atëhershëm i Instituti të Historisë në Shqipëri, Stefanaq Pollo, me datën 8 korrik 1974, ku thuhet: “Bashkangjitur po ju dërgojmë relacionin mbi qëndrimin në vendin tonë të delegacionit kosovar i përbërë nga Ali Hadri, Skënder Riza bashkë me gruan e tij dhe Emin Pllana”. Ky dokument ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë në fondin (F.508-1974-89). Në këtë relacion shënohen qëllimet e vajtjes së profesorëve, takimet, hulumtimet. Gjithashtu, shënohen mospajtimet që shfaqin profesorët Ali Hadri e Skënder Rizaj ndaj studiuesve të tjerë në Prishtinë, si bie fjala ndaj Hasan Kaleshit. Evidentohen edhe mospajtimet e prof. Ali Hadrit edhe për studiuesit Emin Pllana e Rexhep Qosja, ku shprehej se “nuk kishte simpati për Hasan Kaleshin dhe shprehu mendimin se si duhet t’i shërbejë dikujt tjetër. Fliste me urrejtje edhe për Emin Pllanën. Lidhur me ligjëratën që mbajti Rexhep Qosja në Shqipëri dhe me diskutimet që bënë rreth ligjëratës së tij nga drejtuesit tanë, Ali shprehu mendimin se Rexhepi nuk kishte të drejtë. “Shumë mirë ia bënë, Rexhepi ka nevojë t’i ulet pak hunda” – thoshte Ali Hadri.
Pa hyrë në analiza të hollësishme të relacionit në fjalë, po e prezantojmë në tërësinë e tij, pa larguar dhe shtuar asgjë.
“Relacion-mbi qëndrimin në vendin tonë të studjuesve kosovarë Profesor Ali Hadri, Profesor Doktor Skënder Riza dhe pedagog Emin Pllanës. Në bazë të protokollit të bashkëpunimit mësimor shkencor midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe atij të Prishtinës, më datën 2 qershor 1974 erdhi në vendin tonë një delegacion kosovar i kryesuar nga rektori i atij Universiteti. Në këtë delegacion bënin pjesë edhe shokët e sipërshënuar. Më datën 2 qershor këta shokë u pritën në Han të Hotit nga Selami Pulaha – zëvendësdrejtor i këtij Instituti. Me datën 3. VI. 74 Ali Hadri, Skënder Riza bashkë me gruan e tij dhe Emin Pllana u pritën në drejtori të këtij Instituti, ku morën pjesë nga pala jonë Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Niko Deçka, Stavri Naçi, Kristo Frashëri dhe Petrit Sinani. Në këtë takim u bisedua për punën kërkimore shkencore që do të bënin ata gjatë qëndrimit në Shqipëri. Qëllimi i ardhjes së tyre në Shqipëri ishte shfrytëzimi i materialeve arkivale për periudha të ndryshme të historisë së popullit shqiptar. Koha e qëndrimit ishte e ndryshme. Ali Hadri qëndroi prej datës 2 deri më 28 qershor 1974, Skënder Riza nga 2 deri 17 qershor, dhe Emin Pllana nga 2 deri 21 qershor 1974. Gjatë kësaj periudhe ata punuan në Bibliotekën Kombëtare dhe në Institutin e Historisë, ku shfrytëzuan, sipas rregullave të caktuara, materiale që u nevojiteshin. Prej datës 3 deri më 12 qershor kohën më të madhe e kalova duke shoqëruar Skënder Rizën me të shoqen. Nga data 3 deri më datën 6 qershor Skënderi punoi 2-3 orë në ditë në bibliotekën e Institutit të Historisë dhe kohën tjetër e kaloi me të shoqen duke shëtitur dhe duke bërë vizita tek familja e Mehmet Lutit (gruaja e Skënderit Mehmetit e kishte djalë xhaxhai). Në Institutin e Historisë, dhe në Bibliotekën Kombëtare punuan gjatë kësaj periudhe edhe Ali Hadri e Emin Pllana. Materialet, që ata shfrytëzuan, ishin të periudhave të ndryshme. Aliu dhe Skënderi punuan për problemet e Lidhjes së Prizrenit, ndërsa Emin Pllana për vitet 1900-1909. Nga ana jonë iu siguruan materialet e nevojshme. Skënderi e mbajti më 13 qershor 1974 me disa specialistë të historisë në Institut, për të qartësuar disa mendime rreth historisë të 30-vjetëshit të fundit të shekullit 19, për të cilën kishte përgatitur një monografi që së shpejti do ta dërgonte në shtyp. Tema e ligjëratës, së tij ishte “Roli i disa organizatave ndërkombëtare në historinë shqiptare në bazë të burimeve osmane dhe angleze. Krahas këtij diskutimi Skënderi dha një informacion për disa materiale që kishte zbuluar në arkivat e Londrës dhe të Stambollit, për historinë e popullit shqiptar. Mendimet që i dhanë studiuesit tanë që i quajti mjaft me vlerë. Skënderi kishte dëshirë që para se të botonte ndonjë punim rreth historisë së Shqipërisë, ta diskutonte me specialistët tanë dhe të na ndihmonte me materiale arkivale me aq sa mundësi kishte. Me datë 28 qershor 1974 Ali Hadri mbajti ligjëratën e tij “Historiografia jugosllave mbi Lidhjen e Prizrenit”, po në Institut me specialistë të historisë. Krahas punës për kërkime arkivale, u bënë vizita në disa qytete të Shqipërisë. Më datën 6 Skënderi dhe gruaja në Fier. Atje vizituan Apolloninë dhe në mbasditën e po kësaj date shkuan në Vlorë, ku vizituan varrezat e dëshmorëve dhe disa qendra të tjera. Në këtë vizita i shoqëroi Petrit Sinani. Më datën 7. VI. 74 u nisëm për në Sarandë, ku qëndruam deri me datën 10. VI. 74. Po këtë datë u nisëm nga Saranda për në Berat. Këtu qëndruam vetëm disa orë. Në berat Skënderi takoi, në praninë time, Zyma Berishën, pedagoge e gjuhës shqipe në filjalin e UShT që ndodhet në Berat. Zyma ishte nga Peja dhe në Shqipëri kishte ardhur para 13 vjetëve. Skënderi e kishte pasur nxënëse në Pejë. Më datën 12 qershor gruan e Skënderit e dërguam në Elbasan, ku qëndroi tre ditë tek vajza e xhaxhait, që ishte martuar atje me Skënder…….., shofer në turizmin e Elbasanit. Ditën që u nisëm për në Sarandë, Skënderi dukej mërzitur. Siç tha vetë, arsyeja ishte se një ditë më parë më 5. VI. 74 u nis për në Sarandë rektori i Universitetit të Prishtinës dhe Skënderi donte të shkonte bashkë me të dhe gruan e tij. Mirëpo, sipas tij, rektori nuk pati dëshirë të udhëtonte me Skënderin dhe me gruan e tij, kjo gjë e kishte zemëruar atë shumë, sa që shfaqi mendimin se “do të kthehemi sa më parë në Prishtinë”, gjoja se kishte fëmijët vetëm dhe se djali i madh do të nisej për në Poloni. Më ndërhyrjen tonë u bind dhe kur vajtëm në Sarandë, gjendja ndryshoi. Gjatë bisedave në Sarandë, Skënderi foli me urrejtje për Hasan Kaleshin, me të cilin kishte kontradikta të thella. Këto kontradikta, sipas tij, e kishin bazën tek qëndrimi jo i drejtë i Hasanit ndaj historisë së popullit shqiptar. Skënderi e quante atë ”antishqiptar” dhe falsifikator të historisë, njeri që ishte shitur tek serbët”. “Interesi ynë-thoshte ai- e do që të kemi unitet (fjala për Kosovë) dhe të marrin të gjithë drejtimin në Kosovë. Por ka dhe njerëz të tillë si Hasani, që mohojnë kombin. Kohët e fundit tha Skënderi, në Jugosllavi është kapur një grup antipartit. Pjesa më e madhe e këtij grupi janë serbë, këta janë ngritur kundër Titos, por u zbuluan dhe u kapën të gjithë në një kohë shumë të shkurtër”. Kjo gjë, thoshte ai, është në favorin tonë, se dobësohet pozita e serbëve dhe disa veglave të tyre”. Në Sarandë Skënderi edhe gruaja e tij mbetën shumë të kënaqur. Gjatë rrugës për në Sarandë gruaja shprehej me shumë admirim për ndryshimet e mëdha që janë bërë në Shqipëri. Si Skënderi dhe gruaja i shprehën me kënaqësi që i gjithë populli në Shqipëri punon dhe jeton në mënyrë të barabartë. “Tek ne, thoshte Skënderi, janë shumë të larta çmimet dhe nuk shikon çdo lloj njeriu të futet në lokale si tek ju. Unë për shembull, tha ai, nuk kam shkuar ndonjëherë në Bozhur me gruan time, sepse është shtrenjtë”. Gruas së tij i bëri shumë përshtypje puna që bënin gratë. “ Tek ne, tha ajo, gratë nuk punojnë, nuk ka punë”. Fjalë shumë të mira thoshin për rregullin dhe qetësinë e madhe, si edhe për rregullin automobilistik. Gruaja e Skënderit ka ikur nga Tirana për në Pejë në vitin 1946. Tiranën e njihte mirë dhe u çudit shumë kur pa gjithë këto ndryshime. “Nuk e gjej dot rrugën për tek shtëpia e axhës, thoshte, Tirana nuk ka qenë kështu”. Në Elbasan gruaja e tij qëndroi 3 ditë dhe u gëzua shumë që i plotësuam këtë dëshirë. Skënderi shprehu mirënjohje të thellë për pritjen e ngrohtë që i bëmë atij dhe gruas, sepse “unë, tha ai, gruan do ta mbaja me shpenzimet e mija personale, ndërsa ju nuk më lejuat të harxhoj asnjë lek”. Me Emin Pllanën nuk pata rastin të shoqërohen vetëm për vetëm me të, veç 2-3 rasteve që takuam në hotel “Dajti” dhe në Institut. Emini nuk lëvizi nga Tirana dhe gjithë kohën e kaloi duke punuar në Bibliotekë. Me Ali Hadrin u takova më datën 3 qershor 1974, kur u bë pritja në Institut dhe pastaj më 14. VI. 1974 ditën që u nisëm për në Sarandë. Duke shkuar në Sarandë, qëndruam në Lushnje, ku shkuam në një librari për të blerë një libër. Brenda në dyqan ishte një kosovar emigrant i ardhur në Shqipëri para 15-20 vjetëve punon në Lushnje si mësues i historisë. Aliu bëri sikur nuk e pa, por si (Xheladin Ferizaj quhej) i foli Aliut: “Si je Ali Hadri, a më njeh”, “Më dukesh si kosovar, tha Aliu, por nuk të mbaj mend”. Aliu u duk se nuk kishte dëshirë të bisedonte dhe doli menjëherë nga dyqani, sapo bleu librin. Atë natë që arritëm në Sarandë ai u tregua i pakënaqur që nuk i dhamë në hotel një apartament, sepse sipas tij, dhoma që kishte, nuk ishte e përshtatshme për punë. Në Prishtinë kam kushte shumë më të mira, thoshte”. Gjatë gjithë kohës sa qëndruan në Sarandë, e përmendi disa herë punën e apartamentit, duke thënë se “nuk më krijove kushte të mira për punë”. Shkuam në Butrint dy herë, një natë në Delvinë, pamë një shfaqje të estradës shtetit dhe një ditë në Borsh. Gjatë bisedimeve Aliu fliste shpesh për vetën dhe kushtet e mira që kishte në Kosovë, për makinën e tij personale dhe për shtëpinë, që kishte ndërtuar në Pejë. Shprehte respekt ndaj studiuesve tanë historianë si dhe ndaj përgatitjes së studentëve në Shqipëri. “Atje në Prishtinë studentët nuk përgatiten shumë dhe pjesa më e madhe mbeten. Kushtet i kanë shumë të vështira, disa jetojnë në podrume dhe nganjëherë edhe protestojnë” tha një herë. Nuk kishte simpati për Hasan Kaleshin dhe shprehu mendimin se si duhet t’i shërbejë dikujt tjetër. Fliste me urrejtje edhe për Emin Pllanën. Lidhur me ligjëratën që mbajti Rexhep Qosja në Shqipëri dhe me diskutimet që bënë rreth ligjëratës së tij nga drejtuesit tanë, Ali shprehu mendimin se Rexhepi nuk kishte të drejtë. “Shumë mirë ia bënë, Rexhepi ka nevojë t’i ulet pak hunda”. Vlerësoi diskutimin e sh. Aleks Buda, Jorgo Bules dhe Koça Bihikut. Aliu kishte dëshirën që punimet që bëhen tek ne për periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, t’i shihte edhe ai. Ky diskutim lindi se Aliut, duke shfletuar librin “Brigada VI Sulmuese”, në pjesën ku flitet për kalimin e kësaj brigade në tokat jugosllave, i ra në sy një paragraf ku thuhej nga autori, se, Ushtria Nacionalçlirimtare çliroi edhe disa toka të Jugosllavisë. Kjo tha ai është e shtrembër dhe e pa pranueshme. “Unë e di, tha, se sh. Enver e përcakton këtë drejt, por autori ka bërë gabim. “Këtë e them, se, atasheu kultural, i Ambasadës Jugosllave në Tiranë, fatkeqësisht ose fatmirësisht, është gjakovar dhe i lexon të gjitha materialet dhe krijohen keqkuptime në këtë drejtim”. Në vijim të kësaj bisede Aliu tha: “unë kam vërejtje edhe për historikun e Elbasanit. Aty nuk flitet për djemtë kosovarë që kanë milituar në grupe komuniste, duhet të shënoheshin emrat e Fadil Hoxhës e të Xhavit Nimanit”. Për këtë arsye, më sa dukej duhej që t’i jepeshin Aliut; për të dhënë mendim, shkrimet që bëhen për Luftën Nacionalçlirimtare. Fletë shumë për punën e tij dhe e quante veten si i vetmi historian, që ka dhënë punime të mirëfillta për historinë e trevës së Kosovës. Për ndryshimet që janë bërë në Shqipëri fliste shpeshherë dhe thoshte “Të gjitha këto ndryshime janë vepër e Partisë me sh. Enver në krye. Shoku Enver dhe Partia juaj është shumë e fortë, ka kaluar shumë fortuna; p.sh në kohën e Koçi Xoxës kanë qenë situate shumë të vështira. Koçi ishte i poshtër, agjent i Rankoviqit. Unë i kam parë të gjitha dokumentat në Beograd, të lidhjes të Koçit me Rankoviqin”. “Ai që nuk sheh ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 30 vjetëve, është njësoj si një njeri që nuk sheh pyllin që ka para syve, por shikon një dru të shtrembër midis këtij pylli të madh”. Një ditë u interesua edhe për gjendjën ekonomike të shoferit, e pyeti atë sa e ka pagën mujore dhe ai mjafton apo jo. Tiranë, më 4. VIII. 1974 . Shoqëruesi Petrit Sinani”.
Përfundime
Duke hulumtuar në lidhje me këtë problematikë, mund të thuhet se studiuesit nga Kosova përcilleshin vazhdimisht edhe nga pushteti i kohës në Tiranë. E themi këtë, sepse na ka rastisur që për disa profesorë të njëjtin relacion, të përgatitur nga shoqëruesi, ta hasim në disa fonde arkivore, ndërsa në mesin e këtyre fondeve janë edhe ato të ish Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre dokumenteve janë të qasshme edhe për hulumtuesit e interesuar, të cilat sot menaxhohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me qendër në Tiranë.
Për disa materiale, të cilat i kërkonin studiuesit shqiptarë nga Prishtina e Shkupi në Tiranë, sidomos ato materiale që lidheshin me aspekte fetare, por edhe problematika të caktuara politike, që nuk i shkonin përshtati partisë në pushtet, edhe pse gjendeshin në institucionet e tyre, përgjigja vinte nga lart, por që përcillej përmes punonjësve të institucionit “se këta libra apo dokumente i kemi mungesë”.
Sigurisht se vënia në dispozicion e materialeve selektive në dispozicion për studiuesit shqiptarë në ish Jugosllavi ka bërë që për disa ngjarje të caktuara, sidomos nga fusha e albanologjisë, në vendin tonë të trajtohen dhe prezantohen në mënyre selektive.
Në relacione të caktuara ndodh që pasi është dërguar në institucionin e caktuar t’i kthehet prapa përpiluesit me shënimin “relacioni nuk është i plotë”, gjë që kjo nënkupton se studiuesit shqiptarë nga ish-Jugosllavia, përveç ndihmësit që i shoqëronte dhe i cili ishte i obliguar për të dërguar relacione e raporte, ishte edhe një person i tretë që e përcillte studiuesin dhe shoqëruesin së bashku, por që këta nuk ishin në dijeni. Këtë të dhënë me ka rastisur ta dëgjoj edhe nga disa shoqërues të kohës nga Tirana të studiuesve shqiptarë nga ish-Jugosllavia.
Në këto relacione ndodh që studiuesi të has edhe në disa të dhëna personale familjare për studiuesin e caktuar, që për mendimin tonë duhet të shikohen me kujdes dhe të merren me rezervë.
Krejt në fund mund të themi se publikimi edhe i këtyre materialeve do ta plotësonte mjaft shkencën e albanologjisë, por njëkohësisht ofron një tablo të qartë për gjendjen e studimeve shqiptare dhe qëndrimin e institucioneve të Tiranës në raport edhe me studiuesit e studimet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. /revistashenja