Lexues i nderuar! Besoj se e ke kuptuar, që objektivi parësor i “Vëllezërve Muslimanë” është edukimi i vetes, reformimi i shpirtit, forcimi i moraleve dhe kultivimi i ndjenjës së burrërisë së vërtetë në shpirtin e Umetit. “Vëllezërit Muslimanë” e kanë bindje këtë gjë, pasi ky është themeli kryesor dhe parimi bazë, mbi të cilin ngrihen popujt dhe kombet.
“Vëllezërit Muslimanë” i kanë shoshitur metodat e mënyrat për të arritur tek ky qëllim (ringritja e popujve) dhe kanë arritur në përfundimin, se nuk ka rrugë më të afërt dhe më serioze për t`ia arritur këtij qëllimi, sesa ideja fetare dhe zbatimi i fesë.
Feja i jep jetë ndërgjegjes, zgjon ndjenjat dhe i bën zemrat të përmenden. Feja i përcakton çdo shpirti një mbikëqyrës që nuk është i shkujdesur, një rojtar që nuk fle gjumë, një dëshmitar që nuk i serviloset, as nuk e shikon me hatër, as nuk e devijon, por as nuk e harron, e shoqëron atë në çdo ecejakje, në publik dhe kur është vetëm, e mbikëqyr në çdo vend dhe e vështron në çdo kohë, e nxit për mirësi, e largon nga mëkatet dhe ia largon rrugën e nënçmimit, duke i qartësuar rrugën e të mirës dhe të keqes: “Vallë a mos kujtojnë ata, se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë”.([1])
Feja përmbledh të gjitha të mirat dhe nxit moralet e larta. Çdo të mire i ka përcaktuar shpërblim dhe çdo morali të lartë i ka përcaktuar efikasitet. Ajo fton në pastrimin e vetes dhe lartësimin e saj, fton në dëlirësinë e shpirtit dhe pastërtinë e tij: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë”.([2])
Feja fton për sakrificë në rrugën e së vërtetës dhe për përkushtim në rrugën e udhëzimit të krijesave. Feja i garanton shpërblimin më të përsosur atij që e bën një gjë të tillë, i premton shpërblimin më të mirë atij që e ndjek këtë rrugë, e vlerëson të mirën edhe nëse është e vogël, e peshon të ligën edhe nëse është shumë e vogël, përkushtimin për të vërtetën e zëvendëson me përjetësi dhe vdekjen në xhihad e zëvendëson me ekzistencë reale: “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij…”.([3]) “Dhe në Ditën e Kijametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje”.([4])
Feja ia mbush njeriut shpirtin me lumturi dhe ia përgëzon zemrën me mirësinë, mëshirën, kënaqësinë dhe dashurinë e Allahut të Madhëruar, në këmbim të interesave materiale të kësaj bote: “Gjithçka që keni ju, është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu, është e përhershme”.([5])
Feja i përmbledh të gjitha këto dhe përveç kësaj ajo përputhet me natyrën e pastër njerëzore, përzihet me zemrat, futet ndër shpirtra duke u bërë njësh me to, futet në thellësi të shpirtrave dhe udhëton me mendjet, nuk largohet prej tyre dhe as nuk kthehet më mbrapsht.
Feja ia hap zemrën edhe fshatarit aty në arën e tij, e gëzon punëtorin në fabrikën e tij, e bën për vete fëmijën në mejtep. Nëpërmjet saj, dijetari e përjeton ëmbëlsinë e diturisë në kërkimet e tij, ndërsa filozofit i lartësohen meditimet dhe idetë që ka.
Mos vallë ke parë pushtet më të fuqishëm se feja mbi shpirtin e njeriut?! A ke parë në historinë njerëzore dhe në jetën e popujve e kombeve, që diçka tjetër – përveç fesë – të ketë ndikim më të madh se ajo? A ke parë ndonjë filozof apo shkencëtar, i cili të ketë atë ndikim të thellë te njerëzit, ashtu siç kanë pasur ndikim lajmëtarët e Allahut të Madhëruar dhe të dërguarit e Tij?! Betohem në Allahun që nuk ke parë dhe as nuk ke për të parë kurrë.
Feja është shkëndijë nga Shpirti i Allahut që lëviz në thellësi të shpirtrave të njerëzve dhe në çdo qelizë të tyre, ndriçon errësirat dhe shpërthen me dritën e saj, duke zënë vend në zemra dhe duke i hapur ato. Nëse feja e pushton të gjithë qenien, atëherë qenia sakrifikon çdo gjë për të (fenë): “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”.([6])
Feja – me shenjtërinë dhe madhështinë e saj – lartësohet mbi çdokënd, prevalon ndaj çdo mendjeje (ideologjie), është larg çdo falsiteti dhe mashtrimi, është e pastër nga çdo imitim dhe kopjim. Ajo bashkon zemrat dhe lidh shpirtrat, e zhduk farën e armiqësisë dhe shkaqet e mospajtimeve, duke shtuar kështu qëndrueshmërinë. Feja orienton zemrat vetëm për tek Allahu i Madhëruar, duke larguar shpirtin nga interesat e ngushta, nga lakmitë, nga epshet dhe kënaqësitë, e lartëson shpirtin me objektiva dhe vepra për të arritur gradat e të vërtetëve, të sinqertëve, të cilët me punën e tyre kanë për synim vetëm Fytyrën e Allahut të Madhëruar dhe nuk shpresojnë nga asnjë njeri shpërblim apo falenderim për atë që bëjnë: “Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të”!([7])
Feja e lartëson besën deri në gradën e martirizimit, duke e konsideruar detyrim atë. Besniku i lutet Allahut të Madhëruar që të bjerë dëshmor, duke e konsideron këtë gjë si mirësi, me të cilën afrohet tek Allahu i Madhëruar. Ky veprim është argument për burrërinë e plotë të tij dhe vullnetin e sinqertë që ka: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre. Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre…”.([8])
Feja është foleja e mendimit të drejtë dhe çerdhja që bashkon shpresat e shpërndara, ajo është simbol i aspiratave individuale, shoqërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto fjalë marrin kuptim, kur lexojmë ajetin: “Në të vërtetë, krenaria (fuqia) është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë”.([9])
Disa mendojnë se vlerat morale të Umetit reformohen nëpërmjet diturisë dhe kulturës, disa të tjerë mendojnë se reformimi i këtyre vlerave arrihet nëpërmjet letërsisë dhe arteve, disa të tjerë janë të mendimit se reformimi arrihet nëpërmjet zgjidhjeve politike, ndërsa disa të tjerë zgjodhën rrugën e stërvitjes së shpirtit. Të gjithë këta kanë arritur pjesërisht ta përcaktojnë drejt kuptimin e këtyre fjalëve, por edhe kanë gabuar, i janë afruar objektivit, por edhe i janë shmangur. Këtu nuk është vendi as për kritikë dhe as për përcaktim termash, por dua të them se “Vëllezërit Muslimanë” kanë mendimin se metoda më efikase për reformimin e shpirtit të individëve të Umetit është feja (zbatimi i saj). Gjithashtu, “Vëllezërit Muslimanë” kanë bindjen se feja Islame ka përfshirë të gjitha të mirat e këtyre metodave dhe ka shmangur të gjitha të ligat, prandaj në këtë fe zemra qetësohet dhe kraharori zgjerohet.
Hapi i “Vëllezërve Muslimanë” për pastrimin e shpirtit dhe reformimin e individit është: “Përcaktimi i metodës duke iu përmbajtur parimit”. Në bazë të këtij parimi është ngritur besimi i “Vëllezërve Muslimanë”, i cili është nxjerrë nga Libri i Allahut të Madhëruar dhe Suneti i të Dërguarit të Tij (Paqja qoftë mbi të). Ky besim nuk del as sa një fije floku nga këto suaza. “Vëllezërit Muslimanë” ia kanë bërë detyrë vetes ruajtjen dhe zbatimin e këtij besimi, por vetëm brenda këtyre kufijve, duke e zbatuar atë dhe duke praktikuar ato që rrjedhin prej tij. Unë mendoj, se kjo është metodë praktike për edukimin e shpirtit dhe reformimin e virtyteve. Në lidhje me këtë, i kujtoj çdo vëllai musliman se e ka për detyrë që të ruajë besimin e tij dhe të zbatojë atë që rrjedh nga detyrimet fetare: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)”!([10])
Autor: Hasan El Benna
Përktheu: Rushit Musallari