Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Përballje e ashpër e kandidatëve për kryeministër të Britanisë

Përballje e ashpër e kandidatëve për kryeministër të Britanisë

Rishi Sunak dhe Lizz Truss janë përballur me njëri-tjetrin sa i përket të ardhmes së ekonomisë britanike, në debatin e tyre të parë televiziv.

Ish-sekretari britanik i Thesarit dhe ministrja e Jashtme britanike garojnë për pozitën e kryetarit të Partisë Konservatore, pozitë që mundëson me automatizëm edhe pozitën e kryeministrit, pas dorëheqjes së Boris Johnsonit javë më parë.

Sunak i ka thënë Trussit se plani i saj për taksa “do të përballë miliona njerëz me mjerim” dhe diçka e tillë do të bie si barrë për Partinë Konservatore në zgjedhjet e ardhshme.

Truss ka thënë se rritja e taksave, vendim i Sunakut, do të çojë në recesion.

Të dy garuesit – të cilët kanë qenë në kabinetin e njëjtë deri tri javë më parë – kanë pasur me raste qëndrime shumë të ashpra ndaj njëri-tjetrit.

Pas debatit, mbështetësit e Trussit janë ankuar se Sunak ka qenë shumë agresiv ndaj saj, diçka që kampi i Sunakut e ka mohuar.

Megjithatë, të dy kanë zbutur tonet në fund të debatit.

Truss ka thënë se do të donte ta kishte Sunakun në ekipin e saj, nëse bëhet kryeministre.

Sunak, në anën tjetër, ka lavdëruar qëndrimin e Trussit ndaj Rusisë.

Të dy konkurrentët do të bëjnë fushatë në javët në vijim për të bindur rreth 180,000 anëtarët e Partisë Konservatore me të drejtë vote.

Fituesi i zgjedhjeve do të bëhet publik më 5 shtator.

Johnson, i cili ka dhënë dorëheqje më 7 korrik, pas disa muajsh të skandaleve etike, vazhdon të jetë në krye të Qeverisë britanike, derisa t’i zgjidhet pasardhësi. /rel

Exit mobile version