Përballë vetvetes

Dr. Ejup Haziri

Jeni duke qëndruar në kinema dhe në çdo moment pritni që filmi për të cilin keni ardhur të fillojë, shikoni sallën e kinemasë që është e stërmbushur me njerëz që kanë ardhur për të njëjtin qëllim. Sytë e tyre i janë drejtuar aparatit kinematografik dhe me ëndje të madhe presin fillimin e filmit. Vjen edhe çasti i caktuar dhe në ekran dalin skenat e para. Si do të ndihesh nëse krejt papritmas, fillon filmi që do të elaboronte një pjesë të jetës sate, që do të ketë përgjuar ndokush pa dijen tënde? Sa fillon filmi, fillojnë edhe skandalet, marrëzitë dhe mëkatet e tua të vazhdueshme! Shikon ekranin e zmadhuar dhe ja, e sheh veten, sodit mendjen se a je në ëndërr apo, ajo që sheh, është realitet e jo fantazi, fshin sytë se mos vallë ato pamje janë imagjinata, por gabon, sa t’i hapësh sytë, ngase skenat skandaloze mbesin të njëjta, dhe tashmë bindesh se personi në aparatin kinematografik je pikërisht ti e jo dikush tjetër. Shikon përreth vetes, sa në të djathtë e sa në të majtë, dhe ja që të gjithë sytë e tyre janë drejtuar nga ti. Ul kokën poshtë nga turpi, fytyra të skuqet, trupi të dridhet nga ajo që sheh, zemërimi të kaplon, ndërsa pulsi i zemrës sate sa vjen e shtohet. Të gjitha ato që i sheh, janë veprimet e tua, që ndoshta, në çastet e veprimit, veten do ta kesh konsideruar të guximshëm e ndoshta edhe revolucionar. Sheh padrejtësitë e tua karshi të dëmtuarve, zhytjen tënde në nderet e njerëzve, bartjen e gënjeshtrës, përgojimet, premtimet e thyera, mashtrimet e kota, mëkatet e ndryshme, sheh gjithçka, madje edhe imtësitë më të vogla, po të tëra këto skena nuk janë të ekzagjeruara, veçse një realitet i vërtetuar me fakte e dëshmi që tronditin rëndë ndërgjegjen tënde, saqë fjalët, sado të fuqishme që të jenë, prapëseprapë nuk mund ta shprehin gjendjen e atyre çasteve. Shikon poshtë dhe lutesh që të të hapet toka dhe ti të zhytesh në brendësinë e saj. Ndien se toka të është ngushtuar ani pse është mjaft e gjerë. Ngre kokën lart dhe lutesh që Zoti të ta marrë shpirtin para se të turpërohesh dhe të poshtërohesh para gjithë asaj turme njerëzish. Por, për çudi, as toka nuk hapet dhe as qielli nuk të bie sipër, e as vdekja nuk vjen, edhe pse ti e kërkon me ngulm. 
Gjërat që dikur ishin në dorën tënde, tashmë janë në dorën e dikujt tjetër dhe fatkeqësisht fuqia jote për të ndaluar skandalet e tua, janë tentativa të kota dhe krejtësisht të pavlera. A do të ngrihesh para gjithë atyre njerëzve dhe ta lëshosh sallën e kinemasë apo do të vazhdosh, ashtu i turpëruar dhe tepër i dëshpëruar, të shohësh marrëzitë skandaloze të jetës sate? Nëse ngrihesh, pa dyshim që të gjithë ata shikimin e tyre do ta drejtojnë nga ti, e nëse mbetesh aty, atëherë poshtërimi sa vjen e të shtohet. 
Sigurisht që asnjëra prej këtyre nuk do të duket ndonjë zgjidhje, madje që të dyja të duken si një ekuacion algjebrik, por para vetes s’ke ndonjë rrugëdalje tjetër. 
Shikon orën dhe mendon se akrepat kanë ndaluar dhe se ora nuk ecën fare. Koha të duket e gjatë dhe ato inserte filmi bëjnë të dukesh sikur je ulur aty një kohë të gjatë, për vite e ndoshta edhe për dekada. 
Shqetësimet e brendshme janë të papërshkruara. Brenga, mundime, mërzitje e madhe, ngushtime të tepërta, hall e siklete, janë vetëm disa prej shqetësimeve që të shoqërojnë në ato çaste të vështira dhe kritike.
Mendon se si do të vijë fundi, por fundi është larg, dhe për të arritur fundi, duhet kohë dhe durim i madh për t’i përballuar ato shqetësime të mëdha.
 Ky ishte një përfytyrim dhe figurë imagjinare, që mund të ndodhë edhe në realitet, por një përfytyrim imagjinar që i ngjan një dite tjetër, që është realitet dhe pasqyrim real. 
Ajo është dita kur, pas ringjalljes, do të qëndrojmë përballë Zotit, në mënyrë që të japim llogari për vetveten tonë, do të jetë e gatshme çdo gjë që kemi vepruar, sa ishim gjallë. Do të na paraqitet edhe libri i llogarisë së përpiktë. Lexo se ç’thotë i Plotfuqishmi: “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!
E po, imagjinoje këtë situatë, i ndalur me gjithë njerëzimin, shikon në të djathtë e fundi i njerëzve nuk shihet fare; shikon në të majtë e gjendja është e njëjtë si në anën tjetër. Dielli të është afruar mbi kokë, djersët të mbulojnë këmbët, shikimi yt është shumë i mprehtë, shpresa sa vjen e zbehet, shpëtimi kushtëzohet nga libri i dhuruar ose nga amëshira e falur e Krijuesit tënd. Para vetes ke librin tënd, ku është regjistruar çdo detaj i jetës sate. Nuk mund të besosh se është regjistruar tërë ajo që ke vepruar, por nuk mund t’i mohosh faktet. Sheh se asgjë nuk është shtuar, një llogari e drejtë. Lexon librin tënd, apo më mirë të themi lexon marrëzitë e tua, ndalesh pranë mëkateve, gabimeve dhe marrëzive të tua në jetën e kaluar. Fryma mezi del e gjuha mezi shqipton, fytyra të skuqet kur kalon pranë të këqijave që ke vepruar, këmbët të dridhen dhe mezi të mbajnë, por leximin e atij libri duhet ta vazhdosh. 
Çuditesh kur sheh para vetes shumë njerëz, që qëndrojnë pranë teje, të gjithë ata kërkojnë dëmshpërblim nga ti. O Zot! Sa ma vështirësojnë gjendjen! Po ndoshta ke harruar se edhe ti i ke vështirësuar gjendjen dikujt. Këta të ardhurit, janë ata të cilëve u ke bërë padrejtësi në jetën tënde: ke bërë shpifje, ke nëpërkëmbë nderin, ke gënjyer, ke bartur fjalë, ke bërë këtë e atë, prandaj ata tani kërkojnë dëmshpërblim prej teje. Si do t’ia bësh këtij halli? Çka do t’u japësh atyre në ato momente kritike? Do t’ua japësh të mirat e tua, nëse të mjaftojnë për të gjithë ata, e nëse nuk të mjaftojnë, atëherë do t’ua marrësh të këqijat. Vaj halli për llogarinë tënde të asaj dite të tmerrshme, sa ditë e gjatë dhe sa e vështirë do të jetë! Dhashtë Zoti të mos jemi prej atyre që atë ditë do të tmerrohen: 
“Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe a të vogël pa e shënuar”.  Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El- Kehf: 49) 

Dituria Islame 232

Dr. Ejup Haziri