Përballë Shtëpisë së Bardhë ngritet kampi i solidaritet me Gazën

Protestuesit pro-palestines mbrëmë kanë ngritur një kamp solidariteti për Gazën përballë Shtëpisë së Bardhë, raporton Anadolu.

Kampi në Ellipse, parku prej 52 hektarësh drejtpërdrejtë në jug të Shtëpisë së Bardhë, u ngrit pasi mijëra demonstrues u mblodhën dje jashtë Shtëpisë së Bardhë për të protestuar ndaj politikës së presidentit Joe Biden në lidhje me sulmin izraelit në Rripin e Gazës, kryesisht për pushtimin e qytetit Rafah.

Të veshur me të kuqe, protestuesit rrethuan ndërtesën me një banderolë të kuqe prej dy miljesh për të simbolizuar “vijën e kuqe” të presidentit Biden në lidhje me pushtimin e qytetit Rafah nga Izraeli.

Më parë, Biden tha se pushtimi i Rafahut do të kalonte “vijën e kuqe”, por zyrtarë të lartë amerikanë u tërhoqën shpejt nga këto komente, duke theksuar se presidenti nuk vendosi asnjë “vijë të kuqe” për Izraelin derisa po kryen ofensivën ushtarake.

Policia forcoi sigurinë dhe vendosi masa shtesë sigurie pranë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë gardhe.

“Biden, ne jemi vija e kuqe”, thanë protestuesit, duke i kërkuar presidentit të ndalojë “gjenocidin” në enklavën e rrethuar. Ata gjithashtu kërkuan ndalimin e dërgimit të armëve në Izrael.

Disa nga pankarta shkruanin “Gjenocidi është vija jonë e kuqe”, “Linja e kuqe e Biden-it ishte një gënjeshtër”, “Larg duart nga Rafah”, “Embargo armësh ndaj Izraelit” dhe të tjera.

Duke mbajtur flamuj palestinezë, protestuesit kanë brohoritur edhe parulla kundër presidentit, duke thënë: “Biden nuk mund të fshihesh, ne të akuzojmë për gjenocid!”

Biden aktualisht është në një vizitë shtetërore në Francë.

Presidenti është përballur me një valë protestash mbarëkombëtare për trajtimin e konfliktit të Gazës.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Të paktën 36.800 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 83.600 të tjerë janë plagosur. Tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.