Ballina Kulturë Libra Perandoria dhe kultura: Lexime kontrapunktale

Perandoria dhe kultura: Lexime kontrapunktale

Enis Sulstarova

“Perandoria dhe kultura: Lexime kontrapunktale”
(Recension i botuar ne revisten “Shenja”, gusht 2023.)

Nga: Enis Sulstarova

Në mars të vitit 2003, disa muaj para se të ndërronte jetë, Eduard Saidi [Edward W. Said] e përmblidhte në këtë mënyrë synimin e kritikës paskoloniale: “Çështja është që të mbahen parasysh dy ide, që në shumë mënyra janë antiteza: fakti i ndarjes perandorake, në njërën anë, dhe koncepti i përvojave të bashkëndara, në anën tjetër, por pa e zvogëluar fuqinë e secilës prej tyre”. Saidi me “ndarje perandorake” sigurisht që kuptonte dallimin midis të kolonizatorëve të bardhë dhe të kolonizuarve me ngjyrë që ndodhej në bazë të justifikimit të imperializmit evropian, ndërsa me “përvoja të bashkëndara” ai kërkonte të tregonte se historitë e kolonizatorëve dhe të të kolonizuarve ndërthuren pikërisht prej imperializmit dhe se ato vijojnë të ndikojnë kulturat edhe pas përmbylljes së epokës së kolonizimit. Përhapja dhe konsolidimi i kritikës (teorisë) paskoloniale në shkencat humane dhe shoqërore i detyrohet në një masë të madhe veprës së Saidit, sidomos librave “Orientalizmi” dhe “Kultura dhe imperializmi”. I dyti është përkthyer në gjuhën shqipe nga Arjol Guni dhe është botuar kohët e fundit nga shtëpia botuese Logos-A, e cila më parë ka botuar dhe “Orientalizmin”.
Ky recension i “Kulturës dhe imperializmit” botohet në revistën “Shenja” 30 vite pas botimit fillestar të librit në gjuhën angleze dhe 20 vite pas vdekjes së Saidit. Ndërsa lexuesit shqiptarë mund të njohin më mirë tezën qendrore të Orientalizmit, edhe për shkak të zbatimit të tij në studimet shqiptare, edhe “Kultura dhe imperializmi” ia vlen të lexohet me kujdes, jo vetëm si një vepër që vijon dhe plotëson “Orientalizmin”, por edhe si një studim i mëvetshëm i pasojave të imperializmit te kultura e metropolit dhe te (ish-)kolonitë. “Orientalizmi” është një kritikë e fuqishme e keq-përfaqësimit të kulturave dhe historive të vendeve joevropiane si inferiore dhe të mangëta në raport me historitë dhe kulturave perëndimore, gjithnjë në funksion të sundimit kolonial dhe të hegjemonisë së përgjithshme perëndimore mbi botë në epokën moderne. Mirëpo, kritikë të ndryshëm vunë në dukje me të drejtë se Saidi në këtë vepër nuk i ka bërë vend qëndresës dhe përgjigjeve kulturore të vendasve ndaj kolonizimit. Këtë mungesë Saidi është përpjekur ta plotësojë te “Kultura dhe imperializmi”, ku ai merr në analizë vepra letrare të shkrimtarëve të shquar perëndimorë të shkruara në epokën e kulmimit të imperializmit evropian dhe vepra të autorëve joperëndimorë që kundërshtojnë imperializmin. Po kështu, gjeografia që mbulon kjo vepër është më e gjerë sesa ajo “Orientalizmit”, i cili kishte të bënte kryesisht me Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Ashtu siç ka vepruar dhe te “Orientalizmi”, Saidi te studimi “Kultura dhe imperializmi” përqendrohet te perandoritë moderne britanike dhe franceze në shek. XVIII-XX dhe te politika globale amerikane në gjysmën e dytë të shek. XX. Edhe pse Saidi më parë ka qenë kritikuar për lënien jashtë të perandorive të tjera koloniale (spanjolle, portugeze, holandeze, gjermane, belge, ruse, italiane), ai e mbron zgjedhjen e tij edhe te parathënia e këtij libri, me argumentin se shtrirja e kolonive të Britanisë së Madhe dhe Francës ishte ku e ku më e gjerë dhe se ajo justifikohej me një sërë supozimesh të epërsisë së njeriut të bardhë mbi racat e tjera. Gjithashtu, Britania e Madhe, Franca dhe më pas SHBA kanë qenë në këtë periudhë shtetet dhe shoqëritë përfaqësuese të modernitetit dhe kulturat e institucionet e tyre janë imituar kudo nëpër botë.
Çfarë ka të veçantë kultura në epokën e imperializmit? Imperializëm do të thotë të planifikosh dhe më pas të kolonizosh e të kontrollosh një territor ku jetojnë popuj të tjerë që e kanë pasur në zotërim këtë territor më parë. Si pasojë e imperializmit, në të njëjtin territor takohen e gërshetohen kultura që nuk kanë pasur më parë të bëjnë me njëra-tjetrën dhe nis një proces i ndikimit të ndërsjellë. Në fakt, siç thotë Saidi, projekti imperialist fillon me një përgatitje kulturore përpara se të ndodhë kolonizimi përtej deteve: “Pikërisht sikurse kultura mund ta bëjë të prirë dhe ta përgatisë në mënyrë aktive një shoqëri për dominime përtej detit të shoqërive të tjera, ajo gjithashtu mund ta përgatitë atë shoqëri për të hequr dorë nga ideja e dominimit përtej detit apo për ta modifikuar atë” (f. 367). Në krahun tjetër, qëndresa e vendasve ndaj kolonizatorëve kërkon edhe ajo një përgatitje kulturore: vendasit hedhin vështrimin drejt së kaluarës parakoloniale për të (ri)krijuar idenë e një bashkësie politike, por ata edhe huazojnë nga arsenali i kulturës moderne perëndimore. Kjo duket qartë te nacionalizmi kundërkolonial, që nuk është thjesht imitim i nacionalizmit evropian, por njëkohësisht edhe “këmbëngulj(e) mbi të drejtën për ta parë historinë e komunitetit tënd në të gjithë kompleksitetin e vet, me koherencë dhe në mënyrë integrale” (f. 393). Gjithsesi, kur flasim për “kulturën”, kemi parasysh jo vetëm kuptimin etnografik të saj (kultura e përveçme si identifikues i një shoqërie apo populli), por edhe kuptimin e kulturës si thesar i më të mirës që është krijuar dhe menduar nga shoqëritë (p.sh. artet, muzika, filozofia) dhe që ia vlen të ruhet për të përmirësuar vetëdijen dhe sjelljen e njerëzve ndaj njëri-tjetrit. Prej këndej mund të pyesim se si ka mundësi që fuqitë imperialiste në epokën e imperializmit i kanë falur njerëzimit krijime të rafinuara në letërsi, arte, muzikë, shkencë, arkitekturë, filozofi etj., por njëkohësisht kanë qenë përgjegjëse për disa nga barbaritë më të shëmtuara që janë bërë ndonjëherë në emër të “qytetërimit”, siç ishte skllavëria?
Pyetja më sipër mund të formulohet ndryshe: Si kanë bashkëvepruar “kultura e lartë” me faktet materiale të imperializmit evropian? Për t’i dhënë përgjigje, Saidi, si specialist i letërsisë së krahasuar që është, merr si shembull zhanrin e romanit. Romani është një zhanër i hapur e enciklopedik, ku mund të përfshihet gjithçka, sidomos të dhëna e vlerësime për kontekstin shoqëror e politik të shkrimit të tij. Romani është edhe shkalla më e lartë e rrëfimit artistik, por rrëfimi përbën edhe trajtën themelore të identiteteve kolektive dhe të institucioneve politike, si kombi, shteti e perandoria. Romani është karakterizuar edhe si zhanri i parapëlqyer i borgjezisë në rritje e në fazën e saj hegjemoniste, sidomos romani realist i shek. XIX-XX. Pra, si paraqiten imperializmi dhe kolonializmi në romanin evropian? Saidi vëren se romani klasik “Robinson Kruzo” është tregues i frymës imperialiste: Robinson Kruzoja është një evropian i cili krijon “perandorinë” e tij në një ishull të pabanuar deri atëherë dhe qytetëron vendasin e egër Premti, pasi e shpëton atë nga duart e kanibalëve. (A nuk është emri Premti, me të cilin Kruzoja pagëzon vendasin që erdhi në ishull një ditë të premte, një shenjues jo vetëm i mosmarrëveshjes fillestare midis kolonizatorëve dhe të kolonizuarve, por edhe i arrogancës e shpërfilljes së të parëve ndaj kulturës dhe identitetit të vendasve?). Edhe nëse Defoja ka pasur synime të tjera për romanin e tij, leximi i tij në epokën koloniale legjitimonte kolonizimin prej evropianëve të territoreve “të zbrazëta” apo me “turma” të paqytetëruara. “Robinson Kruzoja” përmendet nga Saidi si një shembull i historisë së përbashkët të zhanrit të romanit dhe të kolonizimit evropian, sepse pjesa qendrore e analizës së tij përqendrohet te autorë të “kanonit” perëndimor nga mesi i shek. XIX deri në mesin e shek. XX, si Çarls Dikens, Gustav Flober, Xhozef Konrad, Xhejn Osten [Jane Austen], Rudjard Kipling, Albert Kamy etj. Në kulmin e imperializmit, audienca e synuar e këtyre autorëve ishte ajo perëndimore, edhe atëherë kur gjeografia e veprave të tyre përfshinte kolonitë.
Analizën e tij në këtë libër Saidi e “kontrapunktale”, duke huazuar një term muzikor që ka të bëjë me dy linja melodike të pavarura që luhen njëkohësisht dhe krijojnë harmoni. Me “lexim kontrapunktal”, Saidi kërkon që idetë dhe kuptimet e gjeneruara nga teksti letrar të shihen të lidhura me strukturat materiale e ideore jashtë tij dhe te të cilat ai gjen mbështetje. Leximi kontrapunktal ndërthur koherencën e brendshme të tekstit, imagjinatën që autori krijon përmes rrëfimit dhe personazheve me realitetet bashkëkohore e historike që vepra e tij merr si referencë apo i injoron, në këtë mënyrë duke hapur mundësi për interpretime të tjera të vetë tekstit. Shembulli më kuptimplotë i leximit kontrapunktal që ndeshim te Kultura dhe imperializmi është romani “Mansfield Park” (Parku Mansfilld) i Xhejn Ostenit. Ngjarjet zhvillohen në një çiflig anglez të zotëruar nga familja e pasur Bertram. Edhe pse në roman përmendet shkarazi plantacioni i sheqerit të Tomas Bertramit në Antigua, si për të justifikuar mungesën e tij të gjatë nga Parku Mansfilld, faktikisht pasuria e tij dhe prona në fshatin anglez i detyrohet pikërisht plantacionit në koloni dhe krahut të punës së skllevërve. Kështu, Saidi merr një element periferik të romanit dhe e vendos në qendër, duke e konsideruar si strukturën referuese që mban në këmbë të gjithë rrëfimin. Kur zhvillimet në familjen e tij në Parkun Masfilld duket po se po dalin jashtë kontrollit, është kthimi i Tomas Bertramit ai që rivendos rendin dhe ruan normat morale, sepse “të mbash dhe të sundosh pronën në Mansfield Park do të thotë, në miniaturë, të mbash dhe të sundosh pronat koloniale që janë të lidhura ngushtë me të, për të mos thënë të pashmangshme me të. Ajo që e garanton qetësinë dhe harmonië atraktive të njërës është produktiviteti dhe disiplina e rregulluar e tjetrës” (f. 180). Me anë të leximeve kontrapunktale të romaneve të tjerë, si Kimi i Kiplingut, “Zemra e errësirës” e Konradit, apo “I huaji” i Kamysë, Saidi tregon se perandoria koloniale merrej si e mirëqenë në kulturën publike metropolitane. Edhe nëse imperializmi kundërshtohej, edhe nëse kishte debate mbi mënyrat e administrimit të kolonive, pothuajse kurrë nuk vihej në kundërshtim epërsia e njeriut të bardhë evropian ndaj “vendasve”. Dënimi i imperializmit në metropolet evropiane nisi atëherë kur kryengritjet e të kolonizuarve u bë aq serioze saqë nuk mund të shpërfilleshin dhe mundësia e shkolonizimit u bë reale.
Si kundërshtues të imperializmit nga bota koloniale dhe paskoloniale, Saidi merr në shqyrtim vepra të autorëve si Franc Fanon [Frantz Fanon], Emi Sizer [Aimé Cézaire], Selman Ruzhdi, Ngugi Va Thiongo [Ngŭgĭ Wa Thiong’o] etj. Në këtë pjesë të librit teksti qendror është eseja “Të mjerët e botës” e Franc Fanonit [Frantz Fanon], i cili ishte një veprimtar i lëvizjes algjeriane për pavarësi nga Franca. Siç dihet dhe Saidi ishte veprimtar i lëvizjes për pavarësi të palestinezëve dhe kjo është arsyeja pse atë e tërheqin shkrimet e Fanonit, sidomos trajtimi që ky i fundit i bën nacionalizmit kundërkolonial. Saidi më se njëherë në librin e tij na kujton se Fanoni edhe pse e përkrahte nacionalizmin e “vendasve” e shihte si të pamjaftueshëm nëse ai nuk do të shoqërohej nga një vetëdije e spikatur shoqërore. Përndryshe, sundimi kolonial do të zëvendësohej nga një sundim po aq i ashpër me petka “kombëtare” i borgjezisë kompradore, e cila do të imitonte mënyrat e zotërinjve të bardhë. Nuk është se Saidi nuk e përkrah nacionalizmin kundërkolonial, ai thotë se është fakt historik që “nacionalizmi – restaurimi i komunitetit, theksimi i identitetit, lindja e praktikave të reja kulturore – kudo në botën joevropiane, si një forcë politike e mobilizuar, ka nxitur dhe më pas ka avancuar luftën kundër dominimit perëndimor. T’i kundërvihesh kësaj do të ishte po aq e pavlerë sa t’i kundërvihesh zbulimit të gravitetit nga Njutoni” (f. 397). Mirëpo një pjesë e mirë e regjimeve paskoloniale në Botën e Tretë rezultuan shkatërrimtare të shpresës çlirimtare që përmbanin në fillim lëvizjes kundërkoloniale. Kjo ka dëshpëruar shumë prej përkrahësve perëndimorë të këtyre lëvizjeve, aq sa janë shtuar zërat për “rikthimin” e një imperializmi “beninj” të Perëndimit që të marrë nën kontroll botën prej anarkisë dhe keq-qeverisjes.
Këtu duhet kujtuar se “Kultura dhe imperializmi” nuk është një vepër historike, por një kritikë bashkëkohore e imperializmit që nuk e pranon emrin e tij. Shqetësimi i Saidit është politika globale e Amerikës nën emërtimet e Rendit të Ri Botëror, të “përgjegjësisë” apo “destinit” të saj për të qenë mbrojtëse e lirisë në të gjithë botën. Saidi ka parasysh Luftën e Gjirit, e cila edhe pse u sanksionua nga OKB-ja, në një masë të madhe u realizua nga SHBA-ja. Amerika e sheh veten si ligjvënëse e rendit ndërkombëtar, por gjithnjë duke e mbajtur veten jashtë këtij rendi. Gjithsesi, Amerika është një shoqëri shumëkulturore e demokratike dhe roli i përveçëm i saj në botë nuk mund të ndërmerret pa përkrahjen e opinionit publik të këtij vendi. Mirëpo ndryshe nga pritshmëritë pozitive të përhapura në opinionin publik amerikan, shpeshherë ndërhyrjet e SHBA-së nëpër shtete të tjera i kanë lënë këto në një gjendje më të keqe sesa ishin më parë. Sigurisht që Saidi ka parasysh Luftën e Vietnamit dhe përkrahjen amerikane për diktaturat në kuadër të Luftës së Ftohtë. Nëse ne sot do të përdornim të njëjtin këndvështrim do të mendonim për shpresat fillestare për të përhapur demokracinë në Irak dhe në Lindjen e Mesme dhe për situatën e tanishme në këtë rajon. Po kështu, për faktin se talibanët janë rikthyer në pushtet në Afganistan dhe janë në një pozitë më të fuqishme sesa ishin para ndërhyrjes amerikane në këtë vend. Saidi ngre pyetjen se cili mund të jetë roli i kulturës për të mos bërë të mundur përsëritjen e imperializmit me një veshje tjetër. Shpresa e tij në mbyllje të librit është roli i kulturave të hapura për të lidhur shoqëritë dhe njerëzit dhe për t’i ndërgjegjësuar për rreziqet që i kanosen lirisë në të ardhmen. Trashëgimia e imperializmit evropian ishte përzierja e kulturave në një shkallë të madhe sesa më parë, mirëpo, në mënyrë paradoksale ishte imperializmi ai që i bëri “njerëzit të besonin se ata ishin vetëm, kryesisht, ekskluzivisht të bardhë, apo të zinj, apo perëndimorë, apo orientalë” (f. 588). Prandaj, shkruan Saidi në mbyllje të librit, “është më shpërblyese – dhe më e vështirë – që të mendohet konkretisht dhe me mirëkuptim, në mënyrë kontrapunkt (!), për të tjerët se sa të mendojmë vetëm për ‘ne’. Por kjo gjithashtu do të thotë që të mos përpiqemi që të qeverisim të tjerët, që të mos orvatemi që t’i klasifikojmë ata, apo t’i vendosim ata me forcë në rende hierarkike, dhe, mbi të gjitha, të mos përsërisim pareshtur që kultura ‘jonë’ apo vendi ‘ynë’ është i pari mbi të gjitha (apo që nuk është, për të tepër)” (f. 588-589).
Mendojmë se kumti i mësipërm është i vlefshëm edhe për lexuesit shqiptarë të librit “Kultura dhe imperializmi”, sidomos për intelektualët, studiuesit e shkencave humane e shoqërore dhe opinion-bërësit mediatike, të cilët, të marrë së bashku, duket se janë publiku kryesor që synon libri. Sikurse “Orientalizmi” para tij, “Kultura dhe imperializmi” është një libër polemik dhe autori i tij nuk i fsheh pikëpamjet e veta politike. Edhe nëse lexues shqiptarë nuk bien në një mendje me autorin, leximi i këtij librit e shpërblen kohën e kushtuar. Kjo është e sigurt sidomos për ata lexues që marrin kënaqësi nga procesi i leximit dhe nga letërsia, sepse në faqet e tij do të gjejnë disa prej kryeveprave të letërsisë botërore (dhe operën “Aida” të Verdit), të interpretuara me zgjuarsi, erudicion dhe elegancë prej njërit prej intelektualëve më të shquar të shek. XX.
Përkthyesi ka bërë një punë të lavdërueshme, sepse frazeologjia e Saidit është e pasur dhe shpeshherë e ndërlikuar, dhe ky citon një shumësi tekstesh letrare dhe shkencore nga autorë të tjerë. Leximi i shqipërimit të Arjol Gunit rrjedh natyrshëm pa ngecje. Megjithatë, përkthyesi dhe redaktori do të duhej të kishin treguar kujdes që të mos u shpëtonin disa gabime. Në disa raste emrat janë shkruar me gërmë të madhe nistore, siç jepen në gjuhën angleze (p.sh. “Afrikanizmi”, “Kryqëzata”, kur do të duheshin vënë “afrikanizmi”, “kryqëzata”). Te togfjalëshat “lexim kontrapunkt” dhe “mënyrë kontrapunkt” duhej vënë gjithnjë trajta “kontrapunktal/e”. Ndonjë emër i përveçëm nuk është përkthyer saktë, p.sh. titulli i veprës “Lettres de Barbarie” është dhënë “Letra të Barbarisë”, por do të duhej të ishte “Letra nga Berberia”, ngaqë autori aty përshkruan udhëtimin e vet në Afrikën Veriore. Përtej këtyre shkarjeve të vogla, duhet thënë se botimi nga shtëpia botuese Logos-A është cilësor dhe të bën përshtypje grafika origjinale e ngacmuese që është vendosur në ballinë.

 

 

Exit mobile version