Që nga viti 2002, në aksidente të trafikut rrugor, kanë humbur jetën 2118 persona, ndërsa kanë ndodhur 225571 aksidente. Këto shifra konsiderohen alarmante nga Policia dhe nga ekspertët e sigurisë
Mbi 70 persona kanë humbur jetën në aksidentet në komunikacion vetëm gjatë tetë muajve të fundit. Në periudhën janar-gusht të vitit 2016, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, kanë ndodhur gjithsej 12776 aksidente në trafikun rrugor, me fatalitet kanë qenë 65 aksidente, ndërsa kanë humbur jetën 71 persona.
Kurse, nga 1 shtatori deri më 22 shtator kanë humbur jetën 7 persona, që krahasuar me muajin shtator të vitit të kaluar kanë humbur jetën 23 persona. Ndërkaq, gjatë vitit 2015 kanë ndodhur gjithsej 17722 aksidente në trafikun rrugor. Prej tyre me fatalitet kanë qenë 117 aksidente, ndërsa kanë humbur jetën 129 persona.
Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, që nga viti 2002, kohë kjo kur ky institucion posedon statistika të aksidenteve të trafikut rrugor kanë humbur jetën gjithsej 2118 persona. “Nga viti 2002, prej kur ne posedojmë statistika të aksidenteve të trafikut rrugor kanë ndodhur gjithsej 225571 aksidente të trafikut rrugor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për “Zërin”.