Për titullin e parë të botës, Distria duhet ta kalojë sensacionin nga Japonia

Uta Abe është vetëm bartësja e pestë në kategorinë deri 52 kilogramë në Kampionatin Botëror të Xhudos që prej 7 deri më 13 maj mbahet në Doha të Katarit. Por sensacioni i xhudos nga Japonia është favoritja e madhe për medalje të artë në kategorinë ku garon Distria Krasniqi.

Ndonëse i ka ende vetëm 22-vjet, Abe tashmë llogaritet prej xhudisteve më të mira në histori. Është kampione olimpike nga “Tokio 2020”, ndërsa ka fituar tre tituj të kampionit të botës.

Abe nuk paraqitet shumë në gara. Botërori do të jetë ngjarja e saj e parë këtë vit. Por sa herë paraqitet është dominuese. Së fundi ishte mposhtur në Lojërat Olimpike të Tokios, por në konkurrencë ekipore dhe në kategorinë deri 57 kg. Në kategorinë deri 52 kg, humbjen e fundit e ka pësuar në Grand Slamin në Osaka, më 22 nëntor të vitit 2019, nga francezja Amandine Buchard. Humbjen e vetme tjetër e ka të evidentuar në vitin 2016, në fillim të karrierës. Pra, seria e Abes është e jashtëzakonshme.

Edhe niveli i Distria Krasniqit është i jashtëzakonshëm. Distria synon medaljen e parë të artë në Botëror, dhe me shumë mundësi për ta fituar atë i duhet ta kalojë japonezen Abe.

“Të gjithë sytë janë te Uta Abe në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo është njëra prej xhudisteve më dominuese në planet. Në moshën 22-vjeçare xhudistja fenomenale nga Japonia është tashmë kampione e trefishtë dhe kampione aktuale e botës e po ashtu kampione aktuale olimpike. Aftësitë e saj spektakolare të hedhjes e bëjnë favorite sa herë që del në tatami”, ka shkruar IJF.

Për shkak se nuk merr pjesë shumë në gara, Abe nuk është e para në ranglistë e po ashtu nuk është bartëse e parë.

Francezja Amandine Buchard është bartësja e katërt. Buchard e Krasniqi vlerësohen aktualisht xhudistet e vetme që mund ta rivalizojnë Aben.

Buchardit humbjen e fundit ia ka shkaktuar pikërisht Distria. Këtë e bëri në Grand Slamin e Parisit këtë vit. Me francezen, Distria ka një fitore e dy humbje, të cilat i kishte pësuar vjet. Ndërkohë Krasniqi ka pësuar në dy përballjet me Aben. Prej saj humbi më 10 shkurt të vitit 2018 në Grand Slamin në Paris e po ashtu vjet në finale të garës Grand Prix në Zagreb. Nga përballja në Zagreb, Distria ka mësuar shumë dhe një përballje eventuale në Doha lehtë mund të ketë kah tjetër.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka konfirmuar se Distria është sfiduese e madhe. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kg në Botëror.

“Humbja e fundit e Buchard ishte nga Distria Krasniqi, sfiduesja e madhe për titull të kampionit në kategorinë deri 52 kg. Distria është kampione olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë. Ajo është hedhëse me stil dhe e fuqishme. Pas të bronztës vitin e kaluar në Botëror, Distria fitoi të artën në Masters dhe në Grand Slam të Parisit, ku kaloi Buchardin. Kështu që Distria do të synojë shkallën më të lartë të podiumit në Doha. Për të bërë këtë, me shumë mundësi do t’i duhet ta mposhtë Aben për herë të parë”, ka shkruar IJF.

Plot 44 xhudiste do të garojnë për titull të botës në kategorinë deri 52 kilogramë, ku për shumë vjet dominuese ishte Majlinda Kelmendin. Në këtë kategori nga Kosova paraqitet edhe Erza Muminoviq.