Për herë të parë, një grua do të referoj një ndeshje në Bundesligën gjermane në futboll.
Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka bërë të ditur se Bibiana Steinhaus (38), është vendosur në listën e referëve, ku pritet debutimi i saj që të dielën në takimin mes Herthës dhe Werderit i cili do të zhvillohet në Berlin.
Steinhaus, me profesion police, është bija e një ish-referi gjerman, me një përvojë dhjetëvjeçare të referimit në Bundesliga 2, ndërsa ka referuar edhe disa ndeshje të kupës së Gjermanisë.
Trajneri i Hoffenheimit, Julian Nagelsmann tha se paraqet kënaqësi fakti se një grua do të jetë gjyqtare në Bundesligë.
“Për mua nuk ka rëndësi nëse referi do të jetë burrë ose grua. Është me rëndësi që puna të bëhet mirë, prandaj nuk dyshoj në te”, tha Nagelsman.
Trajneri i Werderit, Alexander Nouri, tha se Steinhaus ka merituar besimin e dhënë. “Nuk është për tu habitur. Ajo ka merituar rolin që i është dhënë”, tha Nouri. /aa/