Për shkak të kufizimeve të vendosura nga Izraeli ndaj palestinezëve që vijnë nga Bregu Perëndimor i pushtuar, vetëm 80.000 palestinezë falën namazin e xhumasë së tretë të Ramazanit në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit thuhet se rreth 80 mijë njerëz u rreshtuan në xhaminë Al-Aksa për namazin e xhumasë së tretë të Ramazanit.
Pavarësisht kufizimeve të policisë izraelite dhe motit me shi, palestinezët u nisën për në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar që nga orët e mëngjesit.
Policia izraelite ngriti postblloqe në zonat përreth Qytetit të Vjetër në Kudsin Lindor ku ndodhet xhamia Al-Aksa dhe ushtroi kontrolle për karta identiteti dhe kontrolle trupore ndaj disa palestinezëve.
Policia izraelite njoftohet se transferoi 3.000 përforcime në Kudsin Lindor.
Disa palestinezë pas namazit të xhumasë qëndruan në xhaminë Al-Aksa për të hapur agjërimin këtu. Gjithashtu nga Al-Aksa nuk u larguan edhe disa palestinezë të cilët dëshironin të kryenin ‘itikafin’ për shkak të 10 ditëve të fundit të Ramazanit.
Palestinezët në Bregun Perëndimor u nënshtrohen “barrierave, kufizimeve dhe kushteve të kthimit në mbrëmje”
Autoritetet izraelite njoftuan në fillim të Ramazanit se një numër i kufizuar i grave mbi 50-vjeç dhe burrave mbi moshën 55-vjeç do të lejohen të vijnë nga Bregu Perëndimor.
Mediat izraelite raportuan se 10.000 palestinezë nga Bregu Perëndimor do të lejohen të shkojnë në Al-Aksa.
Palestinezët që shkojnë nga Bregu Perëndimor i pushtuar kanë theksuar se janë detyruar të presin në pikat e kontrollit për të arritur në Al-Aksa, se shumë prej tyre janë kthyer mbrapsht pavarësisht se ishin në moshë të përshtatshme dhe se atyre u është vendosur kushti që të largohen nga Kudsi dhe të ktheheshin në Bregun Perëndimor deri në mbrëmje.
Palestinezët thanë se ushtria izraelite ka lëshuar leje njëditore për ata që vijnë nga territoret e pushtuara dhe se për këtë kanë paguar 250 shekel izraelite (afërsisht 60 euro) dhe se ata duhej të tregonin shenjat e gishtave në pikat e kontrollit deri në orën 17:00 për t’u kthyer.
Policia izraelite rriti kufizimet dhe pengesat lidhur me namazin e xhumasë në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, veçanërisht pas 7 tetorit 2023.