Ballina Lajmet Kosovë Për SHBA-në, institucionet e Kosovës në veri janë plotësisht legjitime

Për SHBA-në, institucionet e Kosovës në veri janë plotësisht legjitime

Kushtetuta, sikurse edhe Institucionet e Kosovës janë plotësisht legjitime për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfshirë edhe ato të shtrira në veri të vendit.

Këtë qëndrim të ShBA’së e ka bërë të qartë sot Ambasadori Jeffrey Hovenier, në ceremoninë e shënimit të 25 vjetorit të NDI, duke shtuar se SHBA-ja është krenare për përkrahjen që ka dhënë në ndërtimin e tyre.

“Qëndrimi i SHBA-së është i pandryshuar, është i qartë dhe s’do të ndryshojë. Kushtetuta e Kosovës është legjitime. Institucionet e Kosovës janë plotësisht legjitime. Jemi të lumtur për përkrahjen që kemi dhënë për ndërtimin e këtyre institucioneve”, ka deklaruar Hovenier.

Këto deklarime duken sikur kundërpërgjigje ndaj deklarateve të fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq të premten në një konferencë për media shpalli, siç e quajti ai planin e detajuar me shtatë pika për Kosovën. Ai tha se bazat dhe pikat e kontrollit të Policisë së Kosovës në veri janë ndërtuar “në mënyrë të paligjshme”.

“Do doja të marrë ca minuta për të rikujtuar pozicionin e Qeverisë së SHBA-së për Kosovën. Po e bëj këtë sepse mendoj se është shumë e rëndësishme që të mos ketë keqkuptime apo keqprezenzim të pozicionit të SHBA-së. Më 2008, SHBA e njohu Kosovën si shtet sovran të pavarur dhe sovran. Ne e bëmë këtë gjë bazuar në zotimet e qarta të lidershipit të atëhershëm që ata do të implementojnë plotësisht zotimet e bëra në Planin e Ahtisarit për të ndërtuar një shtet demokratik, multietnik dhe gjithëpërfshirës. Qëndrimi i SHBA-së është i pandryshuar, është i qartë dhe s’do të ndryshojë”, shtoi Hovenier të martën, në Prishtinë.

Nga ana tjetër, Vuçiq, në fundjavë, nga Beogradi ka kërkuar: shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e OSBE’së dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian; kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre; tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës; tërheqjen e policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”; formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe; zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë”, të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinar.

What is Automated Hematology Analyzer in Mexico?
Hematology Analyzer – Search Ads
by Taboola
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje që kërkesat e Vuçiqit, të mos merren seriozisht pasi, siç tha ajo, ai nuk e do me të vërtetë rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por vetëm dëshiron ta tërheqë vëmendjen e Perëndimit.

“Kur Vuçiqi flet për rithikimin e tyre [serbëve në institucione], ai i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë – që janë përpjekjet e tij, qeverisë së tij, ushtrisë së tij, në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë qëllim vetëm dhunën”, tha Osmani gjatë një ngjarjeje në Prishtinë.

Në fjalimin e tij, Hovenier ka thënë se dëshiron që të theksoj edhe një pikë kyçe e që lidhet me premtimin e Kosovës për të ndërtuar një shtet sovran, demokratik, të pavarur dhe multietnik, me mbrojtje të veçantë për komunitetet pakicë.

Ambasadori Hovenier ka thënë se SHBA është krenare për rolin që ka luajtur për të ndihmuar Kosovën në avancimin e këtij vizioni dhe ka shtuar se janë duke vazhduar përpjekjet për të punuar edhe me Qeverinë aktuale duke kërkuar për bashkëpunim më të ngushtë për ta parë teksa i njëjti vizion realizohet.

“Gjithashtu dua të theksoj një pikë kyçe, premtimin e Kosovës për një shtet sovran, demokratik, të pavarur dhe multietnik, me mbrojtje të veçantë për minoritetet. Jemi krenar për rolin që kemi luajtur për ndihmuar Kosovën për të avancuar këtë vizion. Po vazhdojmë përpjekjet për të punuar me qeverinë aktuale të Kosovës, duke kërkuar për bashkëpunim më të ngushtë për të parë këtë vizion të realizohet. Vizioni ynë është shumë i qartë, Kosova iu bashkohet shoqërive ku të gjithë njerëzit jetojnë në dinjitet dhe siguri, përfshirë edhe minoritetet. Prandaj, dua ta bëj të qartë. Ne kemi qenë pjesë e procesit tuaj për të ndërtuar dhe përkrahur një shtet të suksesshëm, sovran, demokratik dhe shtet multietnik. Përkushtimi jonë për këtë është i hekurt”, ka thënë Hovenier.

Exit mobile version